KONCEPT DHE REALITET

Shkolla e mirë - nga Lekë Ukaj

Shkolla e mirë nuk është vetëm vend edukimi dhe arsimimi por vend suksesi, profesionalizmi , gjithëpërfshirjes, zhvillimi të personalitetit, socializimi, ambientimi. Të gjitha shkollat duhet ta kenë synim arritjen e “shkollës së mirë” duke i plotësuar objektivat e determinuesit të saj.

Kemi dëgjuar për shkollën e re dhe shkollën e vjetër, të dyja këto dallimet i kanë në qasjen e mësimdhënies, ndryshimet në mbajtjen e procesit mësimor, ndërlidhjen e përmbajtjeve mësimore dhe shumë relacione tjera të diferencuara.


Por a kemi dëgjuar se, çka është SHKOLLA E MIRË?


Për ta përcaktuar një shkollë të mirë duhet të kemi shumë kujdes! Së pari, vizioni i çdo shkolle është që të jetë një shkollë e mirë, por duhet të ketë sukses në mësimdhënie dhe mësimnxënie, udhëheqje profesionale, rezultate në nivel lokal dhe qendror dhe nivel i barabartë ose më i lartë me shkolla e tjera të rajonit. Shpeshherë drejtorët, mësimdhënësit, aktorët të tjerë mund të kënaqen me suksesin e shkollës, mirëpo krahasimi me shkollat e tjera mund të lë shumë për të dëshiruar.


Në aspektin e pushtetit qendror, në secilin shtet, vizioni i arsimit pikëniset tek institucioni shkollor – Shkolla. 


Çfarë shkolle duam për të ardhmen? Cilat vizione duhet t’i ketë? Çfarë përbërje e strukture duhet poseduar? Si duhet menaxhuar ajo? etj.


Shkolla e mirë jep përgjigje vlerave që u kërkohet në një shoqëri demokratike dhe të zhvilluar. Ajo nuk është më vetëm vend edukimi dhe arsimimi, por edhe vend socializimi, ambientimi, formimi e zhvillimi. Shkolla e mirë është një pikëpyetje e cila ndryshon në kohë dhe hapësirë. Por një shkollë e mirë duhet t’i rezistoj kohës, edhe t’i pranoj ndryshimet që ndodhin dhe t’i konsolidoj ato në vetvete.


Nëse fillojmë t’i ndajmë determinuesit e një shkolle të mirë, ato mund të ndahen në :


•Udhëheqje të përgatitur në aspektin shkollor dhe profesional 

Udhëheqësit-drejtorët shkollor zakonisht janë mësimdhënës të lëndëve të ndryshme, që kanë përfunduar trajnime, por edhe ata të cilët kanë përfunduar studime universitare në fushën e menaxhimit dhe udhëheqjes arsimore etj. Një drejtor para se të marr detyrën duhet t’i ketë disa aftësi, njohuri: 

1. Njohja e politikave shkollore; 

 2. Menaxhimi dhe organizimi i resurseve njerëzore dhe materiale;

 3. Njohja e parimit të gjithëpërfshirjes;

 4. Ofrimi i qasjes dhe raportit kolegjial mes mësimdhënësve dhe drejtorit etj. 

Këto aftësi janë determinues të një drejtori të mirë , dhe një udhëheqje e mirë është determinues për një shkollë të mirë. 


•Zhvillmi i bashkëpunimit

Bashkëpunimi është faktor kulminant  për t’u quajtur shkollë e mirë  një shkollë me standarde normale. Nëse fillojmë nga bashkëpunimi, atëherë do të thotë fillojmë nga një faktor suksesi. Bashkëpunimi prind –udhëheqje – mësues – nxënës, haset tashmë çdo herë në literaturë për udhëheqje, mësimdhënie. Një mësues dhe një udhëheqës në shkollë nxisin bashkëpunimin e prindërve me ta në çdo sferë ku ata duhen të kenë qasje, qoftë për interesimin e nxënësit, për partneritet dhe kulturë zhvillimore, projekte shkollore etj. 


