arti terapeutik për fëmijë

Arti nuk u paguan fëmijëve të ardhmen, por zhvillimin e shëndetshëm

Shifrat e ulta të artit dhe kulturës në Shqipëri nuk janë rezultat i ardhur vetëm nga kalimi i Pandemisë, por edhe nga mendësia e njerëzve nga zhvlerësimi i artit. Por arti i paguan fëmijët me zhvillim të shëndetshëm: gjuhësor, motorik, kreativ.

“Arti nuk paguan. Arti nuk vlerësohet. Arti është karrierë e dobët, zgjidh diçka tjetër.”


Sa ushqehen fëmijët me art? 


Në hapat e parë edukues, fëmijës i prezantohen bojërat dhe fletët, një ftesë drejt argëtimit dhe të bukurës. Arti prezantohet si terapi dhe mësim në të njëjtën kohë. Në fund, falë zgjedhjes dhe prirjeve artistike, fëmija nis të kuptojë nëse dëshiron ta kultivojë artin si pjesë të vazhdueshme të jetës së tij. Prindërit janë edukatorët e parë, të cilët i orientojnë të zhvillojnë potencialin e tyre, duke financuar edhe me kurse private, përveç shkollës. Fëmija nuk e njeh botën e biznesit. Kur rrethi i ngushtë fillon të krijojë idenë se “arti nuk paguan” ose “arti nuk është karrierë e mirëfilltë”, fëmijët të cilët ka ngritur ëndrra, mund të ndrydhen. 


Disa prindër dhe familjarë të pyetur për Portalin Shkollor, u shprehën kështu:


“Si gjyshe, kam vendosur që nipi im të ndjekë kurs pikture pas shkolle, sepse përpiqem ta ruaj nga shoqëria e gabuar. Kështu e kam mendjen të mbledhur se ku ndodhet. Nuk e shikoj pikturën si profesion. Më mirë një avokat, mësues, ose mjek. Arti nuk siguron lek…” – T.H


“E kam regjistruar vajzën në kërcim dhe pikturë në një studio private, pasi fëmija im ka karakter të mbyllur dhe nuk socializohet. Po shpresoj që arti të ndikojë si terapi që vajza t’i shfaqë më haptas emocionet… do më pëlqente të bëhej artiste, por kur mendoj një mijë e një mangësitë që ka vendi ynë, e di që do ketë vështirësi.” – D.M


“E kam sjellë fëmijën në kurs pikture që të praktikohet. Dua ta bëj arkitekt, sepse e shoh si profesion të qëndrueshëm me pagë të mirë. Artistët janë të papunë, kam miq plot…”- A.GJ 


Statistikat e INSTAT tregojnë:


Në vitin akademik 2020-21, në fushat e studimit të lidhura me kulturën janë regjistruar 17.954 studentë, të cilët përbëjnë 14,5 % të totalit të regjistrimeve për këtë vit akademik, duke shënuar një rënie me 0,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar. Këto fusha janë preferuar më shumë nga femrat, përkatësisht 15,9 % femra dhe 12,4 % meshkuj ndaj totalit të regjistrimeve. 

Shifrat e ulta të artit dhe kulturës në Shqipëri nuk janë rezultat i ardhur vetëm nga kalimi i Pandemisë, por edhe nga mendësia e njerëzve nga zhvlerësimi i artit. Arti i paguan fëmijët me zhvillim të shëndetshëm: gjuhësor, motorik, kreativ. 


“Në 10 prindër, vetëm 3 kanë synimin që ta bëjnë fëmijën artist. Më pëlqen kur i sjellin fëmijët për t’i njohur me artin, për të mos i lënë vetëm rrugëve, apo për të shprehur emocionet dhe për tu argëtuar. Të shumtë janë prindërit që më pyesin ‘A ja vlen arti?’, ose ‘e kam fëmijën të talentuar, a mendon se ia vlen të bëhet artist?’. Kam një vit që jam diplomuar nga fakulteti, dhe numri i pakët i studentëve bën që disa lëndë të mos hapen. Disa nga miqtë e mi janë të papunë, por mendoj se në çdo fushë ka të diplomuar që janë të papunësuar, por kjo nuk duhet t’i frikësojë prindërit. Fëmijët duhet të edukohen për dobitë e terapeutike.”- u shpreh XH. J studente e diplomuar në arte.


Llojet e artit terapeutik për fëmijë:


Terapia muzikore - një terapi efektive që ndihmon në përmirësimin e shëndetit të fëmijës. Mësuesja zgjedh meloditë dhe tingujt e duhur, me ndihmën e të cilave mund të ndikoni pozitivisht në gjendjen psiko-emocionale të fëmijës. 


Terapia e leximit - mjeti kryesor është një vepër letrare. Romanet, përrallat dhe tregimet mund të përdoren si burime letrare. Terapia e leximit ndihmon për të kapërcyer problemet psikologjike, duke përfshirë drojën, pasigurinë.


Terapia e vizatimit- përmirëson koordinimin motorik dhe të menduarit imagjinativ. Fëmija njihet me modelimin, vizatimin, aplikimin. Kreativiteti e ndihmon një fëmijë të hapet gjatë argëtimit, të përmirësojë koordinimin motorik dhe të menduarit imagjinativ. 


Kineziterapia - terapi moderne, e cila përfshin terapi kërcimi. Në këtë rast, fëmija lëviz si të dojë, pa ia nënshtruar të gjitha veprimeve nga mësuesi. Kërcimi i ndihmon fëmijët të largojnë energjinë negative dhe të marrin emocione pozitive.


"E gjithë njohuria jonë e ka origjinën në perceptimet tona." – Leonardo da Vinçi.


Burime: Prindër, familjarë dhe student të pyetur për Portalin shkollor.

https://www.safesearchkids.com/art-therapy-for-children/#.Ylkf-y8RpBx 


Përgatiti: Xhoana Jaku

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,424 Lexime
2 vjet më parë