Analizë

Faktorët ndikues në edukimin cilësor

Në fillim duhet cekur se, edukimi nuk fillon vetëm në shkollë por këtu do flasim për edukimin cilësor në shkollë si vendi kryesor për edukimin e strukturuar, planifikuar dhe organizuar, i cili dallohet edhe nga shkalla e cilësisë së edukimit që ofron.

“Një edukim i mirë është themeli për një të ardhme më të mirë”-Elizabeth Warren  


Synimi i arsimimit dhe edukimit në shkollë mund të ndahet në:


•Ndihmën ndaj fëmijës për zhvillimin e personalitetit, shkathtësive si dhe aftësive mendore e fizike, sipas potencialit që ka secili fëmijë.


•Ndihmën ndaj fëmijës që të zhvillojë edukatën, kulturën, respektin ndaj të drejtave të barabarta me të tjerët, si dhe respektimin e lirive themelore njerëzore.


Kësaj ndarje mund t’i shtohen dhe shumë çështje të tjera më të gjëra, si përgatitja e një shoqërie tolerante, të lirë, demokratike, me frymën e barazisë, respektit, mirësjelljes, iniciativës për progres, etj. Fokusimi i përmirësimit të arsimit dhe edukimit në shkollë në të kaluarën është bërë me tentim zgjatjen e procesit mësimor, disiplinën më të ashpër, promovimin e memorizimit, marrëdhënies autoritare duke harruar personalitetin e edukantit. 

Por, lind pyetja që, çfarë do arrihet nëse kalojmë nga edukimi sasior ose praktikat që janë përdorur deri tani në edukimin cilësor?! Ne do përmendim disa faktor që ndikojnë në edukim cilësor,së pari në formë të shkurtër për dy faktorët e përgjithshëm dhe pastaj faktorët ndikues në edukimin dhe arsimimin cilësor me bazë shkollën-klasën.


Faktorët ndikues në edukim cilësor:


Faktori Ekonomik

Faktori ekonomik konsiderohet përveç determinues i cilësisë në arsim edhe determinues i zhvillimit shoqëror. Pa investime, zotërime dhe posedime të hapësirave dhe infrastrukturës institucionale edhe zhvillimi i aktiviteteve dhe planifikimeve të ndryshme dhe llojllojshme është i kufizuar. Edukimi cilësor është i ndërlidhur edhe me zhvillim ekonomik. Shtetet e zhvilluara kanë më shumë mundësi investimi në gjitha sektorët duke përfshirë edhe arsimin. Investimet në arsim mundësojnë përsosjen e resurseve humane, infrastrukturore, shtimin e përpjekjes për ndërmarrësi etj. 


Faktori Politik

Faktori politik çdo herë e ka përcaktuar edhe idealin e edukatës dhe arsimimit që nga shoqëritë antike, ndërsa tani përmes projektimit të politikave edukative-arsimore. Përmes edukimit dhe arsimimit shoqëritë kanë promovuar vetveten, ndërsa tani, në edukimin cilësor, ndikojnë në atë mënyrë se sa kemi bashkëpunim ndërkombëtar për shkëmbimin e përvojave e njohurive, sa ka mundësi që  të përdoret dhe planifikohet buxheti i shtetit në sferën e arsimit, cilat janë politikat edukative-arsimore duke përfshirë strategjitë e sigurimit të cilësisë etj. Ndërlidhja e këtyre dy faktorëve është se bashkëpunimi politik dhe ekonomik dhe investimet e huaja janë të rëndësishme për të siguruar perspektivë, punësim, zhvillim, dhe plotësimin e nevojave e burimeve të ndryshme.


Një ndarje më e veçantë dhe më thelbësore e faktorëve me bazë shkollën-klasën që ndikojnë në edukim cilësor janë:


  • Metodat e mësimdhënies të përdorën në mënyrë rigoroze, të përshtatshme me njësinë mësimore që kemi paraparë; 
  • Materialet e mësimore të jenë të disponueshme duke ndikuar në atë se çfarë janë mundësitë që mësimdhënësit të bëjnë;
  • Trajnimet e vazhdueshme për mësimdhënës duke qenë koherent dhe te integruar me ndryshimet e botes dhe teknologjisë gjithnjë në zhvillim;
  • Koha e të mësuarit  nuk e determinon cilësinë pa angazhim, interaktivitet, dhe produktivitet reciprok mes nxënësit dhe mësimdhënësit;
  • Lidershipi i aftë për motivimin e mësimdhënësit dhe lirinë për shfrytëzimin e burimeve por edhe njohjen e faktorit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies;
  • Përpikëmëria e zbatimit të detyrave konkrete nga secila strukture e shkollës qoftë drejtori, këshilli drejtues, mësimdhënësit;
  • Kontrolli i cilësisë si mekanizëm i veçantë për të siguruar se, a janë arritur rezultatet e parapara etj.

Qëllimi i këtij shkrimi ishte që të përmendim faktorët që ndikojnë në edukimin cilësor. Pa dyshim se duhet një analizë e gjerë, hulumtime, për të konstatuar se cilët janë faktorët e tjerë dhe si duhet ndikuar në këta faktor me qëllim të promovimit dhe zhvillimit të edukimit cilësor. Duhet cekur që planifikimi i aktiviteteve dhe përgjegjësia e ndryshimit, aty ku kemi mangësi dhe ku duhet përmirësuar, nuk bien si përgjegjësi vetëm e mësimdhënësit ose udhëheqjes së shkollës, por edhe e institucioneve dhe mekanizmave shtetëror që bëjnë politikat edukative-arsimore me anë të platformave përkatëse, strategjive shtetërore, ligjeve, udhëzime, rregulloreve, rekomandimeve etj.



Nga Lekë Ukaj


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

930 Lexime
3 muaj më parë