Recension

Artemisa Bushi: T’i rikthehesh rileximit të një libri... qëllimisht

E kam zakon, u rikthehem përherë librave. I shfletoj dhe ndaloj në frazat që kam shënuar. Prej kohësh tanimë në bibliotekën time është edhe romani më i fundit “Lindur së prapthi”, i shkrimtares Rita Petro, me një autograf të gjatë, i dyfishtë...

E kam zakon, u rikthehem përherë librave. I shfletoj dhe ndaloj në frazat që kam shënuar. 


Prej kohësh tanimë në bibliotekën time është edhe romani më i fundit “Lindur së prapthi”, i shkrimtares Rita Petro, me një autograf të gjatë, i dyfishtë.


Të jem e sinqertë, sa herë i kam lexuar vargjet e saj, u jam rikthyer qëllimisht dhe përherë kam menduar: “Ç’guxim?! Janë të gjitha ato mendimet tona, që i ndrydhim brenda vetes!”. Më pas, pasi e njoha edhe më, kuptova se ky guxim e shoqëronte në çdo fushë e sfidë ku ka zgjedhur të jetë pjesë.


Nuk po hezitoj të shkruaj pak fjalë për këtë botim, pasi vjen për herë të parë me zhanrin e romanit. 


1. Vështroj kopertinën: një konceptim ndryshe, intrigues, në dukje si një imazh që kërkon të deshifrojë titullin. E, në fakt, është pika e parë ngacmuese që të grish kureshtjen për ta shfletuar e lexuar...


2. Rrëfimi në vetën e parë të krijon përshtypjen se është një roman autobiografik. Por, faqe pas faqeje, kuptoj se kjo mënyrë të rrëfyeri (ndoshta?) është një zgjedhje e shkrimtares. Sepse nuk janë thjesht elemente autobiografike. Është një gjetje për ta bërë romanin më gjithëpërfshirës. Të gjithë e gjejmë veten në të. Teksti i nënkuptuar më ndihmon të kuptoj se janë ndodhi, gjendje, situata që çdonjërës prej nesh, apo çdokujt, mund t’i kenë ndodhur. Duke i dhënë romanit kështu nota universale. Ajo që më bind më shumë është se nuk kuptoj kurrkund se ku zhvillohen ngjarjet (pra, mund të kenë ndodhur kudo). 


3. Ngjarjet zhvillohen në një periudhë apo në një kufi kohor të përcaktuar, kur narratorja është fëmijë e deri në rininë e parë të saj. Luhet me krijimin e paraleleve, shënjestrave, sikurse është rasti i “gishtit të gjyshes dhe ai i mamit që tregojnë lart, por njëra për Zotin e tjetra, se fqinjët që banonin një kat më lart, ishin të Sigurimit. Dhe ka mjaft të tilla... Rrëmbeva mes faqeve një panoramë të regjimit të mëparshëm. Kam lexuar shumë subjekte të autorëve shqiptarë që na e kanë rrëfyer këtë kohë, por ky vështrim është ndryshe. Shkrimtarja ka parë imët mes mjaft ngjarjeve, ato që ndoshta dikush nga ne as që i ka vënë re, dhe i ka rrëfyer po mjaft imët, ndërthurur (pse jo?) edhe me elemente erotike, emocione dhe ndjesi që na përkasin të gjithëve, por jo çdokush guxon t’i rrëfejë me artin e fjalës. 


Në fund të romanit pyes veten: Pse ky titull, “Lindur së prapthi”, sepse guxon të rrëfejë ndryshe? Apo sepse është mendjehapur? 


Patjetër sepse guxon të luajë bindshëm me fjalën, me metaforën, me emocionin çarmatosës, intrigues, ngacmues. Dhe gjithçka në funksion për të rrëfyer të VËRTETËN! Atë të vërtetë, që teksa e lexojmë, themi: “Po, më kujtohet!”.


Derisa unë dhe jam e bindur se edhe mjaft lexues, e kemi gjetur sadopak veten në faqet e këtij libri, atëherë “misioni i shkrimtarit” është kryer.


Unë e shijova romanin në çdo frazë të tij, TËRËSISHT!



Nga Artemisa Bushi 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

747 Lexime
10 muaj më parë