Aktivitet letrar në bibliotekën e Korçës, e ftuar shkrimtarja dhe botuesja Rita Petro/ Albas dhuron një përzgjedhje të pasur të botimeve për fëmijë
Në bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë u zhvillua një aktivitet letrar me të pranishëm nxënës të shkollave “Tefta Tashko Koço”, “Sevasti Qiriazi” dhe “Mesonjetorja e Parë Shqipe”, të cilët u takuan nga afër me botuesen e shkrimtaren Rita Petro për të bashkëbiseduar mbi magjinë e librave këto prag festash.
Festat e fundvitit po afrojnë dhe një nga mënyrat më të bukura për t’i pritur ato janë edhe takimet për të bërë udhëtime imagjinare e magjike në botën e librave. Sidomos për lexuesit e vegjël.
Nisur nga kjo, në bibliotekën publike "Thimi Mitko", Korçë, u zhvillua një aktivitet letrar me të pranishëm nxënës e mësues të tri shkollave “Tefta Tashko Koço”, “Sevasti Qiriazi” dhe “Mesonjetorja e Parë Shqipe”, të cilët u takuan nga afër për të bashkëbiseduar mbi rëndësinë dhe magjinë e librave me botuesen e shkrimtaren Rita Petro.
Në këtë aktivitet u ndanë dhe u dhuruan një përzgjedhje e pasur e botimeve të Albas për fëmijë.
Përmes kolanës "Me Quajnë...", fëmijët jo vetëm eksploruan botën e personaliteteve kulturore shqiptare dhe të huaj, por lexuan pjesë nga disa prej personaliteteve shqiptarë, midis tyre edhe sopranoja korçare Tefta Tashko Koço. Mes librave që u njohën fëmijët e që do t’i kenë në duar ishte edhe kolana e Klasikëve Botërore të përkthyera nga origjinali dhe të pasura me ilustrime, historitë e të cilave kanë një ndikim të paimagjinueshëm në letërsinë botërore. Por edhe kolana e letërsisë për fëmijë nga Bedri Dedja botime të reja dhe ribotime. Fëmijët janë të ftuar të zhyten në botën magjike të letërsisë për fëmijë nga Bedri Dedja. Librat e tij sjellin përralla dhe aventura që nxisin shpirtin e imagjinatës tek lexuesit më të vegjël. Nuk munguan edhe pyetjet e pafund që fëmijët i drejtonin gjithë kërshëri autores së ftuar.
“Një ditë magjike në ambientet e Bibliotekës Publike ‘Thimi Mitko’ mbushur me kreativitet, kultivim artistik të dijes dhe kultivimin e identitetit kombëtar. Një festë letrare plot ngjyra, ku fëmijët zbuluan pasionin për librat duke krijuar ekuacione të pashtershme të fantazisë, ndihmuar nga Drejtoresha e Shtëpisë Botuese Albas Rita Petro, e cila i udhëhoqi fëmijët në një udhëtim magjik të fjalës dhe imazhit. Me kërshërinë e tyre për dije, fëmijët shtrinë duart e tyre si shenjë e pafundësisë së pyetjeve. Botuesja me shumë dashuri, i udhëzon ata në udhëtimin e zbulimit të njohurive, duke lejuar çdo pyetje të çojë drejt njohurive të reja dhe aventurave të paeksploruara”, kështu është shprehur për këtë aktivitet drejtoresha e bibiolekës, Jorida Tollkuçi.
“Ishte një aktivitet që më mallëngjeu jashtë mase për ata fëmijë të bukur e të mençur plot etje për të njohur jetën e personaliteteve shqiptare nëpërmjet serisë: ‘Më quajnë’; ata i vlerësonin aq shumë veprat e klasikut për fëmijë Bedri Dedja; secili fëmijë lexoi fragmente nga librat që pëlqente më shumë, bashkëbiseduam aq bukur së bashku për dashurinë ndaj librit. Mjedisi që u krijua në bibliotekë falë drejtoreshës, Jorida Dhembi Tollkuçi, ishte aq i ngrohtë dhe miqësor, por falë edhe mësueseve të mrekullueshme që i nxitnin nxënësit të ishin aq të sinqertë e të lirshëm në pyetjet dhe mendimet që shprehnin”, - ka pohuar kështu botuesja dhe shkrimtarja Rita Petro.
Nxënësit nga shkolla 9-vjeçare “Sevasti Qiriazi” dhe mësuesja e tyre Valbona Janaqi
Nxënësit nga shkolla “Tefta Tashko Koço” me mësueset Juliana Athanas dhe Sofika Papa
Nxënësit nga shkolla 9-vjeçare “Mesonjetorja e Parë Shqipe” dhe mësuesja Edmira Xhengo
Libri “Legjenda dhe vende” e shumë botime të tjera të sipërpërmendura nga Albas do të vihen tashmë në dispozicion për fëmijët e qytetit të Korçës, që mund t’i tërheqin në bibliotekën publike "Thimi Mitko".
Kaltra Tafani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Mbresa nga një festë Abetareje në Kukës
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Dhuna fizike dhe psikologjike në familje, arsyet dhe shkaqet