“Ik mësuese!” nga Ermelinda Pashaj

“Ik mësuese!” është shkrimi letrar i mësueses Ermelinda Pashaj, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.

“Ik mësuese!” është shkrimi letrar i mësueses Ermelinda Pashaj, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.


“Ik ti mësuese! Pse nuk ikën ti?! Kur do ikësh?...“, më tha Eni javën e parë të punës me të. Kur e pyeta se përse duhet të ikja dhe përse nuk më donte mua, ai m’u përgjigj me gjithë pafajësinë që e karakterizonte se ai më donte, por unë duhet të ikja! Vazhdova më tej duke insistuar të marrë përgjigjen që e dija, se ai në të vërtetë donte të kishte pranë mësuesen që kishte para meje. Nuk u befasova dhe as që u mërzita për këtë sjellje, se tashmë unë e kisha kaluar një përvojë të tillë pune, ku m’u nevojit të depërtoja në psikologjinë e një fëmije dhe të njihja ndjenjat e ndjesitë që ai kishte...


***

Aleksi ishte një fëmijë çapkën, bukurosh dhe tepër i zgjuar. Hiperaktiviteti dhe disleksia e bënin atë të ishte më i veçantë nga fëmijët e tjerë, por ai ishte fëmija më i dashur dhe dashuria e tij ishte e sinqertë. 

Një vit më parë, sa u futa në klasën ku ishte ai, Aleksi më tha “Ik mësuese!”...

Shtanga, gati mbeta pa fjalë dhe u ndjeva vërtetë shumë keq. Pas disa minutash e mbetur si hutaqe, e mblodha veten dhe e pyeta se cilën mësuese donte! Ai me një hov të madh dhe me sytë që i shkëlqenin si xixëllonjë m’u përgjigj se donte mësuese Aldën (mësuesja që ishte para meje). Në një moment u dorëzova dhe seç më kapi ajo ndjenja e paaftësisë; për herë të parë po më dukej vetja e paaftë për të kryer një mision që më ishte dhënë dhe që s’po arrija ta kryeja ashtu siç duhej. Ndjeva një zhgënjim total për veten time, pasi të komunikoja dhe t’i bëja për vete fëmijët me nevoja të veçanta gjithmonë e kam quajtur si pikën time të fortë!


Megjithatë, misioni në vete mua shtua dhe i vura vetes detyrë që shumë shpejt ai fëmijë të më pranonte si mësuesen e tij, ndoshta siç kishte bërë dikur me mësuese Aldën. Pakkush mund të më besojë se ajo ndjenja e paaftësisë më ndoqi gati për një vit të tërë, më shtrëngonte fort përbrenda, më drejtonte dhe më kufizonte në çdo sjellje me të.


Sidoqoftë nuk m’u desh shumë kohë që ta njihja, të dija se cilat ishin dëshirat, pasionet dhe frikërat e tij. Me delikatesë i thosha për gabimet dhe nga ana tjetër me shumë përgëzime dhe vlerësime i vija në pah arritjet. Dalëngadalë filloi të krijonte besim te mua dhe ky besim lidhej edhe më fort me komunikimin që bënim me njëri-tjetrin. Arriti që për çdo problem, për çdo shqetësim që mund t’i vinte nga shokët, por jo vetëm, vinte dhe më shprehej pa drojë. Dita - ditës besimi u shtua aq shumë, saqë edhe problemet që kishte me familjen, vinte m’i thoshte dhe kërkonte mendimin tim.


Atij i pëlqenin mjetet prerëse dhe luante shumë me to dhe jo pak herë kishte pasur incidente, saqë një ditë e ëma për t’i ndalur këto lojëra, i kishte thënë se ajo kishte parë një ëndërr të keqe, sikur ai kishte marrë sëpatën dhe duke luajtur, kishte prerë këmbën! 

I frikësuar ditën tjetër vjen me vrap tek mua dhe më pyet se a ndodh të bëhen të vërteta ëndrrat që shohim gjatë gjumit? Për një çast u gjenda e papërgatitur për pyetjen, pasi nuk e dija kontekstin e saj dhe nuk mund të parashikoja pyetjen pasuese. U mendova pak dhe i thashë se varej nga ëndrra dhe nga njeriu që e shikon atë. I thashë se pse më pyeti dhe insistova duke dashur të zbuloja arsyen e pyetjes së tij. Më tha se mami i tij e kishte parë atë në ëndërr sikur mori sëpatën, shkoi te Ara e Madhe për të prerë dru dhe atje preu këmbën…

Pasi e dëgjova, vendosa t’i thosha një gënjeshtër të bardhë. 

“Kur nënat shikojnë në ëndërr fëmijët, ëndrrat janë të vërteta, ato dalin, prandaj ti nuk duhet ta marrësh më sëpatën në dorë dhe asnjë mjet tjetër prerës…”,- i thash.  

E kështu vazhdova më tej me një sërë këshillash të tjera....

