Ndahet nga jeta studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, Prof. Ali Xhiku

Prof. Ali Xhiku u nda nga jeta, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet e letërsisë shqipe. Albas pati privilegjin të bashkëpunonte me të për botimin e veprës "Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe", një studim me vlera të qëndrueshme për arsimin dhe kulturën shqiptare.

Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare pedagogu, studiuesi dhe historiani i njohur i letërsisë shqipe, Prof. Ali Xhiku, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e kritikës dhe historiografisë letrare shqiptare.


Për shumë vite ai dha kontribut në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku ushtroi detyrat e pedagogut, zëvendësdekanit dhe dekanit, duke formuar breza studentësh dhe duke ndikuar në zhvillimin e studimeve letrare në vend.


Veprimtaria e tij shkencore përfshin një sërë veprash të rëndësishme, ndër të cilat: Letërsia shqipe si polifoni, Duke lexuar letërsinë e traditës, Nga romantizmi drejt rrjedhave të realizmit, Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt, Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe, si dhe Faqeve të historiografisë shqiptare, vepër që u vlerësua me çmimin "Autori i librit më të mirë studimor" në Panairin e 28-të të Librit.


Prof. Xhiku drejtoi gjithashtu Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave dhe u shqua për qasjen e tij kritike ndaj historiografisë letrare, duke mbrojtur idenë se historia e letërsisë duhet të mbështetet te tekstet, faktet dhe zhvillimet reale, larg ndikimeve ideologjike.


Shtëpia Botuese Albas pati nderin të bashkëpunonte me Prof. Ali Xhikun për botimin e veprës "Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe", një studim me vlera të veçanta për studentët, studiuesit, mësuesit dhe të gjithë të interesuarit për letërsinë shqipe.



Portali Shkollor shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët dhe komunitetin akademik. Vepra dhe kontributi i Prof. Ali Xhikut do të mbeten një referencë e rëndësishme për studimet e letërsisë shqipe.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

271 Lexime
3 javë më parë