Greis Gajda: Si më ka ndihmuar mua libri “Gjyshi im ishte një pemë qershie”, të aftësohem në disa elemente të reja?

Ky shkrim prekës nga Greis Gajda, nxënëse e klasës së tretë, na tregon si libri “Gjyshi im ishte një pemë qershie” i mësoi asaj rëndësinë e dashurisë për gjyshërit, vlerën e familjes, forcën e kujtimeve dhe bukurinë e lidhjeve shpirtërore që nuk zbehen kurrë.

Përshëndetje të gjithëve!


Unë jam Greis Gajda, klasa e tretë B, shkolla “Marie Kaçulini”, Durrës! Është hera e parë që po ndaj një shkrim publikisht. 


Me gjysh Oktavianin, gjyshe Teodolinën, Andin dhe pemën e qershisë, na ka prezantuar mësuese Alma, te klasa jonë. Ajo na tha vetëm që do të a pëlqente.

Por, ndjesia ime me këtë libër ka qenë më shumë se kaq.

Do të ndaj me ju, disa nga gjerat e reja të bukura, që mësova duke jetuar për disa ditë me Toninon.


1. Dashuria për nipërit dhe mbesat, është dashuria më e bukur. Kam dëgjuar nga mami im e cila thotë, se ne mësojmë të jemi fëmijë kur jemi prindër e të jemi prindër, kur jemi gjyshër e mbase për këtë dashuria e tyre është më e bukura e më kuptimplota.


2. Të kesh një gjysh apo një gjyshe, do të thotë të kesh dashuri pa kufi e dashuria e tepërt nuk të bën dëm si të bëjnë ëmbëlsirat apo patatinat. Kush ka një gjyshe a një gjysh apo te dy bashkë, duhet të ndihet me fat dhe t’i puthë e përqafojë shume herë në ditë. Unë i kam dhe ndihem shumë e përkëdhelur. Duke lexuar “Gjyshi im ishte një pemë qershie” kuptova akoma më shumë lidhjen e veçantë që ata kanë me mua dhe vëllanë tim të vogël. 


3. Çdo gjë në jetën tonë, ndryshon, prishet, rregullohet, merr një formë a një drejtim tjetër, por dashuria për njeri – tjetrin nuk duhet të na ndryshojë. Tonino e deshi gjyshen e saj edhe pasi ajo iku me të njëjtën mënyrë, por akoma më shumë gjyshin që përveçse dashurisë, i mësoi atij lirinë dhe vlerën e gjerave të shpirtit. 


4. Do jetë gjithmonë dikush atje jashtë shtëpisë sonë që nuk do të na dojë, do të të na zhgënjejë apo do të na tallë, por ne duhet të jemi gjithmonë  të lidhur me familjarët tanë dhe shembullin e tyre ta mbrojmë me veten tonë, ashtu siç bëri Tonino me pemën e qershisë.


5. Nuk duhet të na vijë turp nga gjyshërit tanë se mund të ecin ngadalë apo mund të mos flasin mirë, se mund të vishen ndryshe apo të mendojnë ndryshe. Ne duhet vetëm t’i duam ata dhe të jemi gjithmonë të sigurt për dashurinë e tyre, ashtu siç duhet të jemi të përgatitur se, ata një ditë do të ikin nga këtu, por jo nga kujtimet dhe zemra jonë!


Tonino, është heroi im dhe zonja Lebjana heroina ime! 


Faleminderit!

Greis Gajda


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

337 Lexime
20 orë më parë