ese

Unë si njeri dhe unë si mësues - synimi im për shekullin XXI

Nuk ka dyshim se mësuesi i shekullit XXI është vigjilent dhe gjithmonë shikon drejt së ardhmes. Ai është gjithmonë në hap me trendet e ndryshme teknologjike dhe është në akordim me atë që e ardhmja do t’i sjellë edukimit dhe arsimimit.

Me spikatjen e shekullit XXI, dashuria e njerëzisë për sfidën shtohet, dhe që të arrijmë t’ia japim njerëzores vlerën e merituar, na del si detyrë që ta perfeksionojmë “Abc-në e prodhimit të suksesit”. 


Çdo gjeneratë ka përjetuar krizën e saj, por kriza e gjeneratës sonë ka të bëjë pikërisht me mbetjen tonë nën hije kundrejt spikatjes dhe ushqimit të suksesit, respektivisht me prapambetjen tonë në çështjen madhore të prodhimit të suksesit - arsimimin dhe edukimin fillor. 


Anekënd duket qartë se po lind drita në një komb, nata e të cilit zgjati vërtet shumë, në një epokë kur bota ka njohur fare pak për lindjen e misionarëve të suksesit të vërtetë, në një realitet ku bota është mbushur plot me shpresëvrarë të ngujuar dhe të zvetënuar.


Realiteti qëndron në atë se produkti i markës “njeri” është produkti më i përsosur që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë ndonjëherë, madje çdo produkt sado i avancuar, prezent ose i pritshëm, i teknologjisë më të sofistikuar njerëzore të jetë, përsëri mbetet primitiv krahasuar me të. Andaj, duke i pasur parasysh të gjithë këto fakte, qenies njerëzore i duhen vënë në shërbim të gjitha kushtet dhe udhëzimet optimale për të arritur suksesin, rol të cilin e luan shkolla në përgjithësi dhe mësuesi në veçanti.


Çështja që duhet të na preokupojë është ajo se ç’do të thotë të jesh mësues i shekullit XXI dhe cili do të ishte synimi ynë për këtë kohë? Nuk ka dyshim se mësuesi i shekullit XXI është vigjilent dhe gjithmonë shikon drejt së ardhmes. Ai është gjithmonë në hap me trendet e ndryshme teknologjike dhe është në akordim me atë që e ardhmja do t’i sjellë edukimit dhe arsimimit. Po ashtu ai është i vëmendshëm ndaj sfidave dhe mundësive të reja që do t’u paraqiten  nxënësve të tij gjatë viteve të ardhshme dhe gjithmonë kontribuon në avancimin e të menduarit dhe planifikimit të arsyeshëm. E gjithë kjo nënkupton se mësuesi i shekullit XXI patjetër duhet të përdorë strategji të ndryshme të mësimdhënies, për të qenë i sigurt se fokusi i arsimimit ndodhet në përgatitjen e fëmijëve të sotëm për të ardhmen ku ata do të jetojnë dhe punojnë, dhe jo për botën tonë aktuale.


Nga ana tjetër, teknologjia në klasë është duke u zhvilluar gjithnjë, edhe atë me një hov të madh. Teknologjia në klasë, qoftë për ligjërata, detyra apo nota, u ndihmon nxënësve për të mësuar më mirë dhe më shpejtë, dhe kontribuon që ora mësimore të jetë më efektive. Kështu, mësuesi efektiv i shekullit XXI duhet të qëndrojë në raporte proporcionale me teknologjinë dhe duhet të jetë i vetëdijshëm se teknologjia në klasë mund vërtet të ndihmojë në zhvillimin arsimor të nxënësve. Ai duhet të dijë se cilët janë veglat më të mira dhe si e ku t’i përdorë ato.

Mësuesi i mirëfilltë patjetër duhet të jetë në gjendje për të punuar mirë në grupe. 


Bashkëpunimi me të tjerët është një aftësi mjaft e rëndësishme e shekullit tonë. Kohës së fundit, bashkëpunimi efektiv në vendet e punës është zhvilluar mjaft. Kështu, të mësuarit konsiderohet më efektiv kur i ndan idetë dhe diturinë tënde me të tjerët. Shkëmbimi i ekspertizës dhe përvojës, komunikimit dhe mësimit nga të tjerët, është një pjesë e rëndësishme në procesin mësimor.


