KRAHASIMI

Cili është dallimi midis klasave përgatitore dhe parashkollorit?

Klasat përgatitore funksionojnë në shkollat e arsimit bazë dhe frekuentohen nga fëmijë 5 vjeç që nuk kanë ndjekur më parë arsimin parashkollor. Ky është dallimi midis grupeve të treta të kopshtit dhe klasave përgatitore.

“Përgatitor” apo “parashkollor”… !! 

E dëgjojmë shpesh nga prindërit të thonë “E kam fëmijën në klasë parashkollore” duke nënkuptuar që e kanë të regjistruar në shkollë në një klasë përgatitore. Ndodh jo rrallë herë që këto terma “parashkollor” dhe “përgatitor” ngatërrohen mes tyre. 


Sistemi Arsimor Parauniversitar (SAPU) përfshin tri nivele arsimi: arsimin parashkollor, arsimin bazë (fillor & i mesëm i ulët) dhe arsimin e mesëm. Kopshtet janë institucione arsimore, pjesë e sistemit arsimor parauniversitar dhe përfaqësojnë nivelin me kodin 0. 


Arsimi parashkollor ofrohet në kopshte dhe në klasa përgatitore që frekuentohen nga fëmijë të moshave 3 deri 6 vjeç dhe nuk është i detyruar. Të gjithë fëmijët që ndjekin sistemin arsimor parashkollor , qofshin në kopshte apo klasa përgatitore, cilësohen si “parashkollor”.   


Dallimi mes fëmijëve në kopshte dhe fëmijëve në klasat përgatitore pranë shkollave 9-vjecare, qëndron në kriterin e regjistrimit në këto institucione.


Kopshtet funksionojnë me tre grupe (mjediset fizike ku zhvillohet veprimtaria mësimore educative në kopshte quhen “grupe”) dhe fëmijët në grupe, regjistrohen sipas grupmoshave, përkatësisht: grupi i parë (3-4 vjeç); grupi i dytë (4-5 vjeç) dhe grupi i tretë (5-6 vjeç).


Klasat përgatitore funksionojnë në shkollat e arsimit bazë dhe frekuentohen nga fëmijë 5 vjeç që nuk kanë ndjekur më parë arsimin parashkollor dhe është pikërisht ky kriteri që dallon grupet e treta të kopshteve nga klasa përgatitore sepse të dyja frekuentohen nga fëmijë të moshës 5-6 vjeçare, por në klasat përgatitore duhet të regjistrohen fëmijë 5 vjeçarë që nuk kanë ndjekur kopshtin. 


Ndjekja e kopshtit nuk është e detyrueshme dhe për arsye nga më të ndryshmet rezulton që fëmijë nga kjo grupmoshë nuk e kanë frekuentuar kopshtin dhe nuk janë pajisur me aftësitë, njohuritë, shkathtësitë, vlerat dhe qëndrimet që dikton kurrikula e re dhe që i përgatit ato për të filluar klasën e parë, psh: fëmijë që vijnë nga emigrimi, fëmijë që kanë banuar në zona rurale ku nuk kanë pasur mundësi të ndjekin kopshtin, fëmijë më probleme shëndetësore që nuk kanë frekuentuar në vijimësi apo rregullisht grupin e 1 apo të 2 të kopshtit, fëmijë që për zgjedhje apo me dëshirë të prindërve apo kujdestarëve të tyre nuk janë dërguar në kopësht por janë mbajtur në shtëpi …etj .  


Pikërisht për këto arsye u hapën klasat përgatitore pranë shkollave dhe kanë sipas legjislacionit në fuqi këtë kriter regjistrimi “ fëmijë 5 vjeçarë që nuk kanë ndjekur më parë arsimin parashkollor sepse për fëmijët që kanë ndjekur kopshtin janë në dispozicion grupet e treta të kopshteve përkatës ku fëmija ka ndjekur grupin e 1 dhe të 2. 


Për hir të së vërtetës jo gjithmonë respektohet ky kriter dhe është kthyer në një shqetësim për mësueset e kopshteve largimi i fëmijëve nga grupi i tretë i kopshtit drejt klasave përgatitore.  Prindërit shikojnë me më prioritet klasat përgatitore duke menduar se meqenëse janë atashuar pranë shkollave janë më të predispozuar për t'i ndihmuar fëmijët të kalojnë më të përgatitur dhe më me lehtësi në klasën e parë. 


Me kurrikulën e re, progami i parashkollorit për moshën 5-6 vjecare është i njëjtë. Pra, grupet e 3-ta të kopshteve dhe klasat përgatitore punojnë me të njëjtin progam mësimor dhe ndryshimi i vetëm mbetet mjedisi fizik ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre, pra grupet e 3-ta janë atashuar pranë kopshteve, ndërsa klasat përgatitore pranë shkollave.  



(Portali Shkollor)

12,730 Lexime
4 vjet më parë