Mesazhe nga mësuesit

Dita Ndërkombëtare e Arsimit, mësues shqiptarë nga vendi dhe Diaspora përcjellin mesazhet e tyre

Në Ditën Ndërkombëtare të edukimit, mësimdhënësit theksojnë se dija është fuqia që na bashkon. Ne kemi shkëputur disa mesazhe të sinqerta dhe frymëzuese të mësueseve shqiptare nga vendi dhe Diaspora me rastin e kësaj dite.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit mësues shqiptarë nga vendi dhe diaspora kanë një mesazh të rëndësishëm për të ndarë. Janë katër mësueset Aleksandra Janaqi, mësuese në shkollën “Sami Frashëri”, Tiranë, Albana Hasku, “Shqiponjat e Mëndafshta”, Itali, Refie Braho, after school “New Age” dhe Melita Orešković mësuese e Gjuhës Shqipe në Kroaci. 



Aleksandra Janaqi, Tiranë: “Figura e mësuesit duhet të shihet dhe vlerësohet në të gjitha kohët, sepse në të gjitha kohët arsimi ka peshën më të madhe në formësimin e një shoqërie, kultivimin e vlerave më të larta të saj. Dy janë gjërat që duhet të kihen parasysh në edukimin e brezave: të mos tregojmë ashpërsi të tepruar por nga ana tjetër edhe mos të tregojmë një liri të tepruar”. 


Refie Braho, Tiranë: "Edhe dje, edhe sot, edhe mot, pa marrë kufij kohorë, figura e mësuesit është dhe duhet të jetë një nga figurat më kryesore në edukimin e brezave. Sepse duke qenë mësuesi një model, ai do të prodhojë vetë modele. Ndërkohë u bëj thirrje të gjithë prindërve të bashkëpunojnë fort me mësuesit e fëmijëve”.


Albana Hasku, Itali: “Figura e mësuesit ka qenë dhe mbetet themelore, pasi ka të bëjë drejtpërdrejtë me edukimin arsimor të nxënësit. Prindi mbetet çelësi i suksesit të mësuesit. Doja të sillja në vëmendje një thënie të mësuesit të shquar e albanologut Eqerem Çabej që thekson ‘Gjuha është një thesar për një komb dhe për kombin shqiptar gjuha shqipe padyshim është thesari më i çmuar’. Ndaj i ftoj të gjithë prindërit që jetojnë në Diasporë që t’i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, që ata ta mësojnë gjuhën e tyre amtare”. 


Melita Orešković, Kroaci: “Mësuesi i sotëm është në stres. Ai ndodhet nën presionin e fëmijëve, të prindërve, nën presionin e shkollës e institucioneve. Prandaj ai duhet të vlerësohet më shumë. Ne mësuesit e Diasporës kemi edhe një obligim më shumë. Ne duhet të punojmë gjatë gjithë vitit edhe në periudhën e pushimeve verore për të ruajtur dhe trashëguar gjuhën tonë shqipe. Shpresojmë që në të ardhmen, vlerësimi i profesionit të mësuesit dhe i figurës së tij, si dhe arsimi në përgjithësi, të shihet më me prioritet nga politikbërësit”. 


Ndiqni më poshtë intervistën e plotë në kanalin tonë të YouTube-it  

Falënderojmë të gjithë mësuesit/et për përkushtimin dhe punën e palodhur në arsimim dhe edukim! 

Bëhuni pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët drejt një arsimi cilësor.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,009 Lexime
10 muaj më parë