FITUESI

Çmimet e letërsisë, Luan Topçiu triumfon me përkthimin e librit “Shtëpia me brisqe rroje”, botuar nga ALBAS

Çmimi Kombëtar për Përkthimin më të mirë për vitin 2018 i është dhënë Luan Topçiut, për librin “Shtëpia me brisqe rroje”, botim i ALBAS, me motivacionin për përkthimet e arrira artistikisht, që kanë pasuruar letrat dhe botën e librave.

Në ndarjen e çmimeve të letërsisë për vitin 2018, Luan Topçiu është vlerësuar me çmimin për përkthimin më të mirë me librin “Linda Maria Baros – “Shtëpia me brisqe rroje”, botuar nga shtëpia botuese ALBAS. 


Topçiut iu dha ky çmim me motivacionin për përkthimet e arrira artistikisht, me gjuhë të begatë e frymë, për veprat e përzgjedhura që kanë pasuruar letrat ndërsjelltazi, botën e librave me libra nga bota. 


Dy botime të shtëpisë botuese ALBAS, “Kukuta e Sokratit”, e Sabri Hamitit, dhe “Shtëpia me brisqe rroje”, sjellë në shqip nga Luan Topçiu, ishin kandidate përkatësisht për vëllimin më të mirë poetik dhe për përkthimin më të mirë. Mes çmimeve, “Shtëpia me brisqe rroje” u shpall përkthimi më i mirë për vitin 2018.

Certifikata e vlerësimit për Luan Topçiu 

"Libri me poezi 'Shtëpia me brisqe rroje' i poetes rumuno-franceze Linda Maria Baros, e nderuar me çmimin Guillaume Apollinaire në Paris, 2007, ngjason me një ndërtesë metaforike të sigurisë së lartë, një godinë e fortifikuar përmes muresh prej imazhesh, figurash stilistike, meditimesh etj. Është ndër librat e rrallë, ku teksti nuk fillon dhe nuk mbaron duke lëçitur vetëm një poezi të vetme, por kur lexon të gjithë vëllimin, sepse ai funksionon si metatekst, ashtu siç nuk mund të quhet e plotë një vizitë në një shtëpi në qoftë se nuk e shikon të tërën", ka thënë përkthyesi Luan Topçiu, i cili është ndjerë tepër i vlerësuar me marrjen e çmimit si përkthyesi më i mirë për vitin 2018, i akorduar nga Ministria e Kulturës. Një intervistë më të plotë me Z.Topçiu do të keni mundësi ta lexoni nesër në Portalin Shkollor. 



Lista e të gjithë fituesve të Letërsisë për vitin 2018


Çmimi i Letërsisë për fëmijë 2018

Mimoza Hafizi me librin “Pika trëndafili”


Tregimi më i mirë 2018

Roland Gjoza me “Për vajzat nga Parisi”


Përkthimi më i mirë 2018

Luan Topçiu me “Shtëpia me brisqe rroje”


Vëllimi poetik më i mirë 2018

Havzi Nela me “Vepra poetike e plotë”


Çmimi “Eseistikë”

Ismail Kadare me “Kur sunduesit grinden”


Romani më i mirë 2018

Enkel Demi (Tom Kuka) me “Gurët e Vetmisë”



(Portali Shkollor) 

2,113 Lexime
4 vjet më parë