Georgi Gospodinov, autori i “Fizika e trishtimit”, vjen në Tiranë si i ftuar nderi i SINTRAK
Georgi Gospodinov, fitues i International Booker Prize 2023 dhe autori i “Fizika e trishtimit”, vjen për herë të parë në Shqipëri si i ftuar nderi i SINTRAK. Më 17 shtator, në Teatrin e Kukullave, ai do të bisedojë me përkthyesen Milena Selimi.
Përgatiti: Xhoina Salaj
Për herë të parë në Shqipëri, shkrimtari bullgar Georgi Gospodinov do të jetë i ftuar nderi i edicionit të parë të SINTRAK - Festivali i Poezisë dhe i Koreografisë Bashkëkohore, që zhvillohet në Tiranë më 17, 18 dhe 19 shtator 2026.
Një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore europiane, Georgi Gospodinov është fitues i International Booker Prize 2023 për romanin “Kohëstrehim” (Time Shelter). Prania e Gospodinovit në SINTRAK lidhet natyrshëm edhe me temën e festivalit dhe me një prej ideve që përshkon veprën e tij: marrëdhënien tonë me kujtesën, kohën dhe mënyrën se si letërsia mund të na ndihmojë të kuptojmë të tashmen.
Për lexuesin shqiptar, Gospodinov është i njohur edhe përmes romanit “Fizika e trishtimit”, botuar nga shtëpia botuese “Albas” dhe përkthyer nga Milena Selimi. Një vepër e ndërtuar mbi kujtesën, historinë, identitetin, përvojën njerëzore dhe një nga romanet më përfaqësuese të autorit.
Në shqip janë botuar gjithashtu “Kopshtari dhe vdekja”, përkthyer nga Milena Selimi, si dhe “Roman natyral”, përkthyer nga Janka Selimi.
Takimi me shkrimtarin do të jetë një nga ngjarjet kryesore të festivalit dhe do të zhvillohet më 17 shtator, në orën 19:30, në Teatrin e Kukullave. Gospodinov do të jetë në bisedë me përkthyesen Milena Selimi, në një takim kushtuar veprës së tij dhe rrugëtimit të saj drejt lexuesit shqiptar. Pas bisedës, në orën 20:30, lexuesit do të kenë mundësinë të takojnë autorin dhe të nënshkruajnë librat.
Për tri ditë, SINTRAK do të sjellë në Tiranë poetë, shkrimtarë, përkthyes dhe artistë, duke krijuar një hapësirë ku fjala dhe lëvizja bashkohen përmes leximeve, bisedave, punëtorive të përkthimit dhe performancave koreografike.
Pjesë e programit do të jetë edhe Rita Petro, Poete Laureate. Më 17 shtator, në orën 18:30, Petro do të jetë pjesë e bisedës Europa e pasigurt / Poezia në një botë largësie dhe konflikti, së bashku me poetin gjerman Dinçer Güçyeter, në moderimin e Anna Koves.
Mbrëmja do të vijojë me performanca koreografike të frymëzuara nga veprat “Përralla jonë gjermane” të Dinçer Güçyeter dhe “Kopshtari dhe vdekja” të Georgi Gospodinovit, të interpretuara nga nxënësit e Shkollës së Baletit.
Programi i festivalit vijon edhe më 18 dhe 19 shtator me takime letrare, punëtori për përkthimin, lexime poetike dhe performanca të koreografisë bashkëkohore. Hyrja në të gjitha aktivitetet është e lirë. Tri ditë kushtuar poezisë, letërsisë dhe lëvizjes, me në qendër kujtesën, gjuhën dhe mënyrat se si arti mund t’i japë zë kohës në të cilën jetojmë.
Programin e plotë e gjeni të festivalit e gjeni këtu: https://www.facebook.com/share/p/195bBnNCWp/
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Princi i Vogël i Antoine de Saint-Exupery: Eshtë më mirë të vuash një mijë herë nga dashuria sesa të mos kesh dashuruar kurrë
Abraham Lincoln, letër mësuesit të djalit.
Fëmijët e QKKF që u vlerësuan me Çmim të Artë, të Argjend dhe Çmime Nderi në Konkursin Ndërkombëtar të Artit në Portugali