
Drita Gjongecaj: Shqipja në shkollat e NY, një akt fuqizimi për diasporën
Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në komunikimet zyrtare të shkollave publike në Nju Jork është një moment historik për diasporën. Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, Drita Gjongecaj ndan emocionet, sfidat dhe shpresat që kjo arritje sjell për gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Ka lajme që nuk janë vetëm tituj; janë histori krenarie, përkushtimi dhe vizioni. Një ndër to është vendimi më i fundit i autoriteteve arsimore në Nju Jork për ta përfshirë gjuhën shqipe në komunikimet zyrtare të shkollave publike, një akt simbolik, por edhe thellësisht praktik, që i jep zë një komuniteti të tërë.
Në këtë intervistë për Portalin Shkollor Albas, bisedojmë me Drita Gjongecaj, një prej zërave më të përkushtuar të diasporës shqiptare në SHBA, edukatore, aktiviste dhe pjesë kyçe e Këshillit Koordinues të Diasporës. Me qartësi dhe emocion, ajo na rrëfen për këtë arritje historike, për sfidat e rrugëtimit dhe për shpresën që kjo hapje institucionale ngjall për të ardhmen e gjuhës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Zonja Gjongecaj, sapo jeni bërë pjesë e një arritjeje të jashtëzakonshme: shqipja zyrtarizohet si gjuhë komunikimi në shkollat publike të Nju Jorkut. Fillimisht jemi kurioz të dimë si ndiheni personalisht për këtë lajm? Si e përjetuat këtë moment?
Për mua ky është një moment shumë i veçantë dhe thellësisht emocional. Është ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje jo vetëm si profesioniste e arsimit dhe si prind, por edhe si kontribuuese e drejtpërdrejtë në realizimin e kësaj arritjeje historike. Zyrtarizimi i shqipes si gjuhë komunikimi në shkollat publike i jep dinjitet gjuhës sonë, i jep zë prindërve tanë dhe, mbi të gjitha, inkurajon të rinjtë që ta ruajnë dhe shprehin identitetin e tyre brenda një shoqërie shumëkulturëshe.
Ta shohësh gjuhën tonë të renditur në faqen zyrtare të sistemit arsimor të Nju Jorkut, përkrah vetëm 12 gjuhëve (përveç anglishtes) të përzgjedhura nga mbi 180 gjuhë që fliten në familjet e këtij qyteti gjigant, është një ndjenjë që të emocionon thellë. Është një moment i madh krenarie dhe një dëshmi se shqipja ka hyrë në një fazë të re, ku roli dhe vlera e saj afirmohen institucionalisht. Ky hap na mbush me optimizëm dhe besim se trashëgimia gjuhësore e shqiptarëve në diasporë është më e mbrojtur se kurrë më parë.
E gjitha kjo që rrëfeni është padyshim një fitore për diasporën, por në thelb është edhe një histori që flet për punë të palodhur në prapaskenë, apo jo! Cili ka qenë roli i bashkëpunimit brenda Këshillit Koordinues të Diasporës në arritjen e këtij qëllimi? Cili ka qenë rrugëtimi deri këtu? A ka ndonjë moment kyç ose ndonjë pengesë që e kujtoni si të vështirë, por që ia vlejti?
Kjo është pa dyshim një fitore për gjithë diasporën shqiptare dhe si çdo arritje e madhe, ajo është fryt i një pune të gjatë, të qëndrueshme dhe shpesh të padukshme. Si një nga tre përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës për SHBA, së bashku me Z. Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit, dhe Znj. Emina Cunmulaj, kemi vepruar në mënyrë të koordinuar për të ngritur zërin e komunitetit shqiptar në mënyrë të dokumentuar dhe të argumentuar. Kemi paraqitur kërkesa zyrtare, kemi zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve vendimmarrëse dhe kemi propozuar iniciativa konkrete për përfshirjen e gjuhës shqipe në komunikimet shkollore dhe për hapjen e klasës së parë dygjuhëshe.
Një moment kyç në këtë rrugëtim ishte pjesëmarrja ime në një tryezë të rrumbullakët me Kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, ku artikulova nevojën për një program dygjuhësh shqip-anglisht. Aty solla në vëmendje sfidat që përjetojnë fëmijët shqiptarë në sistemin shkollor, mungesën e përfaqësimit të gjuhës sonë dhe potencialin transformues që ka një program i tillë në ruajtjen e trashëgimisë dhe suksesin akademik. Ky takim, i mundësuar falë mbështetjes së drejtpërdrejtë të Z. Gjonaj, rezultoi në një kthesë të rëndësishme institucionale dhe hapi rrugën për mbështetje konkrete.
