“Ankthi i një lamtumire” nga Eliverta Balla (Memisha)

“Ankthi i një lamtumire” është shkrimi letrar i mësueses Eliverta Balla (Memisha), me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Shkolla e mesme, Belsh 2008.


Në nxitim e sipër po kërkoja regjistrin e klasës së 11-D. Salla e mësuesve ndodhej në katin e katërt. Më duhej të zbrisja me të shpejtë në katin e parë, ku ndodhej klasa, se nga çasti në çast do fillonte mësimi. Kur nga prapa dëgjoj zërin e shoqes time B:


-Ta mora unë regjistrin, se kam pak punë.  Meqë ti sot bën dorëzimet, ngaqë merr lejen e lindjes besoj nuk të duhet më. 


E habitur disi, ia aprovoj se mund ta mbante.


U nisa drejt klasës me fjalët e koleges B, të cilat m’u ngulitën si shigjeta në vesh. Aty për aty më pushtoi një nostalgji... Dita e parë e paraqitjes në këtë shkollë m’u fanit para syve.


***


Vështroja çdo nxënës dhe çdo kënd. Teksa nisja ëndrrën time, ata më shihnin si mësuesja e re e matematikës. Të dyja palët kishim "frikën" tonë: “Si do të ishte bashkëpunimi?”.


Përgjatë korridorit, që të çonte te drejtoria, më shoqëruan pëshpërima, komente, batuta të nxënësve "shakaxhinj" si:

-Kush është ajo?

-Cila? Ajo e vockla?!! 

-E paska tretur matematika të shkretën! ...

E zhytur në këto mendësime vazhdoja të zbrisja shkallët, ndërkaq në fytyrë m’u përvijua një buzëqeshje, pasi klasa ku po shkoja më kishin pagëzuar me "Miza që tremb dhe mizën".


Kujtimet më çuan akoma më pas, shumë vite më parë, aty në Nivicën time, një fshat malor në Labëri, ku unë u linda dhe u shkollova. Mësuesit e mi ishin njerëz të rrallë, nuk ishin shokët tanë, as përkëdhelësit tanë, përkundrazi qenë dijetarë të mirëfilltë. Qëndrimi autoritar i mësuesit tim të matematikës ishte modeli që unë ndiqja.


Matematika është lënda më thelbësore e jetës, por nuk lë hapësirë për biseda e huazime jashtë teme. Vetëm orën e parë bëra prezantimin tim. Me një zë kumbues, tipik lab, që më karakterizon, u shpreha se këtu është vendi i dijes dhe se të dyja palët s'duhej të harronim qëllimin e ardhjes në këtë vend. U tregova se zbatoja me rigorozitet rregullat e parimet dhe ashtu i kërkoja edhe prej tyre. Nga gjuha e trupit, një numër i vogël nxënësish më lanë të kuptoja se nuk ua mbushja syrin për aq e "fortë", ndoshta u binte ndesh shtati me fuqinë e fjalës. 


Vitet rodhën... 

Vijoja me qëndrimin tim të palëkundur në raport me nxënësit, secili në vendin e vet, pa shkelur të drejtat e tjetrit. Shpesh shoqërohesha me shikime inatçore, sidomos nga ata që dikur mbanin vetëm një fletore në xhepin e pantallonave, kurse tashmë u duhej të vinin me detyra shtëpie.


S’mora prej asnjërit qoftë edhe një fjalë të vetme ofenduese. I vlerësoja dhe i kisha të veçantët e jetës!


***


E zhytur në këto kujtime u gjenda në katin e parë, me një frymëarrje të shpeshtë nga gjendja e shtatzanisë. Isha në muajin e nëntë, në pritjen e tim biri dhe ajo ishte dita e fundit  në shkollë.

Dëgjova disa zëra. Te dera e klasës qëndronte "J" kapadaiu me xhaketën e hedhur në njërin sup, një djalë me një edukatë dhe sjellje shembullore, por këtë vit kishte një rënie në mësime për arsye që mua s’më dukeshin të drejta, prandaj nuk kishte ditë që të mos e ngrija në tabelë dhe të mos e kritikoja për gjendjen e tij.


Më habiti qëndrimi i tij dhe i bëra shenjë të hynte në klasë, por ai s’hyri. Atëherë, me një zë të një toni më të fortë i kërkova të hynte brenda, por ma ktheu me një përgjigje disi të tensionuar:


-Nuk kam për të hyrë më në këtë klasë. 

-Pse? – pyeta. 

-Dua të të prish mësimin ty. 

-Nuk qenke mirë sot. Pa më thuaj çfarë ke?


