Reflektim

“Ekskursion i thonim...” nga Msc.Migena Kapllani

Ekskursionet janë organizime me peshë të vështirë saqë shpesh i anashkalojmë. Por ja që pyetja më e shpeshtë e nxënësve të mi është “Kur do na bësh ndonjë ekskursion?”. Mbase mund t’i organizojmë edhe me prindërit! Pse jo? Të përpiqemi t’i nxjerrim në natyrë e t’i largojmë nga telefoni. Të përpiqemi…

Në kohën time si nxënëse, gjërat që më së shumti kujtoj, janë lëvizjet apo shëtitjet që bënim jashtë ambientit klasë. Mbyllja në klasë na dukej kontrollues, rankues apo edhe frustues në varësi të lëndës apo mësuesit. Nëse një ditë caktohej ekskursion, mund ta jetonim tërë kohën para e pas me shijen e mirë që na linte ai aktivitet. 


Sot që jam mësuese e mendoj që ekskursionet apo udhëtimet janë po aq të rëndësishme sa ato esetë apo analizat që u bëj në orën e mësimit.


Këto organizime kanë peshën e vështirësinë e tyre saqë shpesh i anashkalojmë si një obligim i tepërt e që nga pengesat, më mirë të mos i hyjmë fare, sa të na dalin angari. Por ja që pyetja më e shpeshtë e tyre është “Kur do na bësh ndonjë ekskursion?”. 


Unë i pëlqej edhe ato udhëtime që ndonjë pjesë rrugë bëhet edhe në këmbë. Madje një nxënës më tha një herë “unë nuk vij se ti na lodh me ecje!”. Një shëtitje në këmbë deri në Byshek për gati një orë, ka qenë një eksperiencë e bukur. Në natyrë, pranë rrapeve shekullorë kaloi një ditë ndryshe, e bukur dhe mes shokësh e shoqesh. Kjo sigurisht që ndihmoi në forcimin e shoqërisë midis tyre. 


Por gjithashtu e mendoj çdo udhëtim me një program të detajuar, ku të marrin sa më shumë nga ai në çdo aspekt. 


Pyetja ime, “A ju pëlqejnë udhëtimet në natyrë apo ato që na mësojnë mbi historinë e na plotësojnë në aspektin kulturor?”, shpesh merr përgjigje të ndryshme. I duan shëtitjet, por mezi pranojnë të hyjnë në muze apo ekspozita. U shmangem me arsye të ndryshme, pasi edhe nuk janë mësuar. Dihet që në vendin tonë, ndryshe nga vendet evropiane, muzeumet i kemi mungesë dhe nuk janë ushqyer që në fëmijëri me këtë angazhim. Por kur qëllon t’i vizitojnë, i shoh që diskutojnë e marrin diçka me vete nga ai vend. 


Një udhëtim në Librazhd pranë drejtorisë së pyjeve, i ndihmoi të mësojnë më shumë për florën e faunën e zonës, por dhe vetë lëvizja e udhëtimi, të ushqyerit bashkë, një pije freskuese në një ambient apo një shëtitje në një qytet tjetër, të gjitha bashkë i bëjnë të mësojnë shumë jo vetëm për temën që na drejtoi te ky qytet, por dhe për veten e për miqtë e klasës. 


Vizita në shtëpinë e të madhit Kadare, pazari i vjetër i Gjirokastrës, kalaja me sheshin e festivalit folklorik të mbeten në mendje më gjatë. Bukur të shëtisësh si turist në një qytet që të gjithë e pëlqejnë për historinë e kalasë apo të lagjeve me shtëpi të gurta e me kalldrëm apo dhe për atë që i ka dhënë këtij vendi: të gjitha bashkë kanë një shije më vete. Më tej pse jo, edhe një turizëm gastronomik. 


A mund të bëjmë të tilla ekskursione sa më shumë? Kur e pyeta Kejsin, sa të tilla do të donte, më tha (në muaj) 10%. Pra 3 për çdo muaj. 


E pamundur se ne nuk i kemi mundësitë as ekonomike, por as të kurrikulës për ta bërë. Na mbetet vetëm fundjava. Pastaj edhe po t’i organizosh ka letra me shumicë sa shpesh më mirë të mos i bësh se sa të marrësh përsipër ngarkesën. Edhe është përgjegjësi e madhe. 


E megjithatë, i mendoj se duhen organizuar, madje edhe si pjesë e kurrikulës. Kur mbyllet dita e një udhëtimi, i shoh të qeshur e më të lidhur me njëri-tjetrin me të çlodhur e më aktivë. Kur kthehen, gati-gati mezi ndahen e mezi marrin rrugën drejt shtëpive të tyre. 

Çdo ekskursion me nxënësit, siç e thashë më lart, është shqetësim për atë që e merr përsipër. Mbase mund t’i organizojmë edhe me pjesëmarrjen e prindërve. Pse jo? Çdo gjë për më të mirën e fëmijëve. Të përpiqemi t’i nxjerrim në natyrë e t’i largojmë nga telefoni. Të përpiqemi…



Shkroi Migena Kapllani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,176 Lexime
10 muaj më parë