Flori Kasaj: Libri si mision personal dhe përgjegjësi publike

Flori Kasaj rrëfen udhëtimin nga fizika në letërsinë për fëmijë, duke e parë librin si mision personal dhe përgjegjësi publike. Ai thekson lidhjen mes shkencës dhe krijimtarisë, rolin e leximit në formimin e mendimit kritik dhe rëndësinë e mbështetjes së komunitetit të librit.

Unë vij nga shkenca, nga fizika, një fushë që të mëson të kërkosh saktësi dhe thellësi në të menduar. Krahas punës së përditshme, libri dhe letërsia janë pjesë e rëndësishme e jetës sime. Sot, pas botimit të katër librave dhe disa dorëshkrimeve në proces, e them me bindje se puna me librin nuk është thjesht pasion apo profesion, por është një Mision. Unë nuk jam i vetmi që kam ardhur nga shkenca në letërsi. Historia njeh plot shkrimtarë që e kanë bashkuar mendimin shkencor me imagjinatën letrare. Autori Lewis Carroll, profesor matematike në Oksford, iu dhuroi fëmijëve botën magjike me librin “Liza në Botën e Çudirave”, një libër që vazhdon të lexohet edhe sot. Shkrimtari Antoine Saint-Exupéry, edhe pse në profesion pilot e inxhinier, shkroi “Princi i Vogël”, një nga librat më të lexuar në botë për fëmijë e të rritur, i përkthyer në disa variante edhe në gjuhën shqipe. 


Shumë shkencëtarë të tjerë e kanë kthyer dijen në rrëfim, duke treguar se shkenca dhe letërsia nuk janë botë të ndara, përkundrazi, ato e ushqejnë njëra-tjetrën. Si individ i formuar në fizikë dhe tashmë si shkrimtar i letërsisë për fëmijë, jam vazhdimisht i angazhuar të lexoj, të studioj dhe të thellohem në këtë letërsi që formon mendje dhe krijon lexuesit e së nesërmes. Letërsia për fëmijë nuk është thjesht argëtim. Ajo është kontakti i parë me imagjinatën, me ndjeshmërinë dhe me zhvillimin e mendimit kritik. Përvoja më ka mësuar se kultura e librit nuk ndërtohet rastësisht. Komuniteti i librit nuk është publik pasiv, por partner kyç në çdo politikë kulturore. 



Autorët e rinj kanë nevojë për vlerësim, mbështetje e inkurajim. Bibliotekat janë laboratorë të mendimit, hapësira ku formësohen individë dhe ku ndërtohet një shoqëri intelektuale. Unë besoj fort se libri formon mendimin dhe ndërton shoqërinë, sepse përmes tij mësojmë të kuptojmë veten dhe tjetrin. Leximi nuk është luks, as aksesor, por domosdoshmëri. Përvoja ime si lexues, si specialist arsimi dhe si shkrimtar më ka treguar se zhvillimi vjen vetëm përmes qasjeve pozitive dhe respektit për komunitetin krijues. Libri është punë e përbashkët, ndaj qasja ime është për vlerësim, bashkëpunim, mbështetje dhe vizion. Vetëm kështu libri mund të vazhdojë të jetë mjet i rëndësishëm për ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme, më të ndjeshme e më të aftë për të menduar në mënyrë kritike. Pasi, aty ku ka libra, ka dialog dhe aty ku ka dialog, ndërtohet një shoqëri që mendon dhe vepron me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi. Libri përtej misionit personal është dhe përgjegjësi publike.



Flori Kasaj

2026



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

86 Lexime
1 orë më parë