ESE

Desara Mullaymeri: Sytë tuaj te sytë e nënës

Studentja Desara Mullaymeri edhe pse ka zgjedhur të studiojë për Inxhinieri Telekomunikacioni, nuk e ka lënë pas dore pasionin e saj për të shkruar. Në këtë ese ajo ka zgjedhur fjalët më të bukura të zemrës që mund të thuhen për nënën; sytë e saj janë drejtuar te sytë e nënës...

“Bota është e mbushur  me sy të bukur, por të vetmit sy që depërtojnë në thellësinë pa limit janë ato të nënës”.

Shpeshherë, jeta na përball me një sërë sfidash, për të cilat ne duhet të gjejmë zgjidhje e madje disa prej tyre zgjojnë dyshime dhe për vetë qënien tonë. Nëse ekziston dikush apo diçka për të cilën dyshimi është i gabuar e pakuptim, atëherë kthejini sytë tuaj te sytë e nënës.


Ata sy do t’ju shfaqin një univers ndjenjash të sinqerta e fisnike. Ata janë sytë prej ku drita e syve dhe zemrës suaj gjenerohet. Parajsat në tokë mund të na duken mrekulli, e ndonjëherë teksa ndeshim njerëz që reflektojnë mirësi ,dashuri përmes syve të bukur, e konsiderojmë veten me fat. Por, ka vetëm një parajsë hyjnore në tokë dhe kjo është strehëza e kristaltë e syve të nënës.


Thuhet se sytë janë fotografia e shpirtit tonë. Përmes syve ne komunikojmë me botën, perceptojmë, përftojmë njohje, e zbulojmë pjesëza të Makrokozmosit ku jetojmë. Por, nga ana tjetër sytë na lejojnë të dhurojmë pjesëza nga Mikrokozmosi  ynë vetjak e shpirtëror. Në këtë komunikim të ndërsjellë  e pasiv, sytë e nënës janë gjithmonë udhërrëfyesit më besnikë e të gjithëdijshëm, që ndiejmë para se të kuptojmë, që duan para se të gjykojnë.


Sytë e tjerë përreth në faza të caktuara të jetës, na ndihmojmë të kuptojmë që jemi dhe ne mes mijëra të tjerëve. Ndërsa vështrimi i syve të nënës na ndihmon të ndiejmë se ekzistojmë si qënie të papërsëritshne, unike, subjektive dhe se vlerat që përcaktojnë identitetin tonë i rrezatojnë botës atë që i mungon e për të cilën ka nevojë. Nëse ekziston dashuria sublime atëherë padyshim është ajo e nënës. Nëse ekziston dikush që dhuron dhe nuk pret diçka në këmbim atëherë është padyshim nëna.


Gjithmonë e kam kuptuar se është diçka e cila e dyfishon fuqinë tonë të brendshme. Është motori qe vë në lëvizje dhe nxit anët tona më të mira, na bën ne njerëz më të mirë. Është motivimi që kërkojmë çdo ditë dhe është mburoja që na shfaqet përpara sa herë që jeta na përball me ankth, trishtim, zemërim, dhimbje dhe pasiguri. Dashuria e saj, modeli, përkushtimi, buzëqeshja, përkrahja janë motorrët që nxitin ëndrrat brenda nesh, që na nxisin ne të jemi njerëz më të mirë në të ardhmen. 


Drita e syve të nënës është një akt-besimi te drita e syve tanë për të vazhduar vështrimin e botës, sepse nëna ka jetësuar Mikrokozmosin brenda nesh. Sytë e saj tepër të ndjeshëm, fotografojnë çdo kënd të gëzimit, dhimbjes, dëshpërimit, lumturisë dhe lutjeve tona. Janë aty me ne në çdo moment edhe pse në shumë raste jo fizikisht.


Nëse, papritur para syve tuaj shfaqet mjegullnaja e dilemave e kërkesave ekzistenciale, kujtoni vështrimin e syve të nënës, sepse ata të mbështjellë me dashurinë e shpirtit, kanë dritësuar zgjidhjen e problemeve tuaja, ju kanë drejtuar tek e duhura dhe mbi të gjitha, kanë projektuar veten tuaj më të mirë me besim tek e ardhmja.


 “Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!” 

                                                                    “Johann Heinrich Pestalozzi”


Nga Desara Mullaymeri 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

547 Lexime
1 javë më parë