
Fëmijët poetë të Gjilanit promovojnë krijimtarinë e tyre
Në SHFMU “Selami Hallaçi” në Gjilan u promovuan me emocion librat “Vargje të arta” dhe “Krijimet e ëmbla”, përmbledhje poetike të krijuara nga nxënësit e klasave të katërta. Nën udhëheqjen e mësueseve, u shpalos talenti dhe ndjeshmëria e fëmijëve përmes vargjeve.
Në ambientet e SHFMU “Selami Hallaçi” në Gjilan, u organizua me sukses promovimi i dy përmbledhjeve poetike të krijuara nga nxënësit e klasave të katërta: “Vargje të arta” nga klasa IV/6 nën udhëheqjen e mësueses Florije Sylejmani dhe “Krijimet e ëmbla” nga klasa IV/2, nën kujdesin e mësueses Vlora Shaqiri-Nuhiu.
Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë stafi udhëheqës i shkollës, pedagogia, bibliotekarja, mësimdhënës si dhe vetë nxënësit, të cilët e mbushën sallën me emocion dhe frymë krijuese. Nxënësit prezantuan krijimet e tyre me krenari, duke recituar vargje që pasqyronin ndjeshmëri, dashuri për natyrën, familjen, shkollën dhe ëndrrat e fëmijërisë.


Këto dy botime janë rezultat i një pune të përkushtuar edukative dhe krijuese, ku mësueset kanë ditur të nxisin imagjinatën dhe aftësinë shprehëse të nxënësve, duke i bërë ata autorë të vërtetë që në moshë të hershme.
“Promovimi i këtyre librave dëshmoi edhe një herë se shkolla jonë nuk është vetëm një vend mësimi, por edhe një hapësirë e zhvillimit të talenteve dhe krijimtarisë. Këto përmbledhje poetike do të jenë një kujtim i çmuar për nxënësit dhe një pasuri e re për bibliotekën e shkollës”, ka thënë kështu mësuesja Florije Sylejmani, teksa na ka sjellë këtë informacion dhe foto nga momentet e aktivitetit.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Poezi nga nxënësja Steisi Ndoni, talenti i vogël me ëndrra të mëdha
"Dashuria e gjyshërve, përqafimi më i bukur"
Ta duam dhe të mbrojmë tokën