Ese

“Pluhur mbi Pasqyrat e Narçizit’’, ese në përkujtim të 120 vjetorit të lindjes së Ernest Koliqit nga maturanti Jonart Hadri

“Çka më bën krenar të studioj në një shkollë që mban emrin e Ernest Koliqit, nuk është thjesht fasada e lavdeve që i blatohet autorëve me kontribut në gjuhën shqipe. Ndihem me fat, për shkakun e vetëm që mes shumë të rinjve, pata fatin të prek nga afër një relike të gjallë”.

“Dashunova prrallën e Narçizit me të tânë hovin e gjakut t’im prandveruer. E gjithëkund e gjithëkah kërkojshem pasqyra ku m’u pasqyrue. Narçiz e quejta veten ndër ditët e rinis së parë, tue mos parandie asokohe sa trishtim mâ vonë do të më shkaktonte ky emën luluer.’’

 

Me këto fjali hapet proza filozofike “Ujët e pusit’’, si pararendje e gjithë reflektimeve e meditimeve personale të një prej korifejve më të ndritur të letërsisë shqipe, Ernest Koliqit. Kur flitet për trashëgiminë e tij, ajo çka vlen të rrënjoset thellë në memorie është gjurma që la ky autor në themelimin e një legjioni të lavdishëm shkrimtarësh, të cilët lëvruan ndjesi të reja në të shprehurit shqip, duke ecur në të njëjtat hapa. 


Mjeshtëria artistike, përmes së cilës ravijëzohen motivet që ai shpërfaqi si dashuria, atdhepërkushtimi, mirënjohja, shpresa,  qëndron në kompozicionin perfekt,  mbi të cilin vepra dhe jeta e tij ndërlidhen në harmoni të plotë.


E megjithatë, përpos gjenialitetit që shpërfaq karakteri i tij letrar, ekziston një kompozitë shëmbëllimesh, mbi të cilën ndërtohen shumë silueta të tjera të personalitetit të këtij poeti, silueta të cilat me apo pa qëllim, janë mbuluar nga pesha e pluhurit për 12 dekada. I njëjti pluhur është epur të mbulojë me tis të kobshëm harrese edhe veprën dhe kontributin e papërshkrueshëm të Koliqit në fushat ku punoi me zell. 


Por, a ia doli dot?


Përgjigjen në fakt, ndonëse mëtojmë ta gjejmë ndër rreshta librash e pirgje pergamenash, mjafton ta dallojmë vetëm duke hedhur sytë përreth. Më tepër sesa një grumbull shkrimesh, ky autor sakrifikoi vitet më të rëndësishme të karrierës për të lënë pas histori të prekshme, përvoja dhe eksperienca,  që duhet të lartësoheshin mbi piedestale. E për ironi të fatit, ajo çka mori si shpërblim, përkundër mirënjohjes së merituar, ishin një grusht përbaltjesh të paskrupullta mbi figurën e tij intelektuale, apo më mirë të thuhet, një shtresë pluhuri mbi pasqyrat që i adhuroi aq shumë. 


Qëllimin e nëntekstin e Koliqit arritën ta rrokin vetëm ata që para se t’i hidhnin sytë nga propaganda, i çuan së pari në ndjekje të së vërtetës, të po asaj të vërtete,  e cila mistershëm trupëzohet mbi libra, institucione e katedra,  që ngërthejnë magjishëm çdo përçapje të tij drejt “së mirës së epërme’’.


Nocionin e po këtij ideali sublim, vetë poeti e shpreh kur thotë: “T’rrëzuemin due ta çoj nga balta, due m’u ngjit m’i maje t’nalta me shtegtar qi kërkojnë dritën…’’


“Pasqyrat e Narçizit” tashmë e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm. E për këtë çështje, sa më pak flitet, aq më tepër zhytet në harresë. Koliqi nuk është narratori që struket për t’u shmangur nga personazhi. Ai, siç citon dhe vetë, është Narçizi: Narçizi në mërgim, Narçizi në Ministrinë e Arsimit, Narçizi në Institutin e Studimeve Shqiptare, Narçizi në prozë, poezi e publicistikë. Kudo i njëjti Narçiz, vetëm se jo i paraqitur me komplekse superioriteti e egocentrizëm të sëmure, ashtu siç jemi mësuar ta shohim këtë personazh. Si shëmbëllim i Koliqit, Narçizi shndërrohet në konceptin metafizik të supernjeriut,  mbi të cilin ngrihen dilema konfliktuale me karakter të përbotshëm e motive idilike. Në këtë aureolë, Koliqi-Narçiz mbetet në të njëjtën kohë heroi i vetes dhe i botës, e  akoma më tepër, pa nuanca hiperbolike,  por me një sinqeritet që buron nga depërtimi në labirintet e veprës së tij heroi i Shqipërisë.


Çka më bën krenar të studioj në një shkollë që mban emrin e Ernest Koliqit, nuk është thjesht fasada e lavdeve që i blatohet autorëve me kontribut në gjuhën shqipe. Ndihem me fat,  për shkakun e vetëm që mes shumë të rinjve, pata fatin të prek nga afër një relike të gjallë,  që mban copëza të vogla nga shpirti letrar e fryma atdhedashëse e një personaliteti të shquar, kompleksitetin artistik të të cilit, nuk arritën ta shpërfaqin librat, por përjetimet.


Sot, jehona e Koliqit ndihet e gjallë në konferenca, simpoziume, referate  e fjalime që mbahen në emër të tij, në çdo shkollë, në çdo foltore, në shumë novela e po aq në poezi. Buçet prej thellësisë së shqipes si për të na rikujtuar t’i pastrojmë pluhurin që e ka mbytur prej vitesh. E kjo përgjegjësi sot, më shumë se kurrë, ka ardhur koha t’u përkasë të gjithëve. Ernest Koliqi jetoi dhe u shua si kandil për atdheun. U përpoq t’i jepte një trajtë të re letërsisë shqipe larg ndikimit të ideologjive politike.


 Ajo çka mbetet… është histori.


Punoi:Jonart Hadri, kl.XII, shkolla e mesme “Ernest Koliqi”


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

535 Lexime
2 javë më parë