•Komunikim i ndërsjellët

Komunikimi i rrjedhshëm dhe multidimensionale është faktor tjetër i një shkolle të mirë e moderne  nëpërmjet njohjes dhe relacioneve. Komunikimi nënkupton edhe informimin mbi rrjedhjen e proceseve organizative, edukuese, arsimore për të gjithë pjesëmarrësit në mësimdhënie dhe udhëheqje. Komunikimi normalisht mundëson të punohet së bashku, ofron mbështetje, sigurim të përkrahjes etj.


•Gjithëpërfshirje në shkollë 

Inkluzioni apo gjithëpërfshirja e cila realizohet në shkollë , duhet të realizohet në shoqëri, por shoqëria ndryshohet nga shkolla. Tashmë gjithëpërfshirja nuk është vetëm arsyetim por është determinim. Shkolla e mirë ka edhe aspektin infrastrukturor që mundëson gjithëpërfshirjen por edhe kulturën shkollore të ndërtuar që nga udhëheqësi e deri tek nxënësi fillestar.


•Mësimdhënësit e kualifikuar, fleksibil e koherent 

Mësimdhënësit të cilët janë faktori kyç për sukses edukativo-arsimor, në shkollën e mirë trajnohen dhe avancohen, nuk ngelën thjeshtë interpretues informacioni por edhe shpërndarës të tij, nxitës të informimit të drejt pasi informacioni ndryshon. Tashmë ata duhet të jenë koherent dhe në linjë me ndryshimet e mëdha në shkencë, edukim e arsim.


•Kulturë shkollore dhe fryma e barazisë, mirëqenies, socializmit 

Kultura shkollore është faktori i fundit , determinuesi tjetër por jashtë mase i rëndësishëm i një shkolle të mirë dhe moderne .Ajo është e ndërlidhur me frymën e barazisë, mirëqenies, socializimit. Nxënësit në shkollë hasin në vështirësi emocionale dhe ato janë çështje që duhet trajtuar nga  udhëheqësi dhe mësimdhënësit. Një frymë e mirëqenies e socializimit arrihet me ligjërata vetëdijesuese kundër bullizmit, ngacmimeve, dukurive negative por edhe me ligjërata pro vlerave pozitive. Në shkollën e mirë nxënësit ndihen se janë në një vend ku janë të mirëpritur. 


Shkolla e mirë siç thamë i ka determinuesit e saj që ndikojnë që ajo të jetë shkollë e mirë, por, po ashtu i ka sukseset që i sjell një shkollë e mirë:

•Shkolla e mirë karakterizohet me  performancë të shkëlqyer nga mësimdhënësit; 

•Udhëheqje profesionale;

•Zhvillon dhe arrin objektivat e parapare në planin zhvillimor të saj me përpikëmëri; 

•Arrin rezultat ne secilin vlerësim;  

•Zhvillon përdorimin e teknologjisë dhe një formë ndërmarrësie tek nxënësit;

•Është vend ambientimi e shoqërimi; 

•Kujdeset për vështirësitë e nxënësve në të nxënë dhe aspekt social;

•Sjell kulturë bashkëpunimi, mirëkuptim dhe inkluzioni etj.



Mesazhi qëndron se, shkolla e mirë veç të gjithave siç e thamë më lartë nuk është vetëm vend edukimi dhe arsimimi por vend suksesi, profesionalizmi , gjithëpërfshirjes, zhvillimi të personalitetit, socializimi, ambientimi. Gjitha shkollat duhet ta kenë synim arritjen e “shkollës së mirë “ ose t’i ngjajnë shkollës së mirë  vazhdimisht duke i plotësuar objektivat e determinuesit të saj.


Nga Lekë Ukaj



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

251 Lexime
1 javë më parë