Ai me shikonte në dritë të syrit dhe më dëgjonte me vëmendje, dukej sikur thithte çdo fjalë që unë nxirrja nga goja dhe të gjitha i nguliste në trurin e tij. Në fund më tha se nuk do e merrte më sëpatën. E përqafova dhe i dhashë se, nëse do vepronte kështu, do të bëhej djalë edhe më i mirë. Situata të ngjashme ndodhnin herë pas here, sepse ai tanimë më shikonte si shoqen e tij më të mirë dhe madje kishte raste që ndihej xheloz kur shoqet e klasës qëndronin pranë meje.

“Ik se është mësuesja ime!”, i tha një ditë Ajsit, shoqes së klasës. Teksa koha kalonte togfjalëshin “ik mësuese”, nuk po e dëgjoja më dhe emrin e mësuese Aldës po e dëgjoja çdo ditë e më rrallë.

Por, këtë vit për arsye të rregullave ligjore në punë, më duhej të ndahesha me Aleksin e të shkoja në një tjetër shkollë e të kujdesesha për një tjetër fëmijë. 

E megjithëkëtë, një ditë teksa shkova te shkolla e Aleksit për të marrë sendet e mia, ai më pa nga dritarja, erdhi me vrap në oborr dhe m’u hodh në qafë...

Nuk kishte emocion më të bukur për mua, u lumturova pamasë!

Mësuesja, që tashmë kishte zënë vendin tim më tha se kur e pyetën se cilën mësuese do, ai ishte përgjigjur se donte mësuese Mirën. Atëherë ndjeva se misionin që e mora përsipër një vit më parë, e kisha realizuar me sukses dhe ndjenja e paaftësisë, jo vetëm që u shkërmoq, por nga ana tjetër vetëbesimi dhe krenaria filluan të ngrinin krye!


***


Sot teksa përcillja Enin për në shtëpi, në një bahçe aty pranë dikush i dha tre kokrra mollë. Pasi i mori, u kthye nga rruga dhe dy prej mollëve m’i dha mua. Sigurisht që u ndjeva shumë mirë nga veprimin i tij, ky është një sinjal që do të thotë shumë për mua, pra ai po më pranon si mësuesen e tij. Megjithatë mollët nuk i pranova. Besnikërisht në mendjen time kam krijuar idenë se ne duhet t’u japim shumë këtyre fëmijëve dhe kurrsesi t’u marrim, prandaj nuk e pranova një gjë të tillë. 

Nga ana tjetër, këmbëngulja e tij ishte aq e madhe, saqë nisi të ndryshonte sjellje dhe të bëhej hiperaktiv. Menjëherë u pendova dhe e mora një kokërr, e ai në inat e sipër e hodhi në rrugë mollën e dytë. Në ato momente e ndjeva veten në faj, qetësisht e mora mollën nga toka dhe i kërkova falje. Ai u qetësua dhe më buzëqeshi, ndenji pak dhe pastaj u largua i lumtur për në shtëpi.

Tashmë jam mëse e bindur se kërkesa “Ik o mësuese”, nuk ishte për mua , por për këdo që mund të ishte në vendin tim, qoftë edhe për një mësuese që mund të kishte vite përvojë. Kuptimi i vërtetë i togfjalëshit “Ik mësuese!” ishte për të sjell mësuesen apo mësuesin me të cilin kishin kaluar një vit shkollor më parë. 

Këta fëmijë lidhen aq shumë me ne dhe na shikojnë si shokët e tyre më të mirë, saqë kur vjen puna tek ndarja, e vuajnë shumë dhe e kanë të vështirë që ta përballojnë zëvendësimin e një mësuesi me një tjetër. Sepse ata nuk janë si ne, janë më të dashur dhe më të brishtë. Gjithmonë të falin dashuri pa kushte dhe pikërisht kjo është arsyeja e vërtetë që i bënë ata të jenë ndryshe nga ne...



Ermelinda Pashaj 

Ermelinda Pashaj ka lindur më 4 shkurt 1989 në Hekal të Mallakastrës. Ka mbaruar shkollën e mesme Pedagogjike në Berat dhe studimet e larta në Universitetin e Vlorës, dega Gjuhë-Letërsi. Më pas ka përfunduar Masterin Shkencor për Pedagogji të Specializuar Sociale dhe në vitin 2021 ka kryer specializimin 3 mujor për Terapin ABA. Lidhja e saj me letërsinë ka qenë e hershme. Ermelinda ka qenë pjesëmarrëse dhe fituese në disa konkurse letrare. Ajo është fituese e Çmimit të Parë në Ese si dhe fituese e Çmimit të Publikut dhe Çmimit të Tretë në Prozë në Festivalin Letrar për të Rinj. Ermelinda është autorja e dy librave, të novelës “Ëndërrthyeset” dhe të përmbledhjes me tregime “Pasqyra e kohës sime”. Disa prej krijimeve të saj janë botuar në gazeta letrare dhe janë pjesë e disa antologjive. Ermelinda aktualisht ushtron profesionin e mësueses në shkollën 9 -vjeçare “Jani Bakalli”, Fier. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8,323 Lexime
9 muaj më parë