“Unë si ti”

Bota e madhe e Marin Baçit

Marini ka realizuar një film me metrazh të shkurtër për fëmijët autik. Nëpërmjet filmit ai tregon se fëmijët autik janë të veçantë, kanë pasione dhe dëshira si të gjithë fëmijët e tjerë; në fund të fundit për Marinin të gjithë fëmijët janë të barabartë.

Është një nxënës i klasës së katërt, i cili ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve me ndjeshmërinë që ka ai për fëmijët autikë. Quhet Marin Baçi dhe studion në shkollën “Ali Demi” në kryeqytet. 


Marini ka realizuar një film me metrazh të shkurtër për fëmijët autikë. Nëpërmjet filmit ai tregon se fëmijët autikë janë të veçantë, kanë pasione dhe dëshira si të gjithë fëmijët e tjerë; në fund të fundit për Marinin të gjithë fëmijët janë të barabartë.


Filmi “Unë si ti” ka nisur nga njohja e tij me një fëmijë autik të cilin e kishte në shkollë. Mësuesja e klasës e lejonte këtë fëmijë të vizitonte klasën e Marinit dhe të fliste me nxënësit. Marinit i bëri shumë përshtypje ky fëmijë dhe të tjerë si ai, prandaj me ndihmën e prindërve e mësueses, mësoi shumë shpejt sesi mund të sillemi me ta. 


U desh pak kohë që ai të kuptonte gjithçka për këta fëmijë. E pasi ishte i qartë në gjithçka realizoi filmin me metrazh të shkurtër. Por Marini nuk është një djalë që kënaqet lehtë, prandaj për këtë film ai ka shumë rezerva, ka shumë gjëra që nuk dolën ashtu siç ai i kishte menduar, por ai premton se të gjitha këto gabime do t’i rregullojë në filmin e radhës.


Përveç kësaj, bota e Marinit është e pasur dhe në të ka vend për gjithçka të bukur. Ai është mjaft i dashur me kafshët. Edhe pse nuk mban një kafshë në shtëpi, është shumë i ndjeshëm ndaj kafshëve të braktisura dhe ëndërron që kur të rritet të mbajë shumë kafshë dhe të kujdeset për to. Marinit i pëlqen shume jeta në natyrë, e mrekullon çdo gjë që gjallon aty. Po ai si gjithë moshatarët ka një lidhje të fortë me shokët, të luajë futboll dhe basketboll me ta.


Në shtëpi Marini luan video-lojëra, vizaton vazhdimisht përpara se të flejë dhe lexon libra që ia këshillon vëllai apo libra të rinj që i zgjedh zakonisht me të ose me mamin.

Ky është Marini. 


Portali Shkollor i uron suksese Marinit!


(Portali Shkollor)

3,002 Lexime
3 vjet më parë