Urimi i mësueses

Nxënësve të mi

Kjo letër për nxënësit e maturës është shkruar nga mësuesja e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën “Jordan Misja” Shkodër Ermira Ymeraj. Është një dedikim veçanërisht për nxënësit e klasës së 12-A.

Për nxënësit e mi të 12-A. Së bashku bëmë një udhëtim tre-vjeçar. Rruga jonë e njohjes i shënjoi gjurmët e veta. Nëse do kthehesha në shtatorin e 2015 nuk do ma besonit po e kam të fiksuar në mendje portretin e secilit prej jush. Asgjë nuk ka ndryshuar nga ata sy plot jetë. 


Ju sot jeni në momentet më vendimtare. Të rritur e me guximin e 18-vjeçarit, do lutem të ndaheni mirë. Do lutem që secili të gjejë rrugën më të mirë që ka menduar për vete. Do të lutem të jeni më të vendosur, më të përgjegjshëm për veten tuaj. 


Do gaboni, do thyheni, do rrëzoheni: mos u trembni thjesht po njihni veten në pellgun e jetës. Ngrihuni e ecni, ju mundeni, mundeni nëse keni qëllime të mira, të bëni çfarë është e mundur për t'u bere. Mos shani të tjerët, mos e hidhni fajin tutje, merreni pjesën tuaj përsipër e vazhdoni. 


Ruajuni nga vetja, mos u habisni, ruajuni nga vetja juaj që justifikon çdo gabim, që lehtëson të vështirën e vështirëson të lehtën, që të bardhen e bën të zezë, të shëmtuarën e quan të bukur, të padrejtën e quan të drejtë. Mos shtrembëroni asgjë, ju mundeni t'i merrni gjërat me shpirt e mund, me zemër e mendje. Mjafton vetëm t'ia thoni vetes. 


Të gjithë ju, nxënësit e mi, çfarë, mendoni se mbaroi këtu? 

Jo, ju do më shoqëroni gjatë: Adeliona llupëse. Aida e ndrojtur. Albertoja serioz. Ardiani i qeshur. Arsilda e tërhequr. Aulona e ëmbla dhe e vendosur. Edra dritë. Endri moskokëçarës. Enisi e ëmbla, Eraldo artist. Erlindi inteligjent. Fjorilda këmbëngulëse. Floriani i ndrojtur. Gentiana e urtë. Jona e brishta faqekuqe. Ledidjana moderne. Leka i thjeshtë. Leonida indiferentja e zgjuar. Manjola e butë. Mariana plot jetë. Mario Preka i vogli jem. Mario Mici i miri jem. Mikeli i qëndrueshëm. Redi gjumashi. Rikardi i arsyeshmi. Rolandi kampioni. Sajmira vajza e veçantë dhe e mprehtë. Tomas i guximshëm. Valentini plot humor. 


E kuptoni pse do qëndroni gjatë në mendjen time, sepse ju jeni thjesht më të mirët. Vendosni qëllime të mira në jetën tuaj dhe çdo derë do ju hapet. Suksese nxënësit e mi të mirë. Dalshi FAQEBARDHË. 


(VO: Andi i dituri i zyshës. Kledis Prela i buti dhe i drejti, Genta sistematike e gjithë ju të mirët e 12-C dhe 12-B suksese në provime. Faleminderit që i dhatë kuptim profesionit tim me qenien tuaj.)


(Ermira Ymeraj; Portali Shkollor)

3,646 Lexime
11 muaj më parë