Aktivitete

Aktivitete në klasë që duhet të dijë çdo mësues i gjuhës angleze

Një sfidë e vazhdueshme për çdo mësimdhënës të gjuhës angleze, qoftë me përvojë apo i/e sapodiplomuar, është t'i mbajë nxënësit të angazhuar dhe një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është përmes aktiviteteve që bëjnë mësimin më argëtues dhe emocionues!

Si mësimdhënës/e, të kesh disa aktivitete 5-minutëshe mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme nëse një mësim përfundon pak më herët sesa pritej. Ne jemi përkujdesur për këtë.



1. Gjeni saktë


Kjo është një lojë e shkëlqyer për t'i bërë nxënësit tuaj të lëvizin. Së pari, duhet të shkruani disa fjalë në letër (shembull folje si vrapoj, kërcej, këndoj etj.). Sigurohuni që shumica e nxënësve t'i njohin ato. Ndajeni klasën në dy ekipe dhe një nxënës nga secili ekip do të zgjedhë një letër dhe do ta interpretojë fjalën. Një ekip merr një pikë për çdo fjalë të hamendësuar saktë, dhe mund të provojnë deri në tri herë për të gjetur fjalën. 



2. Gara me fjalë


Ky aktivitet  zbavitës përdoret për rishikimin e fjalorit. Ja çfarë të bëni:


Ndani klasën në dy skuadra dhe jepini secilit ekip një shënues apo marker me ngjyrë. Vizatoni një vijë në mes të tabelës dhe shkruani një temë në krye (holidays, birthday etj.). Më pas nxënësit, një nga një, duhet të shkruajnë në pjesën e tyre të tabelës sa më shumë fjalë që lidhen me temën. Nxënësi/ja i/e parë do të shkruajë fjalën e parë dhe do t'ia kalojë markerin atij/asaj që vjen në radhë. Një fjalë e saktë merr një pikë. Fjalët e palexueshme ose të shkruara gabim nuk numërohen.


3. Hangman - njeriu i varur


Një nga aktivitetet më të preferuara për nxënësit është Hangman, dhe është shumë i përshtatshëm të përdoret në fillim të orës mësimore për t'i bërë ata aktivë. 


Së pari, mendoni për një fjalë dhe shkruani numrin e shkronjave në tabelë duke përdorur viza për të treguar shumë shkronja që ka. Më pas, kërkojuni nxënësve të sugjerojnë një shkronjë. Nëse shkronja është pjesë e fjalës, shkruajeni në të gjitha hapësirat e sakta. Nëse shkronja nuk ka të bëjë me fjalën, shkruajeni anash dhe filloni të vizatoni imazhin e një njeriu të varur. Ju duhet të vazhdoni lojën derisa nxënësit të qëllojnë fjalën. Por, nëse vizatimi i njeriut mbaron, atëherë nuk ka fitues. 

Burimi: Klikoni këtu


Përgatiti: Era Baliu, gazetare/korrespondente e Portalit Shkollor Albas për Kosovën 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

2,212 Lexime
2 vjet më parë