CELULARI NË SHKOLLË

Ndalimi i celularëve, një lehtësi e madhe për mësuesit

Telefoni është një shqetësim i madh. Vështirë se mund të realizosh një orë mësimore pa ndërprerje... Ja si e perceptojnë nxënësit dhe mësuesit...

Ndalimi i celularëve në shkolla, si e perceptojnë nxënësit dhe mësuesit. Përdorimi i smartfonëve ka qenë gjithmonë një tematikë që ka prekur nxënësit dhe mësuesit. 


Ja si shprehet një nxënës:

“Problemi primar ishte përdorimi i telefonit në orën e mësimit. Sipas rregullores, përdorimi i tyre në orë mësimi është i ndaluar. Për mua kjo është gjëja më e mirë që mund të ndodhte, sepse kishte raste kur një nxënës këmbëngulte dhe thoshte ‘telefoni nuk është i imi por i shokut tim’, ‘ma dha ai telefonin’ dhe ora e mësimit dështonte, nuk kryheshin objektivat e duhura dhe mësuesja edhe qortonte, edhe mërzitej shumë, sepse ora dështonte. Si për shembull: orët e gjuhës, matematikës, që janë lëndët më të rëndësishme sipas meje”.


Ndërsa mësuesja shprehet kështu:

"Telefoni është një shqetësim i madh. Vështirë se mund të realizosh një orë mësimore pa ndërprerje. Ka nxënës që ulen në bankën e fundit dhe vetëm ulin kokën duke u përqëndruar te telefoni. Në çastin që e konstatonim diçka të tillë, nuk ndjeheshim mirë dhe humbisnim minuta nga ora e mësimit. Ndërsa kur nuk kanë telefon nëpër duar, fëmijët janë të interesuar, të shikojnë ty teksa shpjegon mësimin dhe marrin pjesë gjallërisht.


Disa shkolla e kanë zgjidhur në këtë mënyrë:

Senatorët e klasës i mbledhin telefonat ende pa filluar mësimi dhe derisa të përfundojë procesi mësimor ato nuk nxirren nga dollapi, për asnjë lloj arsyeje, edhe nëse kanë ndonjë shqetësim ata komunikojnë me mësuesen, me drejtorinë për të dhënë zgjidhje. Kjo ka krijuar një lloj lehtësie për vetë mësuesit.


“Përmes mospërdorimit të celularit nuk krijohet më zhurmë për të marrë telefonat në orë të mësimit dhe askush nuk është më i painteresuar për mësimin”, – tha një nga nxënësit. Po kështu, një tjetër nxënës dha shembullin e një rasti, të cilin ai vetë e kishte hasur më parë në një orë të zakonshme mësimi.

“Kishte nxënës që luanin me telefon disa herë dhe nuk e kishin vëmendjen në mësim. Tani nuk e merr më njeri telefonin, sepse në shkollë është urdhër i prerë, dhe masat ndëshkimore në të kundërt janë mjaft të egra".


Është e rëndësishme të kuptohet se përdorimi i telefonëve qoftë nga mësuesi, qoftë nga nxënësi nuk duhet të lejohet. Kjo për të rritur përqëndrimin e tyre në mësim.



(Portali Shkollor)

1,331 Lexime
3 javë më parë