Krijim

"Bukuria e vjeshtës", nga nxënësja Berinika Arsllani

Kohën e lirë ajo e kalon duke pikturuar apo duke shkruar poezi dhe jo vetëm poezi. Berinika Arsllani vjen me një shkrim të radhës teksa thur rreshta për bukurinë dhe ndjesinë që i jep vjeshta. Berinika mëson në shkollën e mesme të mjekësisë “Gostivar" dhe është nxënëse e vitit të katër.

Të gjithë njerëzit i përjetojnë katër stinët e bukura dhe të gjithë kemi një të preferuar.

Gjithmonë më kanë pyetur dhe ende më pyesin se cila është stina ime e preferuar?


Patjetër që vjeshta do them...

Vjeshta në qytetin tim është shumë bukur, ose ndoshta qyteti është më i bukur në vjeshtë, nuk e di, por gjithsesi është i bukur. 

Gjethet në park, një qilim i verdhë i thurur nga duart e shkujdesura të esencës, apo ajo ndjenja e bukur kur i sheh fëmijët duke lozur në parkun e qytetit, kur i gëzohen diellit, i cili pak nga pak fshihet pas reve.

Vjeshta me bukurinë e saj më kënaq zemrën, të kesh dëshirë të dalësh dhe të qëndrosh tërë kohën jashtë, të shkelësh mbi ato gjethe shumëngjyrëshe, të motivon të shkruash më tepër, të motivon të pikturosh pikërisht atë stinë të mrekullueshme.


Është mahnitëse apo jo?!

Dhe pikërisht kjo është ajo që dua të them, sepse në këtë stinë edhe retë janë me të bukura, e sidomos ajo melodia kur bie shi, ngjyra që merr qyteti në atë stinë, me të vërtetë është fantastike.

Vjeshta në qytetin tim të bën të ndihesh sikur po jeton në një përrallë, në një botë ku mbretëron vjeshta, plot fantazi dhe peizazhe të bukura. Në qytetin tim ka një natyrë të bukur e cila në vjeshtë ka nuanca të ngjyrës së verdhë-artë. Dhe çaji ka një shije të veçantë, dhe libri ka një magji të veçantë.


Kjo është vjeshta ime.

Rrugët janë të qeta, shumë të qeta dhe vetëm herë pas here një pikë shiu bie në dritare. Vjeshta mund të ketë të metat e saj, por unë ndalem te bukuritë e të cilave ka shumë.

 Vjeshta në qytetin tim më bën të ndjej aromën më të ëmbël që kërcen në erë, të ndjej ëmbëlsinë e kungujve dhe shushurimën e gjetheve të thata...



Nga Berinika Arsllani 


© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,114 Lexime
2 vjet më parë