Ese

Dashuria që kam për atdheun, më vjen nga dashuria që kam për prindërit!

Një ese e veçantë dhe shumë domethënëse shkruar nga nxënësja Anrida Lopçi kushtuar vlerës së dashurisë për atdheun e cila sipas saj krijohet dhe ushqehet nga dashuria për prindërit. E veçanta e kësaj eseje është gjithashtu edhe fakti se ajo është shkruar në dialektin gegë.

Askush s'e di nga kush lind dhe ku lind. Çapat e parë kendon tinguj, e ndër tinguj sytë gugasin shikimet për gjithçka që të rrethon. Rrethi asht dritëgjanë, sepse shumëgjaja i takon gjakut. Vërshon kristal ndër vena, bash si katarakti kur i ngufojnë mushkëritë me orteqe shtriguele borë. Njashtu avashlleku i rritjes ta shtrëngon doren fort. E në këtë shtrëngim janë prindërit jo të rastësishëm, siç mund të jetë një shok, një mik, i cili hyn e del tek dera e jetës sa herë ernat e shkapesin tek ti. Andaj të jepet mundësia m'i pasë pranishëm, përzemër në tavolinë me gotën e ujit para, shtruem sofrabesi nga duert e asaj, ka zhgulë shpirtin me muej tanë tue dhanë gji.  Bashkëfolës, përshtatje me tekat e moshës, në rrugë...kasavet mikëqyrjes e në bibliotekë përkushtim i dijes. 


Janë téshë e çmueshme. Varen pa pikë-peshe në kapilarët zemër dhe s'ke dëshirë askush me t'i cikë, sepse s'kanë çmim. Gjithkund ulen ato. Edhe aty kur kujton se mund t'ia dalësh vetë sipas numrit kundres katërdhetë. 


S'harrojnë kurrë, se ndër duert e fjalës, tek jesteku i frymes kanë krijesen pasuni edhe atëherë kur sakrifica asht e tejskajshme. 

A e dini si e mbyllin diten?

Po ua diftoj, unë...me një puthje në ballë, apo një lujtje syni. E kjo ban, mu shtri bri tyne tue u shkri gazit...mu krenue se kujt i përkas, çfarë gjuhe flas, në çfarë toke ngihem me frymë. 

"Dashnia thojnë, se vjen nga stomaku!"

Kurse, unë them:

"Dashnia për atdheun vjen nga prindërit!"


Krejt asht bota tyne e thjeshtë. Prehesh tek prehni  lodhje dite, vetem kur shikon se në çdo injiktim mbet leximi i përralles, temë e ditës këshilla, për atë pasqyrë ku shef vedin, (edukata, respekti, dinjiteti), ndaj çdogjaje, ndaj çdokujt, ndaj edhe kësaj toke me damarë shkëmborë, relikë e të kaluemes, me kamb në tokë e tashmja tue e pá në dritë të synit të ardhmen. 


E kështu kupton se ku ke lindë.  Mos mohimi dhe pohimi ndaj damarëve tokë, ku asht shkapet kryet, asht diplomaci në vedi. Asht diçka intriguese, nuhatje e thellë që të lenë shije të hollë në buzë, sa përshkon çdo qelizë...e në fund të fundit ndihesh mirë me vedi dhe me ato, të cilët flasin një gjuhë krejt ndryshe nga ti, por me qiell të përbashkët. 


Pse jo, e meritojmë edhe me shitë pak mendtë. 

Çfarë kanë ato më shumë? ...sa herë ma përsëritë baba, pyetjen. 

Me të thanë të drejten s'përgjigjem. Por, tek tik-taku i trunit, them asgja. 

Askënd s'mund të fajësoj. 

Si mundem të fajësoj prindërit?...më thoni! 

Flasin lehtë, mos m'i ndie kojshia, za të urtë për gjithkendin dhe me sy kajherë të përlotun  për mrekullitë natyrore.

Si mundem të fajësoj gjyshërit? 

Tregojnë në ato netët tepër të gjata dimërore, me kshtenja përpara, për artin, kulturen, njeriun zotni, shtëpitë me avulli të nalta tanë luleborë edhe për Zotin, mirësi mes shumë dashnive. 

Si mundem të fajësoj stërgjyshërit? 

Kanë negativat tek fototeka Marubi. Më ban përshtypje veshja aristokrate...kapoten gup,  kapelen repuplika e shoqëron bastuni. Modelet e kostumeve, takave dhe çorapet nejlon kurrizë peshku nga revistat italiane. 


Ça mos m'i dasht Atdheun! 

"Fatet na kanë zgjedhun, ne arritme m'i sajue me gojë të mbyllun!"

Dëgjesë nga nanëbabia, kur bubrronte meshën ndër dhambë mes atyne darkave vetem me një çorbë e bukë të rreshkun mirë. 

Edhe atdheun s'mundem ta  fajësoj, sepse ndër mote bedenave të brishta janë ndërtue kalatë, futje gjiithfarë sorollop gurësh...veç me vjedhë, pa u ngî kurrë. 

A thu më ra përhise, sot, 16-vjeçare, ta shfletoj historinë e ti...apo ta denoj politiken...apo duhet pyet Europa? 


Ecin në të njejten rrugë prindërit e  atdheu. Pa prindër s'do të kisha atdhe, e pa atdhe s'do të kisha indentitet, gjuhë, mëmësi.

Lum kush e vjerrë në gjoks kryqin e atdheut kurdoherë, kur varka me vela-liqe e degtisë...e në krahun pulëbardhë fluturon bashkë me strajcen mbush germa të arta. 

"Udha e mbarë se erdh prandvera, 

shko dallëndyshe tue fluturue, 

prej Misirit në dhena të tjera, 

fusha male tue këndue. 

Në Shqypni shko pra fluturim, 

shko në Shkodër në qytetin tim!"

Mos harro, merr një cop atdhe në valixhe...ta xen, ta xen! 



Nga Anrida Lopçi, nxënëse e vitit të tretë në shkollën e mesme “Oso Kuka” në qytetin e Shkodrës


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,862 Lexime
2 vjet më parë