Leonardo da Vinçi

Hidrodinamika, aerodinamika dhe shpikjet ushtarake

Studimet e Leonardos në fushën e hidrodinamikës kanë rezultuar në shumicën e vizatimeve të makinerive me ujë dhe pajisjeve që punojnë me ndihmën e ujit disa shekuj më para Revolucionit Industrial.

Leonardo da Vinçi

1452 – 1519



Kronologji

• Në vitin 1469 Leonardo fillon studimet te Verrokio në Firence.

• Në vitin 1482 hyn në shërbim te Duka i Milanos.

• Në vitin 1502 kthehet në Firence dhe punon për Çezare Borxhën si inxhinier dhe arkitekt i tij.

• Në vitin 1516 shkon në Francë me ftesë të mbretit Fransua I.

• Në vitin 1519 vdes në vendin e quajtur Klo-Lysë në Ambuazë të Francës.


Të futësh Leonardo da Vinçin në librin e njëqind shkencëtarëve që kanë ndryshuar botën, ndoshta duket pak e tepruar, për shkak se shumica e veprave të tij nuk janë botuar dhe kanë mbetur të harruara me shekuj. Por Leonardoja, pa asnjë dyshim, ka qenë një nga mendjet më brilante shkencore të të gjitha kohërave, dhe mund të themi se vetëm koha kur jetoi, u bë pengesa më e madhe që ai, në mënyrë dramatike, nuk e ndryshoi dot botën. 

Gjenialiteti i shpikjeve të tij i ka tejkaluar aq shumë aftësitë intelektuale të bashkëkohësve dhe teknologjinë e asaj kohe, saqë të gjithëve, përveç vetë atij, ato u janë dukur të paarritshme. Sikur të ishte e mundur që Leonardoja të transportohej në ndonjë mënyrë në kohën e Edisonit dhe të kishte mundësi të përdorte teknologjinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, mundet vetëm të hamendësojmë se sa shkencëtarëve do t’ua kishte kaluar, madje ndoshta edhe vetë Edisonit.


Gjithsesi, edhe në kohën kur ka jetuar, ai ka qenë njeri i suksesshëm.


NJERIU I RILINDJES

Leonardoja është artisti i Rilindjes, i cili ka krijuar kryevepra, si “Darka e fundit” (1495 – 1497) dhe “Mona Liza” (1503 – 1506), por gjatë kësaj periudhe u ka kushtuar shumë kohë kërkimeve shkencore, shpesh edhe në dëm të punës artistike. Gama e gjerë e kërkimeve të Leonardos është mbresëlënëse. Ai është marrë me astronomi, gjeografi, paleontologji, gjeologji, botanikë, zoologji, hidrodinamikë, optikë, aerodinamikë dhe anatomi. Që të arrinte të vizatonte detajet e trupit të njeriut, atij iu desh të studionte njeriun, madje edhe kufomat e njerëzve, shpesh të vjedhura. Pa marrë parasysh gjerësinë e studimeve të veta, kontributi i tij më i madh shkencor është pikërisht metoda e tij e studimit, qasja ndaj nacionalitetit, qasja sistematike e të studiuarit të natyrës, pas një paragjykimi mijëvjeçar. Në fillim ai do të nisej nga pyetje të thjeshta shkencore, si p.sh.: “Si fluturon zogu?”. Pastaj do të vëzhgonte në natyrë subjektin që i interesonte, do të shënonte të gjitha rezultatet e vëzhgimeve të veta dhe do t’i përsëriste disa herë vëzhgimet, që të siguronte saktësi të mjaftueshme para se të bënte vizatimet dhe, më në fund, do të nxirrte përfundimet.

Shprehja “njeri i rilindjes” sikur është gatuar enkas për Leonardon.


AERODINAMIKA

Në përgjithësi rezultatet e eksperimenteve të veta i ka konvertuar në vizatime (skica), shpikje të vlefshme për njeriun. Për shembull, puna e tij në fushën e aerodinamikës ka rezultuar me skica të ndryshme për mjete fluturuese, të cilat potencialisht qenë të afta për të fluturuar – në mesin e tyre ka qenë edhe helikopteri primitiv, që do të bëhej realitet gati pesëqind vjet më pas. Ai madje parashikoi pajisjet që u nevojiteshin makinave të tij fluturuese, për të përmirësuar aerodinamikën e tyre dhe për t’u lehtësuar hedhja e trupave gjatë fluturimit. Në vitin 1485 ai projektoi një parashutë, gati 300 vjet para se ajo të krijohej realisht, dhe në llogaritjet e tij parashikoi përmasat e nevojshme të materialit përbërës, që një objekt me masë sa trupi i njeriut të zbresë i sigurt në tokë. Ai kishte arritur të kuptonte edhe parimet e funksionimit të llozit dhe rrotave me dhëmbë, gjë që e ndihmoi për të krijuar skicat e biçikletave dhe të vinçave.


HIDRODINAMIKA

Studimet e Leonardos në fushën e hidrodinamikës kanë rezultuar në shumicën e vizatimeve të makinerive me ujë dhe pajisjeve që punojnë me ndihmën e ujit disa shekuj më para Revolucionit Industrial. Përveç kësaj, ka vizatuar pajisje për matjen e lagështisë, si dhe veshje të ndryshme palombarësh të pajisura me feçkë të gjatë që siguronte frymëmarrjen.


SHPIKJE USHTARAKE

Gjatë kohës kur punonte për dukën e Milanos, rreth viteve 1482 dhe 1499, Leonardoja ka bërë shumë vizatime armësh, si: granata dore, pushkë automatike, tanke primitive, madje edhe nëndetëse, që kanë qenë shumë të përparuara për kohën e tij.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

1,852 Lexime
5 vjet më parë