“I lëndova prej pyetjes së librit” nga Albana Dollani
“I lëndova prej pyetjes së librit” është shkrimi letrar i Albana Dollanit, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
“I lëndova prej pyetjes së librit” është shkrimi letrar i Albana Dollanit, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Mësuesja e gjuhës dhe leximit krijon një lloj afeksioni me nxënësit e saj, ndryshe nga mësuesit e lëndëve të tjera. Nuk kam asnjë lloj paragjykimi për kolegët e mi, por ata dhe kushdo që lexon këto rreshta ka për të më kuptuar shumë mirë se çfarë dua të them.
Në punën tonë të përditshme ne përjetojmë situata nga më të ndryshmet, nga më të vështirat me plot emocione, por mënyra se si i menaxhojmë ato, bën diferencën. Kur unë isha nxënëse, mësuesit e mi të gjuhës dhe letërsisë ishin më të preferuarit, edhe në 9-vjeçare, edhe në gjimnaz, prandaj dhe unë zgjodha të bëhesha mësuese gjuhe dhe akoma e dua profesionin tim dhe emrin “mësuese”.
E kam nisur punën time si mësuese që kur ishte sistemi 8-vjeçar dhe pushim ishte vetëm dita e diel. Atëherë e nderonin dhe respektonin shumë mësuesin, madje e kishin idhull. Ata rriteshin në moshë, ndërsa unë rritesha në moshë dhe në profesion. Shumë gjëra kanë ndryshuar në arsim që atëherë, ama, misioni i mësuesit ka mbetur i njëjtë.
Në fakt mësuesja kujdestare është ajo që di karakteristikat e përgjithshme për klasën kujdestari, por mësuesja e leximit e njeh shumë më mirë botën shpirtërore të klasës në përgjithësi dhe nxënësit në veçanti. Prandaj të jesh edhe mësuese kujdestare edhe mësuese e gjuhës është një binom i fuqishëm për të krijuar marrëdhënie të shëndetshme dhe një lloj afrimiteti me nxënësit.
Pse do të thoni ju?
Të jesh mësuese e gjuhës dhe e leximit do të thotë të kesh kontakte me nxënësit 5 orë në javë, ku përveç anës mësimore dhe edukative të krijohet mundësia të njihesh me mendimet, ndjenjat, brengat, gëzimet, problemet, etj. Pra, para se të jesh mësues, duhet të jesh njerëzor. Para se të këmbëngulësh t’i mësosh kundrinorin apo kryefjalën, ndalu pak dhe pyete se si ndihet apo çfarë e shqetëson. Mësoji atë që është vlerë se jo çdo familje e bën edukimin e fëmijës. Është vetë lënda që me temat e saj, kryesisht të leximit, të nxjerrë jashtë kornizave dhe të bën të tregosh shumë përjetime personale. Vetë çiltërsia e moshës apo dëshira për të ndarë me shokët përvoja të ndryshme, apo dhe nevoja për t'u çliruar nga një brengë e bën nxënësin të tregojë apo të shkruajë, atë që mund të ketë përjetuar, pa zbukurime, por ashtu siç e ndien. Janë të shumta problematikat që nxënësit përjetojnë në familjet e tyre, qofshin ato ekonomike apo sociale. Nuk është e nevojshme që të sajojmë tregime sepse ne mësuesit i kemi përjetimet në jetën e përditshme.
U kërkohet nxënësve të tregojnë me shkrim ose me gojë një moment kur ata janë ndjerë të mërzitur dhe si e kanë zgjidhur; çfarë do t'u kërkoje zanave, apo përshkruaj një udhëtim, një shok, shoqe apo prindin.
Përmes atyre rreshtave të detyrës, të shkruara bukur apo të shkruara keq, kjo mësuese lexon që ky nxënës ishte mbyllur një ditë në ashensor nga inati i babit që ushtronte dhunë në familje, aty ti lexon që dikush u kërkon zanave të Mujit që prindërit e saj të mos grinden më, dikush tjetër dëshiron të takojë babain apo nënën e larguar nga jeta, një tjetër ndihet i mërzitur se nëna e tij i ka braktisur, dikush dëshiron një shtëpi të vetën sepse nuk ka fare…e plot raste të tjera me të cilat ne përballemi përditë, sigurisht edhe plot momente të këndshme na shoqërojnë çdo ditë e çdo orë. Ama ky nxënës, ka thyer një barrierë të madhe për veten, por edhe ty të beson shumë dhe më pas ky e ka më të lehtë të të “rrëfehet”, apo të të kërkojë mbështetje si mësuese për gjithçka që e shqetëson. Ty të mbetet si mësuese ta menaxhosh këtë situatë me qetësi dhe të shmangësh reagimet pozitive apo negative të nxënësve të tjerë, por akoma më e rëndësishme është që të mos lëndosh ndjenjat e tyre, apo akoma më keq t'i vrasësh ato.
