“Humbja me emrin tënd” nga Griselda Zylyftari

“Humbja me emrin tënd” “ është shkrimi letrar i Griselda Zylyftari, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Ishe një nxënës, që do të ngelesh i përjetësuar në kujtesën time!… 

E si mundem vallë të të harroj?!...  Ishe një engjëll… Ishe dashuri më vete… 

Tiparet e tua të veçanta do të të bënin të dallueshëm nga të tjerët. 


Kush ishte më i qeshuri në klasë? Të gjithë do ta kuptonin se ishe ti AFRISALDI im. Sytë e tu lëshonin vetëm shkëndija lumturie. Ishe ti, që luaje me të gjithë shokët dhe shoqet e klasës, pasi i gëzoheshe fëmijërisë tënde, një 15-vjeçar që dëshirove të ngeleshe në botën fëminore.


Të shumta qenë kujtimet që përjetova së bashku me ty për 4 vitet e shkollës, o rrezatim i rrugëtimit tim! Gjithmonë doje të ishe i pari. Kudo doje të merrje pjesë dhe i gëzoheshe si fëmijë çdo fitoreje, sado e vogël dhe modeste të ishte. Dëshiroje që emri yt të shkruhej kudo: nëpër mure, në vazot e luleve, në banka e gjetkë. 


Si mund ti harroj ata sy, që më shihnin si të ndrojtur, kur s’kishe bërë detyrat?!... Shpejtoje të merrje ndihmesën nga shoqja e bankës, pasi doje të ngrije dorën i pari. 


S’mund të ketë asnjë moment, që t’më bëjë të të harroj ty, o nxënësi më i këndshëm i asaj klase, sepse engjëjt janë të hirshëm, siç ishe dhe ti. 


Dashuria ndaj teje kurrë s’do ketë fund. Zoti të deshi shumë, ndaj dhe të mori pranë Tij.  Ajo ditë m’u bë e mallkuar, pasi m’u largove nga kjo botë…nga kjo jetë. Më humbën duart e tua, buzëqeshja jote.  Por ajo datë 19.04.2023, dita kur ndodhi ai aksident, për Zotin në qiell ishte një ditë ndryshe, se mori fëmijën më të bukur, syqeshurin dhe shpirtndriturin.


Një nga synimet e mia të këtyre viteve si mësuese ishte që të të kisha nxënësin tim, por ja që nuk zgjati shumë. Tanimë edhe kjo dashuri ndaj profesionit tim u lëkund thellë me humbjen tënde. 


Do vijoj të jetoj me imazhin tënd, kudo të kaloj në shkollë apo teksa të shoh bankën tënde të dytë. Imazhi yt do më shoqërojë edhe në bashkëbisedimet me shokët dhe shoqet e klasës duke sjellë në kujtesë batutat dhe ngrohtësinë tënde.  


-Ah!... Shkëndijë që u shove aq shpejt!...  


E vakët do jetë atmosfera tashmë në shkollën tonë në mungesën tënde, e kështu do vijojë edhe në vitet në vazhdim. Do ndjej mungesën e dorës tënde të urtë, që dukej sikur zmadhohej me gishtërinjtë e saj të tejzgjatur në kërkim të “lejes” për t’u përgjigjur.  


-Me leje mësuese!... Me leje!..., 

Ngandonjëherë, si në hutim m’u drejtoje:  

-Me leje mami!... 

Dhe reagimi im s’vononte: 

-Po mami!... - sepse përveçse nxënësi im, ishe edhe biri im, që më frymëzoje për të punuar.

S’do harrohet kurrë zjarri i sobës së klasës, që çdo mëngjes dimri ndizej nga dora jote. 

-Kush do ta ndezë tani, o flakërimi më i bukur!? 


Shkonim bashkë të parët në shkollë për të ndezur zjarrin e dimrit, sepse ti kishe ftohtë dhe në pushimin e madh doje të thekje bukën. 


Eh AFRISALD!... 


Sa të shumta ishin përjetimet e tua në atë klasë si me mua ashtu edhe me shokët e shoqet e klasës! Të gjitha do të përjetësohen në gjirin e jetës sime, sepse ti s’do të harrohesh kurrë. 


Humbja jote na shkaktoi dhembje të shumta, e aq më tepër në këto kohë, teksa po përgatiteshim të të festonim përvjetorin tënd të 15-të, ndërkohë që ti kishe thurur shumë ëndrra që prisje t’i realizoje. 

Dhembja e një mësueseje mbetet e madhe dhe e patjetërsueshme, kur humbet nxënësin e saj, si dashurinë e saj të zemrës, sepse ti engjëll i shndritshëm më rrëshqite nga duart. Me to të rrita e të edukova me aq përkushtim, me tërë fuqinë e një nëne dhe të një mësueseje për fëmijën e vet.  


Kjo dhembje bëhet akoma më e thershme, teksa të drejtohem edhe si nënë, e ndërkaq mbështillem me imazhin dhe ëmbëlsinë tënde duke u munduar të gjej një forcë, që të më mbajë gjallë shpirtin për të hedhur hapat e rënduar në ditët në vijim të jetës… 



Griselda Zylyftari

Griselda Zylyftari ka përfunduar studimet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Prej 15 vjetësh punon si mësuese e Gjuhës Angleze pranë shkollës 9-vjeçare “70-Vjetori i Pavarësisë“ Poliçan. Këtë shkrim ia dedikon të birit të saj të ndjerë, të cilin e kishte dhe nxënës për 4 vitet e 9-vjeçares, nga klasa e 6-9. Një dedikim, që do të përjetësohet në mendjen e saj. 

 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,921 Lexime
6 muaj më parë