Ndjeva një skuqje në fytyrë, mendova se mos kishte ndonjë tendencë për një veprim të gabuar prej adoleshenti. Ashtu si e frikësuar, e vura dorën te barku, afër bebit, dhe i fola sërish:


-Futu në klasë "J" dhe më thuaj çfarë të shqetëson. 

-Ti më ke shqetësuar, se ma ke nxirë çdo ditë të mësimit duke më ngritur në tabelë. 

Aty për aty u ndjeva si të më binte tavani mbi kokë. Irritimi i një nxënësi aq të mirë, përgjigjja e tij ofenduese më turbulluan. 


-Paskam dështuar – mendova me vete – kisha pandehur se ndiqja modelin e mësuesit shembull dhe korrekt, por ja se çfarë kam bërë me rreptësinë time. 


U ndjeva tejet e lënduar, por m’u desh ta mblidhja veten shpejt. 

- Më prit këtu, bashkë duhet te flasim shtruar... – ia ktheva. 

-Ja! Hyr në klasë dhe shiko! – m’u drejtua. 


Futem në klasë dhe ç’të shoh! Të gjithë nxënësit në këmbë, disa qëndronin ulur mbi banka, asnjë nga nxënësit shembullorë s’kishte libër, Nxënësi "N" ishte djali më me sedër i klasës. Me fshesën në dorë po fshinte dhe fërshëllente njëkohësisht. Më dukej vetja si e padukshme. Njëra nga vajzat më tregoi me gisht dërrasën, në të cilën shkruhej:


"Jemi të lumtur që po ikën!” 


S’e di si arrita te katedra. Në fytyrë ruaja një buzëqeshje, në mënyrë që të fshihja ulërimën e brendshme shpirtërore të një shpirti të zhgënjyer nga vetja. E mora për pak sekonda fjalën, duke u kërkuar qetësi me tonin tim kumbues, por me një zë drithërues. Ata vështruan njëri-tjetrin, qëndruan në këmbë dhe në çast nisën të vinin me radhë te tavolina ime duke më lënë secili nga një letër të vogël, në të cilat shkruhej:

 

“Që në fillim na trembi zëri yt”

“S’të kemi dashur asnjëherë”

“Je e rreptë”

“Di vetëm mësim dhe asgjë tjetër”

“Mezi pritëm të ikësh”…


Me sportivitet, disi të shtirur në fakt, po i lexoja letrat me radhë, teksa në mendje rendisja fjalët e lamtumirës si mësuese. Mendoja se kisha gjetur çelësin e suksesit duke qëndruar strikte.


Në çast, hodha një vështrim nga fundi i klasës, e ç’të shihja! Në një banderolë të madhe lexoj:

"Ti je mësuesja më e mirë në botë!”

“Gjithçka ishte një lojë”

Lotët më shpërthyen rrëke, teksa më përqafuan të gjithë duke qarë. "J" më afrohet dhe në përqafim më thotë: 

-Më fal për fjalët në korridor mësuese! Ti s’i meriton kurrë!


Po qaja me dënesë. Ishin emocionet më të bukura që kisha kaluar në jetë. Më pas, iu drejtova me këto fjalë: 

-Ju falënderoj për këtë emocion që jo të gjithë e kanë fatin ta përjetojnë. Përveçse më dhatë vlerësim maksimal, më bëtë të qaj. Frikësuat një labe të vogël. Në fakt, më bëtë edhe të kuptoj, se nuk duhet t’ju kontrolloj çdo ditë detyrat. Ja që fituat pak tolerancë!... 


Ai brez nxënësish qenë për t’u admiruar. Sot të gjithë janë njerëz të denjë për shoqërinë dhe ndjehem tepër krenare për ta. 


Shiritat e letrave të asaj surprize i ruaj ende në sirtarin tim. 

Më lejoni  t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë nxënësit e klasës D dhe të katër paralelet e tjera të maturës 2009-2010

Faleminderit!




Eliverta Balla (Memisha)

Ka lindur në Nivicë-Tepelenë më 1981. Ka kryer studimet e larta në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" Elbasan në degën Matematikë - Fizikë. I pëlqen të lexojë dhe të shkruajë, por ky pasion vjen pas “mbretëreshës” Matematikë. Ajo sipas saj ndau me ne një nga momentet më të bukura në udhëtimin e saj si mësimdhënëse. Fragmenti i mësipërm sjell emocione që përcjellin përjetime të paharrueshme, që vlejnë jo vetëm për përditshmërinë e çdo mësimdhënësi, por edhe të çdo natyre njerëzore, ku në thelb qëndron pjekuria intelektuale dhe krijimi i personalitetit të njeriut.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,072 Lexime
6 muaj më parë