Po. Po. Është nga ato momentet kur mësuesi quhet prind i dytë.
U përpoqa të trokas në derën e kujtimeve të mia, që të zgjoja njërin prej tyre, sepse u tundova nga ky konkurs. Në praktikën time, ashtu si çdo mësues, edhe unë kam të ruajtura në kujtesë plot mbresa e kujtime, të bukura e të trishta, të vjetra e të reja, të qarta e të mjegullta, të plota e copëza. Kujtoj emra, episode, vende, objekte, persona etj. Mund të shkruaj për suksese, vlerësime, surpriza, reflektime të ndryshme, projekte të realizuara, çmime të fituara, por do të veçoja një moment paksa delikat për mua në fillim, por shumë prekës në fund.
Nuk isha në fillimet e mia si mësuese, por kjo nuk do të thotë që jam e pagabueshme, madje nga gabimet përfiton mësime, të cilat më vonë të kthehen në bekime të papritura. E rëndësishme është shmangia e përsëritjes së gabimeve.
Është nga ato momentet kur nuk duhet t'u qëndrojmë korrekte kërkesave apo pyetjeve të librit, sepse na dalin situata të paparashikuara të cilat duhet t'i menaxhojmë pa lënduar askënd.
Në orën e leximit morëm një pjesë letrare që me sa mbaj mend fliste për marrëdhënien e një djali 13-vjeçar me emrin Simon me babain e tij. Pasi punuam disa prej rubrikave te tekstit, njëra nga kërkesat ishte: “Përshkruani babain tuaj nga pamja fizike, karakteri dhe tregoni për marrëdhënien që keni me të”. E mbaj mend shumë mirë që edhe e kam shkruar në dërrasë dhe pa u menduar shumë, u thashë: “Punë të mbarë”. Fillova të korrigjoja disa fletore shtëpie. Siç ndodh në këto raste nxënësit filluan të pyesin se si mund ta nisnin, ta bënin tekst apo të shkruanin vetëm cilësitë, e të tjera pyetje. U ngrita në këmbë dhe me një ton qortues u thashë:
-Nuk arrij ta kuptoj pse ju duket kaq e vështirë? Kemi bërë edhe detyra më të vështira. Shkruani lirshëm si të doni. Kjo është detyrë e bukur.
Fillova të lëvizja nëpër klasë dhe kur u afrova te rreshti i derës, banka e parafundit, Xh. më afrohet dhe më thotë me zë të ulët:
-Mësuese, po sikur ta bëjmë për mamin ka problem? Po S. që nuk e ka babin?
Në atë moment sikur më ra tavani në kokë. U kujtova që në atë klasë ishin 3 nxënës jetim me njërin prind, dy prej tyre nuk kishin babain dhe njëri nuk kishte nënën. Unë këtë e dija shumë mirë, edhe pse nuk e kisha klasën kujdestari këtë klasë.
Madje këta që nuk kishin babain, (një djalë dhe një vajzë), e kishin humbur kohët e fundit, njëri kur ishte klasa e pestë dhe tjetri në klasën e gjashtë. Djali që nuk kishte nënën, kishte qenë shumë i vogël.
Atëherë ngrita zërin dhe i them klasës që mund ta bënin detyrën për cilin prind të donin, sepse nuk ishte aspak problem, e rëndësishme ishte të shpreheshin. Ndërkohë gabimin, që kisha bërë, shkova dhe e korrigjova edhe në tabelën e zezë: “Përshkruani prindin tuaj dhe tregoni për marrëdhënien që keni me të”.
Pasi mbaruan disa nxënës, ishte momenti që duhet të lexoheshin disa prej detyrave. I pari e lexoi detyrën P. i cili si i shkathët që ishte, mbaronte gjithmonë shpejt, pa u kujdesur shumë as për shkrimin, as për përzgjedhjen e fjalëve por që ishte origjinal.
Pas P. detyrën kërkoi ta lexonte E. një vajzë e gjatë dhe e shëndetshme në krahasim me bashkëmoshatarët, e cila atë vit kishte ardhur nga Greqia, por që asgjë nuk e kishte penguar për të qenë ndër nxënëset më të mira. Edhe me shokët e klasës u përshtat shumë mirë. Ata shpeshherë qeshnin me theksin e saj, sidomos kur thoshte “...kur isha te Grekia dhe kur erdha te Skipëria...”, por ajo i pranonte me dashamirësi dhe buzëqeshte. Prindërit e saj ishin shumë të interesuar dhe vinin shpesh në shkollë për të pyetur për ecurinë e saj, sidomos e ëma.