Mësuesia përbën një profesion, suksesi i të cilit ka stagnuar shumë dekadave të fundit. Me kalimin e kohës veglat kanë ndryshuar, mirëpo jo edhe praktika mësimore. Mësuesi i shekullit XXI është në gjendje të përshtatë gjithçka që i vjen në duar. Ai duhet të shikojë në praktikën e tij dhe ta përshtatë atë konform nevojave të nxënësve. Është më se e nevojshme që ta përshtatë mënyrën e mësimdhënies nga situata e caktuar, në mënyrë që të përfshijë forma të ndryshme të edukimit dhe arsimimit: ta përshtatë situatën kur ndonjë ligjëratë dështon, të përshtatet ndaj teknologjisë së re dhe ngjashëm. Ai patjetër duhet t’i përshtatet edhe planprogramit mësimor dhe kërkesave të ndryshme arsimore dhe të jetë në gjendje ta përdorë imagjinatën e tij, në mënyrë që ta mbjellë dhe kultivojë kreativitetin te nxënësit.


Mbi të gjitha, një mësues i shkëlqyer i shekullit XXI duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë arsimimit gjatë tërë jetës. Ai nuk synon që vetëm nxënësit e tij të arsimohen gjatë tërë jetës, por gjithashtu tenton që edhe ai të qëndrojë aktual dhe në majë të asaj që është më e re në arsimim. Edhe pse ndoshta ende i përdor planet e njëjta mësimore sikurse të vitit të kaluar, përsëri ai e di si të ndryshojë në mënyrë që të jetë aktual me planet e reja.


Në fund, duhet thënë se baza e suksesit të mësuesit, pa e lënë anash edhe njeriun e rëndomtë, qëndron në transformimin dhe reformimin e unit të tij njerëzor. Me këtë, do të vetëdijesohemi se njeriu/arsimtari vetë e përgatit të nesërmen e tij/shoqërisë dhe se vetë është përgjegjës për atë çfarë i ngjet. Kuptim pas të cilit duhet nxituar të përcaktohet pa vonesë vizioni, objektivat dhe projektet që aspirohet të përmbushen, pasi kronometri i jetës nuk rresht së numëruari, natyrisht gjithnjë në zbritje.


Suksesi kërkon prej njeriut që ai t’i përcaktojë qartë prioritetet e tij jetike dhe për realizimin e tyre të vendosë një plan dhe kohë të caktuar, duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë e lidhjeve të vlefshme dhe konstruktive me njerëzit që e rrethojnë, të ngritura mbi vlera morale dhe principe solide, si dhe duke i ripërtërirë vazhdimisht energjitë.


Ky udhëtim – edukimi dhe arsimimi fillor, është udhëtimi i rrëzimit të pseudoformave të suksesit, të cilat ka ardhur koha t’ia lënë vendin brofjes së reformatorëve të gjeneratës së suksesit të shekullit XXI – mësuesve. Ky është udhëtimi që thërret të dalim nga guaska jonë dhe si aspirues të nisemi drejt kurorës së suksesit të shekullit XXI, t’i kapërcejmë kufijtë virutal, t’i shkatërrojmë barrierat dhe pengesat e fabrikuara, të bëhemi promotorë të thirrjes së shpresës “Ne arsimtarët jemi globalistë”, mirëpo globalistë pozitivë. Andaj, nëpërmjet këtij udhëtimi, shpresojmë që do t’ia kthejmë jetës sonë vlerën e humbur, do të bëhemi personazhe të eskortës më të lavdishme që është parë ndonjëherë, eskortës së “Industrisë së prodhimit të suksesit”.


(Përgatiti: Reshat Ameti, student i Fakultetit të edukimit, Shkup; Portali Shkollor)


***Shënim: Ky shkrim është vlerësuar si "Eseja më e mirë" në Fakultetin e Edukimit në Shkup.

5,931 Lexime
6 vjet më parë