Ishte një moment i rëndësishëm advokimi sepse zëri ynë u dëgjua në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nga aty nisi një proces i ri mbështetjeje institucionale. Më shumë se një vendim administrativ, ky është një hap që afirmon gjuhën tonë, respekton familjet tona dhe siguron që çdo prind të mund të marrë pjesë në mënyrë kuptimplotë e pa pengesa në arsimimin e fëmijës së tij.
Ju jeni ndër themelueset e klasës së parë dygjuhëshe shqip-anglisht në një shkollë publike në Nju Jork. Si u prit ky projekt dhe çfarë mësimesh ka sjellë deri më tani?

Klasa e parë dygjuhëshe shqip-anglisht në një shkollë publike të Nju Jorkut u prit me entuziazëm të madh nga komuniteti shqiptar në mbarë diasporën. Ajo nuk është thjesht një klasë por është një hap institucional që garanton ruajtjen e gjuhës dhe kulturës, ndërkohë që forcon rezultatet akademike të nxënësve.
Në rolin tim si iniciatore dhe bashkëdrejtuese e këtij programi, kam qenë e përfshirë në çdo hap, nga ndërtimi i partneriteteve me distriktin dhe shkollën, te vlerësimi i aplikimeve, mbështetja për trajnimin e mësuesve, informimi dhe angazhimi i familjeve, hartimi i materialeve mbështetëse, etj. Procesi ka qenë kompleks por jashtëzakonisht domethënës dhe puna vazhdon për zgjerimin e programit në zona të tjera të NY City. Kjo është një arritje që shkon përtej komunitetit shqiptar në NY; është një model për të gjithë ata që kërkojnë të ruajnë gjuhën dhe kulturën përmes edukimit.
Çfarë do të thotë për prindërit shqiptarë në SHBA, sidomos për ata që kanë hasur vështirësi për shkak të barrierës gjuhësore, përfshirja e gjuhës shqipe në dokumentet dhe komunikimet zyrtare të shkollave? Si mendoni se kjo do të ndikojë në përfshirjen e tyre aktive në procesin arsimor të fëmijëve?
Përfshirja e gjuhës shqipe në dokumentet dhe komunikimet zyrtare të shkollave është një hap historik për prindërit shqiptarë në SHBA, veçanërisht për ata që përballen me barriera gjuhësore. Kjo nismë u jep atyre barazinë në komunikim, dinjitetin dhe mundësinë për të qenë aktivë në edukimin e fëmijëve të tyre.
Duke pasur qasje të plotë në informacionet shkollore si njoftime, plane individuale dhe çdo çështje që ndikon tek edukimi i fëmijëve të tyre, prindërit do mund të kuptojnë më mirë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, të marrin vendime të informuara, të ndjekin progresin akademik dhe të jenë bashkëpjesëmarrës aktivë në jetën shkollore. Kjo nuk është thjesht çështje përkthimi, është çështje fuqizimi dhe përfshirjeje. Nga përvoja ime e di sa shumë dëshirojnë prindërit tanë të jenë të përfshirë dhe tani kjo është e mundur ndërkohë që ajo vjen me një ndikim të drejtpërdrejtë në suksesin e nxënësve.
Ndërkohë, a është kjo një çështje vetëm e përfaqësimit gjuhësor apo ka një ndikim më të thellë në ruajtjen e identitetit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare?
Kjo është thellësisht çështje identiteti dhe trashëgimie. Pranimi dhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe në një sistem publik si ai i Nju Jorkut u dërgon fëmijëve dhe prindërve mesazhin e qartë që gjuha e tyre ka vlerë, që rrënjët e tyre njihen dhe respektohen, dhe që ata nuk janë të detyruar ta braktisin trashëgiminë për t’u ndjerë pjesë e shoqërisë ku jetojnë.
Kur një fëmijë sheh që gjuha e familjes së tij përdoret në shkollë, ai e percepton atë si pasuri dhe përbën një hap të rëndësishëm për ndërtimin e një marrëdhënieje të shëndetshme me identitetin e dyfishtë shqiptaro-amerikan.
Prandaj them se përfshirja e shqipes në dokumentet dhe klasat e shkollës nuk është vetëm një fitore gjuhësore por një akt praktik që ndihmon në ruajtjen e identitetit kombëtar, forcon lidhjet ndërmjet brezave dhe i jep fëmijëve shqiptarë në diasporë një ndjenjë të thellë përkatësie, krenarie dhe vetëvlerësimi.
A keni pasur ndonjë histori prekëse apo reagim nga nxënës, prindër apo mësues që ju ka mbetur në mendje pas këtyre zhvillimeve?