...Edhe pse mendova se tashmë situatën e klasës e kisha në dorë, ajo ç’ka lexoi E. përmes rreshtave të fletores më turbulloi sërish. Kur filloi të lexonte ajo u ngrit në këmbë dhe u kthye pak gjysmë mbrapa që të ishte drejtpërdrejt me mua, pasi isha pozicionuar nga fundi i klasës. Kuptohej nga hyrja që kishte përshkruar nënën e saj, por kur filloi të fliste për marrëdhënien e saj me të, në fakt E. tregoi për marrëdhënien e bukur me njerkën. Pra ,nëna e saj kishte vdekur kur E. ishte e vogël dhe gruaja që unë kisha takuar në shkollë ishte njerka e saj (gjë të cilën aty po e dëgjoja për herë të parë).
Ndërsa E. lexonte unë lëvizja ngadalë nëpër klasë, që të mos i prishja ato momente magjike dhe vajza duke lexuar rrotullohej sipas drejtimit që lëvizja unë sikur të donte me patjetër miratimin tim për ato që thoshte. E dëgjoja se si i dridhej zëri, e shihja se si i dridhej dora, e ndieja se si i dridhej edhe zemra. Midis shumë fjalëve të bukura që thoshte për njerkën e saj më ngelën në mendje të fundit: “Edhe nëna ime e vërtetë të ishte, nuk besoj se do ishte më e mirë”.
Ndërkohë klasa duartrokiti, por jo nga ato entuziastet, por duartrokitje të qeta, të ngadalta, të zgjatura që tregonin pëlqim dhe miratim dhe ndërkohë të gjithë ishin të emocionuar dhe me lotë në sy. A thua që të gjithë kishin pësuar efektin “katarsis”! Shoqet u mblodhën te banka dhe e perqafuan. Ishte radha ime ta përqafoja. Ndjeva që ra mbi supin tim (sepse ishte më e gjatë nga unë) dhe po dridhej e gjitha.
...Kuptohet vetë vazhdimi, por zilja e pushimit të gjatë e ndryshoi situatën. Të gjithë iu drejtuan derës, ndërsa unë po mblidhja mjetet e mia. Ndërkohë E. vjen në klasë me shoqen e saj që të merrte ushqimin, të cilin me sa duket harroi ta merrte më parë. Duke hapur fletën e aluminit me të cilin e kishte mbështjellë, më afrohet si me droje dhe më pyet:
-Mësuese të pëlqeu vërtetë detyra ime?
-Jo vetëm detyra që më pëlqeu - , i thashë, - por mua më pëlqen shpirti yt, zemra jote, aftësia për të qenë mirënjohëse. Njeriu jep atë çfarë ka në zemër. Lum ata prindër që të kanë!
U largua me një kërcim lozonjar drejt derës së klasës...
Ja pra, këto janë ato momente që më motivojnë ta dua profesionin tim!
Ja pra pse i dua nxënësit e mi!
Ja pse ne mësuesit jemi misionarë, sepse para se të japim dijet shkencore, ne kultivojmë vlera.
Bota është e mrekullueshme po ta shohësh me sytë e fëmijëve!
Albana Dollani
Albana Dollani ka lindur më 18 shkurt 1974 në Fratar të Mallakastrës. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dega Gjuhë –Letërsi. Aktualisht jeton në Berat. Ka punuar mësuese në disa shkolla në qarkun e Beratit, për një periudhë 25-vjeçare dhe sot mban titullin “Mësues Mjeshtër”. Është organizatore e disa aktiviteteve dhe projekteve kulturore-artistike me nxënësit e saj. Pasioni për letërsinë është i hershëm, me vjershat dhe krijimet e para të cilat dërgoheshin në programet e dikurshme të radios apo gazetën “Zëri i rinisë”. Ka redaktuar disa libra të autorëve të ndryshëm. Në të ardhmen dëshiron të shkruajë një libër me kujtime dhe përjetime nga puna e saj si mësuese. Aktualisht punon mësuese në shkollën 9-vjeçare “Sali Gjuka”, në ZVA Dimal.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Karantinë 2020” nga Iriana Papamihali
“Pak nga 30 vite emocion, pasion dhe dashuri për profesionin…” nga Albana Rrushi
“Kush do të më brofë në këmbë nesër në mëngjes?” nga Thanas Dushku