Federata e peshëngritjes

Europiani i Peshëngritjes do të zhvillohet në Durrës

Nga data 15 deri në 22 tetor, në Shqipëri do të zhvillohet Kampionati Europian i Peshëngritjes për të rinj. Ky aktivitet kaq i rëndësishëm sportiv organizohet në qytetin e Durrësit.

Shqipëria do të organizojë Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të rinj. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Federatës së Peshëngritjes së bashku me presidentin e Federatës Europiane të këtij sporti Antonio Urso, të pranishëm në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.


“Nga data 15 deri në 22 tetor, në Shqipëri do të zhvillohet Kampionati Europian i Peshëngritjes për të rinj. Ky aktivitet kaq i rëndësishëm sportiv organizohet në qytetin e Durrësit. Akomodimi i sportistëve të rinj, sallat e stërvitjes dhe pallati i sportit të Durrësit do të jenë në dispozicion të tyre”, - tha Elez Gjoza, president i Federatës së Peshëngritjes.


Ndërkohë, Antonio Urso thekson edhe një herë mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë për aktivitete të tilla duke e konsideruar madje Shqipërinë si shtëpinë e tij.


“Europiani i të rinjve në peshëngritje do të mbahet në Shqipëri për të tretën herë. Jemi të sigurt që do të jetë sukses i madh dhe duam të përfitojmë për të bërë aktivitete të tjera në mënyrë që të zhvillojmë kulturën sportive, që është thelbësore për zhvillimin e çdo kombi”, - u shpreh Antonio Urso, presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes.


Urso ka mbërritur në Tiranë edhe në kuadrin e një fushate elektorale duke qenë se kandidon për postin e presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes. Ndërkohë në mbyllje të takimit presidenti Gjoza theksoi se kishin mbërritur përgjigjet e antidopingut për Europianin e Kroacisë, ku peshëngritësit tanë kishin rezultuar negativ.


(Portali Shkollor)

3,625 Lexime
6 vjet më parë