ESE

"Gjuhës mëmë" nga Jonart Hadri

Të gjallës, të bukurës, të shenjtës e të lartës. Të madhes, sublimes, ngadhënjimtares e të moçmes. Të përmbiqenëshmes shqipe. Ç’lavde t'i thurësh?

S'është gjuhë, po është mëmë. Se me qumështin e saj ka nginjur që në djep gra e burra, fëmijë e pleq, fisnikë e mbretër. Gjithë brezat vijnë e i përulen me nderim fronit të saj, të gdhendur me shkronja të arta. I falen asaj që i rriti, që u mësoi të jetonin... Ajo i kundron, psherëtin e i sodit. Si nënë e dhembshur hap krahët për t'i marrë në gji. Duart e rreshkura e të thata gur, të përgjakura nga vitet, i shtrin ngadalë mbi bijtë e dashur. U derdh mbi krye frymë dashurie, frymë ndriçimi, që ata ta përlëvdojnë në shekuj të shekujve veprën e saj. Të meditojnë mbi peripecitë që kaloi, hordhitë që shfarosi. Të kuptojnë se nderi lahet me gjak. Vetëm kështu mund të skalitin me krenari identitetin e tyre dhe të kombit.


Unë, i pavyeri, s'kam dorë e penë ta himnoj denjësisht, as gjuhë për ta lëçitur. Por kjo dashuri, ky zell e kjo pakëz shpresë,  më mjaftojnë  që të paktën ta lartësoj me gjithë qenien, ndërgjegjjen e shpirtin tim.


T'i shkruash gjuhës që bëlbëzove sa erdhe në jetë, mbi të gjitha,  është sfidë. Edhe pse thonë që ndjenjat e forta e të pastra shprehen lehtë, me shqipen është ndryshe. Duhet të veshësh me kujdes veladonin e respektit, ndershmërisë, mençurisë e përulësisë,  në mënyrë që t'i afrohesh altarit të saj. Shumë e kanë lëvruar, në prozë apo vargje, por asnjë s'ka zbuluar plotësisht portretin e artë që mban.


Zëri i saj është universal. Një retrospektivë në historinë e Shqipërisë, do të mjaftonte për të zbuluar "ç'hoqi" kjo gjuhë. Prandaj, fakti që mbijetoi,  cilësohet literalisht si një mrekulli. Kur kujton se sa atdhetarë kanë flijuar gjak për të ujitur filizat e saj, çdo lloj dedikimi tjetër zhvishet nga nderimet. Mbetet si përqasje modeste për të paraqitur shqipen në arenën kombëtare e jashtë kufijve, si simbol krenarie, mishërim i forcës dhe vetëdijes së kombit.


Diku në tunelin e gjatë të vuajtjeve, principi i nderit të komunitetit, dallohej dhe ruhej akoma.    U lartësua nga shqiptarët mbi eshtra martirësh dhe u shndërrua në idealin sublim, jo të një personi apo vendbanimi, po të një populli të tërë, të bashkuar në gjuhë. Prandaj dhe mbrojtja e saj është, mbi të gjitha,  simboli i dinjitetit personal i glorifikuar mbi historinë e një legjioni të madh brezash.


Megjithatë, dashuria për gjuhën, e ngjizur bashkë me ne, nuk ndërtohet mbi rrethana tokësore apo të çfarëdolloji. Ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e rrënjosur në shpirt. Prandaj asnjë ligj natyre, asgjë e mbinatyrshme apo joracionale, nuk mund ta shuajë, përderisa është destinuar të shkrihet me unin tonë, që nga lindja, deri në pafundësi. Kjo i jep asaj karakterin e përbotshëm.


Dhe së fundmi, dua të theksoj,  se ne jemi pjesë e shpurës së atdhetarëve dhe iniciatorëve të ruajtjes së gjuhës, me vullnetin tonë të plotë. Si rrjedhojë, duke vendosur në piedestal gjuhën mëmë, nuk kryejmë një detyrë të përcaktuar nga fati, por pastrojmë ndërgjegjen kolektive prej llumit të mosmirënjohjes, atdhe mohimit dhe tradhtisë. Prandaj dhe linguistët si Çabej,  e përcaktojnë qartë:

"Gjuha është pasqyra e një kombësie dhe kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe pastërtisë që përmban është treguesi i nivelit të kësaj kulture".

                   

 Jonart Hadri, klasa X-4,

 shkolla e mesme “Ernest Koliqi”, Tiranë


Publikim N. Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

462 Lexime
1 javë më parë