ESE ARGUMENTUESE

Emancipimi i shoqërisë shihet në mënyrën se si ajo krijon raportet me gruan dhe me traditën

Ervis Shahini, nxënës i klasës së dhjetë, dëshiron të ndajë me ne një ese argumentuese në lidhje me emancipimin e shoqërisë ku rol të veçantë luan gruaja. Sipas tij “Një shoqëri maskiliste pa prezencën e gruas nuk mund të ecë përpara. Tradita, nga ana tjetër, është një thesar që popujt e tjerë na e lakmojnë”.

Shpesh zëri i gruas buçet si një trumbetë që kërkon të zgjojë ndërgjegjjen e shoqërisë në vendimmarrje, aq më tepër të gruas. Emancipimi i shoqërisë sot varet nga pjesëmarrja e gruas në shoqërinë aktive. Një shoqëri maskiliste pa prezencën e gruas nuk mund të ecë përpara. Tradita, nga ana tjetër, është një thesar që popujt e tjerë na e lakmojnë. 


Në të vërtetë, e përsëris fort e më fort se rolin e gruas në shoqëri, nuk mund ta zëvrndësojë askush dhe pas një shoqërie të emancipuar qëndron një grua e hekurt.


Gruaja është shtylla e familjes dhe njëherësh qendra e saj. Gruaja është ajo që përkund djepet, që mëkon me qumështin e gjirit dashurinë për atdheun. Ajo është dielli i përkëdheljeve, është gojëmjalta që i bën fëmijët të fluturojnë hapësirave të bardha qiellore, është lulishtja e gjelbëruar përjetësisht. Sapo zgjohet në mëngjes, asaj i duhet të sistemojë punët në shtëpi nga A-ja në ZH : të kujdeset për veshjen, për pastërtinë, për ushqimin.                                


Gruan e gjejmë kudo: në përkujdesjen që i jep fëmijës në ndërrimin e pelenës, në zgjidhjen e problemeve familjare përkrah bashëshortit, në ngrohtësinë që i jep familjes dhe bashkëshortit, në përkujdesjen ndaj prindërve. Përveç rolit të saj në familje, atë e gjejmë edhe në shoqëri, në pikat më nevralgjike të shoqërisë: e gjejmë infermiere, doktoreshë në kulmin e kësaj pandemie, duke u kthyer jetën njerëzve, e gjejmë në shërbimet ushtarake, në polici në krye të detyrës, në mësimdhënie dhe në çdo sferë të jetës. Edhe tradita luan rolin e vet në shoqëri. Ajo zbukuron karakterin tonë, duke na falur vlera në sytë e popujve të tjerë.


Megjithatë, unë mendoj se në disa raste elementet tradicionale bien në kundërshti me parimet e barazisë gjinore në shoqëri.


Sipas traditës, gruaja duhet të mësojë qepjen, gatimin, pastrimin dhe jo librat; vendi i saj duhet të jetë në shtëpi dhe jo në pozicionet drejtuese: ajo nuk duhet të guxojë. Sipas traditës, gruaja duhet të martohet e të krijojë familje me atë që i jepet për burrë e jo ta gjejë vetë fatin e saj dhe pas martesës, ajo duhet t’u shërbejë të vjetërve në shtëpi dhe të mos ankohet për asgjë.


Pavarësisht këtyre të gjithave, gruaja është një uragan në vendimmarrje, duke filluar që nga grimcat më të vogla jetësore deri tek ato më të mëdha. Fakti që sot shumë gra janë në pozicione drejtuese të shteteve, si: kancelarja Merkel në Gjermani apo Hilari Klinton, tregon se shoqëria në këto vende është vërtetë demokratike dhe se ka ecur përpara. 


Ne duhet t’i mëshojmë fort faktit se emancipimi i shoqërisë varet se si ajo krijon raportet me gruan. Sipas Balzak, gruaja me prezencën e saj, edhe rërën e kthen në ar.



Nga Ervis Shahini, nxënës i klasës 10-të, shkolla e mesme "Mehmet Akif", Tiranë. 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,234 Lexime
4 vjet më parë