Atdhedashuria

“Letër atdheut”, shkruar nga maturanti Jonart Hadri

Teksa shumë të rinj po ikin masivisht nga Shqipëria, maturanti Jonart Hadri i dedikon disa rreshta kuptimplotë atdheut të etërve të tij, si bir i përkorë! Me një fjalor të pasur dhe të ndjerë, kjo mbase është letra më e bukur atdhetare në ditët e sotme.

Fort i shtrenjti atdhe, me shpresë të paepur e dashuri të ngrohtë.

Sot, vendosa të të dua. Po, po! U zgjova me një etje të zjarrtë për të qëndruar edhe një herë në krahët e tu, në atë liman të gjerë paqeje ku dikur çapitesha me hap të ndrojtur. Sapo shqova fijëzën e parë të dritës së vagëlluar përtej horizontit, m'u stis një ndjenjë e ethshme për t'u ndjerë sërish pjesë e jotja, si në kohët kur s'dija ç'ishe... kur s'dije ç'jam. 


Të them të drejtën, e pazakontë nga unë të shpreh se ç'mbaj të fshehur nën tisin e papërshkueshëm të ndjesive shpirtërore, por ti, vetëm ti arrite të çjerrësh këtë mantel për t'u endur mes skutave më të thella të nënvetëdijes sime e për të  zbuluar të përtejshmen, aty ku veten, në fakt, do ta shihje më të vlerësuar e glorifikuar se kurrë, pasi për mua përfaqëson shumë më tepër se vendin ku jetoj. Si do të përkufizohej më qartë kjo dashuri, se sa trupëzimi i solemnitetit që shpërfaq ngjizja e një mozaiku të ri ndjenjash me gjenezë dhembshurinë ndaj teje, një dhembshuri që jep e s'kërkon të marrë?


Sot, Shqipëri, vendosa të të dua. Mendova të zbraz një grusht brengash me shpresën se do të bëhesh det e t`i mërgosh ndër brigje, se do të bëhesh mal e t'i përpish në fund të dheut, se do të bëhesh pyll e t`i përhumbesh në hardhishte shqotash.


Mendova, atdhe, se do të bëheshe një Dedal modern, e me brengat- pendë të ndërtoje flatra të reja ngazëllimi, flatra që do të të prinin drejt të ardhmes. Më kot... Ti heshte, Shqipëri! Ti vazhdon të heshtësh! Ndonëse s'të ndjej e s'të shoh dot, arrij me intuitë kristal të qartë, si biri nënën, të kundroj vuajtjet e të dëgjoj kujën e ofshamtë, që më mplekset si vegim i zymtë para syve. Me zemër të gurtë e të rreshkur prej vuajtjesh, gati-gati thëngjill të shuar, të shoh tek qëndron stoike si shtatore e lashtë, tek poshtërohesh e lartësohesh në një çast të vetëm, tek përhumbesh e nxitimthi rimëkëmbesh si simbol lirie, që ngadalë humb nën gjurmët e tij. 


Arrij të shoh tek gërmon varrin tënd, atdhe. Tek vdes e fle përjetshëm. Si feniksi mistik, të shoh tek rrëzohesh e ringrihesh prej hirit tënd, për t'u venitur e ngjallur sërish, në një cikël të pafund, të përbotshëm e të zhveshur nga koha e hapësira.


Sot, Shqipëri, vendosa të të dua. (Sa të vështirë e kam!). Nëse do të më jepje sikur më të voglin motiv, do të të kisha dashur dyfish, ndonëse më dhimbsesh sa më tepër kështu siç je, me petk të arnuar e pa kurorë mbi krye.


Si Migjeni, "përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë", andaj nëse sadopak ndjen çfarë ndiej unë për ty, përpiqu të hedhësh hapa të vegjël ndryshimi. Përpiqu të shkelmosh fuqishëm këtë sistem të koklavitur, këtë hordhi cerberësh të frikshëm që të kanë mbërthyer e prangosur prej vitesh e që s'të lënë të frymosh lirisht! Përmbys elitën mizore të grykësve e pushtetarëve që po të mbajnë të lidhur nën zinxhirët e robërisë duke vrarë gjenerata! Grushto burokracinë që nën thundrat e saj, mbyt brezat e së ardhmes, atdhe! 


Godite tiraninë me një grahmë të fundit! 


Sot, Shqipëri, vendosa të të dua, sepse nesër, s'do të jem këtu. Sot, ndonëse s'jam patriot e atdhetar, rroka të të prek ty e ëndrrat e tua, të cilat jam i bindur se i tejkalojnë të miat. Sot, për herë të fundit, klitha në agoni duke shpresuar se ti më dëgjon si nëna që pret të mëkojë foshnjën, përkundër gjendjes së mjeruar në të cilën  ndodhesh.


Sot t'u luta me lotët e Marias të më mbash këtu, në gjirin tënd, që vepra ime të mos japë fryt në vend të huaj. Sot mëmëdhe, unë mbylla kapitullin tim për t'ua hapur pasardhësve, trupat e të cilëve, porsa të vijnë në jetë, do të bien mbi dheun tënd të shenjtë e të larë me gjak. Kështu, shpresa për të të parë të shëruar e me kokën lart s'do të ronitet kurrë, sepse ti, çurga e lirisë, ke vërtetuar ndër gjenerata se s'je veç një atdhe, je ideali legjendar mbi të cilin u formësua identiteti i një kombi të tërë heronjsh!


Nuk dua të përsiatem rreth të njëjtit pellg, andaj po të jap përshëndetjen e fundit, atdhe. Duke shpresuar që kjo nuk është një përshëndetje lamtumire, mëtoj të ritakohemi sërish në një ditë ku dhimbja e plogështisë do të kthehet në lotë nostalgjie, atëherë kur dashuria për ty të mos mbetet ndjesi fiktive, por simbol i gjallë i krenarisë që gëlon në vena duke më bekuar me emrin shqiptar. 


E di dhe kam besim të hekurt se do të kthehem, do të kthehem për të të dhënë dorën të ngrihesh nga përroi i dhimbjes, për të të mjekuar plagët e shekujve, për të të kthyer ngadhënjimin që të mbulonte dikur. E di se një ditë do të lartësohesh në lavdinë që të takon, si në kohët e moçme, nga unë e bashkëkohësit e mi. 


Të parin e jo të vetmin përqafim, deri kur të çmallemi sërish... 

Atdheut të etërve të mi, nga biri yt i përkorë!


Tiranë, nëntor 2022


Shkruar nga Jonart Hadri, maturant, shkolla e mesme “Ernest Koliqi’                            

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,225 Lexime
2 muaj më parë