Arsimi në Diasporë

7 Marsi në Romë u festua me hapjen e shkollës shqipe, pjesë e saj edhe "Paketa Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare - Niveli I"

Më 7 Mars në Romë u hap shkolla e gjuhës shqipe "Pranë teje". Shkolla u inaugurua nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla. Fëmijët shqiptar atje do të mësojnë gjuhën e traditat e mëmëdheut përmes "Paketës Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare I”, botuar nga ALBAS dhe Dukagjini.

Në ditën e Festës së Mësuesit është hapur në Romë Shkolla e gjuhës shqipe "Pranë teje". Shkolla u inaugurua nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla e shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në Romë Anila Bitri. 


Në aktivitet morën pjesë dhe deputetët e parlamentit shqiptar Ermonela Felaj e Agron Gjekmarkaj. Shkolla është hapur me kontributin e shoqatës bamirëse shqiptare "Pranë Teje",  e cila kontribuon të ndihmojë familjet e emigrantët shqiptarë në vështirësi si në Itali ashtu dhe në Shqipëri. Të pranishëm në ceremoni ishin nxënës, studentë, të rinj e familje shqiptare që jetojnë në Itali.

Nxënës e studentë recituan poezi të poeteve shqiptarë. Aktualisht në Itali janë ngritur rreth 60 shkolla të gjuhës shqipe e Ambasada shqiptare në Rome kontribuon në furnizimin e tyre me libra mësimorë në gjuhën shqipe, mes të cilëve është edhe "Paketa Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare I”, botuar nga ALBAS. 


Ky botim vjen nga bashkëpunimi i dy shtëpive botuese, ndër më të njohura në trevat shqiptare, ALBAS dhe DUKAGJINI. 


Paketa Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare – Niveli 1 është hartuar në përputhje me Kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë, e cila është miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shqipëri, dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Kosovë. Në këtë paketë do të gjeni: librin e nxënësit, fletoren e punës, fjalor me figura dhe një përmbledhje me pjesë të zgjedhura (Shko dallëndyshe).


Teksti është ndërtuar në tri pjesë, që u korrespondojnë përkatësisht klasave I, II dhe III, të cilat në tekstin e nxënësit/es emërtohen: shkalla 1, shkalla 2, shkalla 3. 


Secila nga këto pjesë ka strukturën e vet, ku është mbajtur parasysh tematika dhe rezultatet e të nxënit për secilën klasë. Në hartimin e tyre është respektuar rritja graduale e shkallës së vështirësisë si në përmbajtje, ashtu edhe në sasinë e materialit.


Postimi i plotë i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla 


“Një koincidencë e bukur: vizita zyrtare në Romë përkon me 7 Marsin dhe çeljen e shkollës shqipe në këtë qytet, me mbështetjen e Shoqatës “Pranë Teje” (Vicino a Te). 


Përgëzime  themeluesit dhe Presidentit të Shoqatës “Pranë Teje”, z. Edmond Ndoj, për këtë nismë, e cila i shton një klasë më shumë rreth 90 shkollave të gjuhës shqipe në Itali.


Përgëzime të rinjve shqiptarë, të rritur e të shkolluar në Itali, për kontributin e tyre në funksionimin e shkollave në gjuhën shqipe.


Identiteti e vlerat kombëtare nuk ruhen e konsolidohen vetëm në mënyrë emocionale, nëpërmjet mallit, dashurisë e nostalgjisë, por edhe në mënyrë racionale, nëpërmjet mësimit dhe ushtrimit të tyre.


Suksese shkollës”. 




Nanila Allkja Biçaku 

 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

853 Lexime
1 vit më parë