Ka shumë momente prekëse, por ajo që më ka lënë përshtypje më të thellë është përqafimi i menjëhershëm që i bëri komuniteti këtij programi. Prindërit dhe mësuesit treguan interes të madh për t’u përfshirë, dhe kërkesat për regjistrim tejkaluan çdo parashikim fillestar. Kjo na motivon edhe më shumë për ta zgjeruar programin dhe për t’u siguruar që çdo fëmijë shqiptar të ketë mundësinë të mësojë gjuhën e tij në mënyrë të strukturuar.
Përtej komunitetit shqiptar, si e kanë pritur institucionet amerikane këtë përfshirje të shqipes në sistemin publik arsimor? Ka pasur ndonjë surprizë apo bashkëpunim që nuk e kishit parashikuar?
Zyra për arsimin në gjuhën amtare ka mirëpritur përfshirjen e shqipes si pjesë e kësaj strategjie duke treguar gatishmëri për bashkëpunim afatgjatë. Kjo përkrahje ndihmon në përfshirjen më të madhe të familjeve në procesin arsimor duke krijuar një lidhje më të fortë mes shkollës dhe komunitetit.
Në Nju Jork, një nga qytetet më multikulturore në botë ku fliten qindra gjuhë dhe jetojnë komunitete nga e gjithë bota, institucionet arsimore janë të angazhuara për një arsim gjithëpërfshirës që reflekton dhe mbështet këtë diversitet gjuhësor dhe kulturor. Zhvillimi i programeve dygjuhëshe si një nga anët e prekshme të saj nuk është thjesht politikë përfaqësimi, por mbështetet nga kërkime shkencore që tregojnë përfitime të qarta në zhvillimin akademik dhe personal të nxënësve.
Nëse do t’i drejtoheshit një vajze apo djali shqiptar në moshë të re që po rritet në diasporë, çfarë do t’i thoshit për rëndësinë e të folurit dhe të ruajtjes së gjuhës shqipe?
Nuk është asnjëherë vonë për të mësuar shqip e njohur rrënjët e tua. Ti je rritur ndoshta larg vendit të prindërve të tu, por gjuha shqipe është pjesë e asaj që je, është një urë që të lidh me historinë tënde, me njerëzit që të duan, me kulturën dhe shpirtin e një populli që pavarësisht sfidave, nuk e ka harruar identitetin e vet.


Për më tepër, shqipja është edhe një derë që të hap mundësi në botën globale. Sot, njerëzit që flasin më shumë se një gjuhë kanë përparësi të mëdha; ata mendojnë më me fleksibilitet, lidhen më lehtë me kultura të ndryshme dhe kërkohen më shumë në tregun e punës. Duke mësuar shqipen, ti forcon identitetin tënd dhe fiton aftësi të cilat të japin përparësi konkurruese si qytetar global.
A mendoni se modeli i Nju Jorkut për gjuhën shqipe mund të frymëzojë edhe qytete të tjera në SHBA apo më gjerë? A ka ndonjë plan konkret për ta zgjeruar këtë model në të ardhmen?
Pa dyshim. Nju Jorku tashmë ka vendosur një precedent historik; shqipja është zyrtarizuar si gjuhë komunikimi dhe është hapur klasa e parë dygjuhëshe në nivel institucional. Ky model mund të frymëzojë edhe qytete të tjera në SHBA dhe më gjerë.
Përvoja jonë tregon se me përkushtim, partneritet dhe përfaqësim të mirë, mund të krijohen mundësi konkrete për trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore shqiptare, pa kompromentuar integrimin apo suksesin shkollor.
Dhe për në fund, si e shihni të ardhmen e gjuhës shqipe në diasporë? A jeni optimiste?
Jam më optimiste se kurrë. Po krijohet një brez i ri mësuesish, prindërish dhe aktivistësh që po e çojnë përpara gjuhën shqipe me dinjitet dhe pasion. Ka gjithnjë e më shumë nisma, klasa dygjuhëshe, platforma digjitale dhe aktivitete kulturore që e bëjnë gjuhën të gjallë.
Gjuha shqipe është një pasuri e jashtëzakonshme që ka kaluar shekuj të tërë duke u ruajtur me forcë dhe krenari, edhe në kushte të vështira. Edhe pse ajo përsëri përballet sot me sfida reale në diasporë, nëse ndërtojmë ura të forta ndërmjet brezave, nëse e bëjmë atë pjesë të hapësirave publike dhe shkollore, shqipja do mbijetojë dhe do të lulëzojë në zemrat e mendjet e brezave që po rriten larg, por që nuk e harrojnë kush janë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për Çamërinë: Luan Rama i bën thirrje Greqisë të kërkojë falje për masakrat
Takimi i veçantë letrar i nxënësve të talentuar të gjimnazit "Petro Nini Luarasi", me figurat e shquara të letrave shqipe
Mbresa nga një festë Abetareje në Kukës