FORMIMI PROFESIONAL I MËSUESVE

Situata të të nxënit në lëndën e fizikës bazuar në internet dhe në librat jashtëshkollorë

Ky material i hartuar nga Dr. Bajram Salianji u shërben të gjithë mësuesve për formimin e tyre profesional. Në të paraqiten situata të të nxënit në lëndën e fizikës, por modeli i përzgjedhur shërben edhe për lëndë të tjera kryesisht për lëndët e shkencave të natyrës.

Ky material u drejtohet mësuesve të fizikës, mësuesve të arsimit fillor si dhe mësueseve të kopshteve. Lidhur me këta dy nivele të fundit, ku fizika nuk zhvillohet si lëndë e veçantë mund të përdoret për njohuritë nga fizika, apo ato natyrore që përmban lënda dituri natyre. Materiali mund të përdoret si model edhe nga mësuesit e kimisë dhe biologjisë, të cilat i përkasin të njëjtës fushe të nxëni.


Materiali përbëhet nga dy pjesë.


Pjesa e parë bën fjalë për materiale të nxjerra nga interneti, të cilat mund të përdoren nga mësuesit/et si situata të nxëni, që mund të prezantohen me video.


Pjesa e dytë përmban situata të nxëni të formuluara duke shfrytëzuar pjesë të shkëputura nga librat jashtshkollorë, përfshi këtu edhe librat artistikë.


Lidhur me pjesën e parë: Është fakt i njohur se teknologjia e informacionit jep ndihmesë shumë të madhe për interpretimin e përmbajtjeve mësimore, por edhe për ndërtimin e njohurive dhe zhvillimit të aftësive nga vetë nxënësit. Në këtë material, nisur nga roli i madh që ka situata e të nxënit për arritjen e suksesit, krahas mënyrave të njohura, ku mësuesi i prezanton këto situata me gojë apo me fisha mësimore etj., shpreh apo përforcoj mendimin se do të ishte mjaft efektive që të përdoret më dendur metoda e prezantimit me video. Për pjesën e parë, fjala është për situatat e të nxënit të përzgjedhura nga interneti. Për këtë ide jam nisur nga kërkesat që duhet të plotësojë një përmbajtje për të qenë situatë e të nxënit duke u njohur me një literaturë të gjerë, një pjesë e së cilës, është shënuar në fund të librit. 


Lidhur me përdorimet e përmbajtjeve të videove për situata të nxëni, shpreh mendimet e mëposhtme:


a) Adresat e videove në këtë material, janë renditur duke filluar nga niveli më i ulët i arsimit deri te niveli më i lartë. Por, kjo nuk do të thotë që videot e renditura në fillim, në raste kur e kërkon interesi i përmbajtjes temës së mësimit, t’i përdorin mësuesit që japin mësim në nivelet më të larta dhe anasjelltas;


b) Videot janë disi të gjata si dhe përfshijnë disa tema mësimi. Kjo kërkon që mësuesi të përzgjedhë materialin që duhet për temën e ditës. Ky udhëzim më jep mundësinë që të sqaroj edhe kuptimin e termit: “Tematikë”, term i përdorur gjerësisht në të dy pjesët e librit. Ky term shpreh një tërësi temash mësimi.


c) Do të sugjeroja që të mbyllet mikrofoni i videos, duke zëvendësuar atë me fjalën e mësuesit/es.


Përsa, i takon pjesës së dytë të materialit, lidhur me ndonjë sqarim, po mjaftohem me shembujt e mëposhtëm.


(Materialin e gjeni të plotë më poshtë, në formatin PDF) 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,067 Lexime
1 muaj më parë