“Kaltrina”, nga Selim Tahiri

“Kaltrina” është shkrimi letrar i mësuesit Selim Tahiri, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.

“Kaltrina” është shkrimi letrar i mësuesit Selim Tahiri, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.



Sa herë hyj në klasë, nxënësit i gjej herë të gjithë ulur e herë në këmbë duke folur e duke qeshur me zë të lartë. Por jo atë të enjte. Për çudi, atë ditë, vetëm dy nxënës ishin në klasë. I pyeta, i habitur, se ku janë nxënësit e tjerë! 


 –Të gjithë janë prapa shkollës. Kanë shkuar pas Kaltrinës,  –m’u përgjigjën ata njëzëri. 


Derisaata po më jepnin përgjigje, nxënësit filluan të hyjnë në klasë, një nga një. Të gjithë ishin të trishtuar e të përlotur. Menjëherë e kuptova arsyen. Nuk i pyeta, sepse nuk doja që ta rëndoja edhe më tej situatën. Ariana u ngrit në këmbë. Me zë të dridhur e me lotët në sy më tha: 


 –Mësues kërkojmë falje për vonesën. Kaltrinës i ka ndërruar jetë mami, kur ka qenë vetëm një vjeçe. Dje ajo, për herë të parë, e ka vizituar varrin e saj dhe është mërzitur shumë.


Edhe pse isha gati të shpërtheja në lot, mezi e mblodha veten dhe i thashë:


 –Ju lumtë! Ju jeni shokë të vërtetë. I keni qëndruar pranë Kaltrinës, sepse ajo ka nevojë për mbështetjen tuaj. Dhembja bëhet më e vogël, kur e ndan me shokë e shoqe. 


E Kaltrinës i thashë: 

 –Ti nuk je e vetme. Ka shumë fëmijë që nuk i kanë më të dashurit pranë. Por ka kush kujdeset për ta. Ti e ke babin, e ke gjyshen, ke vëllezër e motra. I ke shokët e shoqet e klasës, që të duan shumë.


Pas kësaj bisede të rëndë nuk ishte e lehtë të vazhdonim mësimin. Më ra ndër mend një lojë, që Kaltrina e luan me shumë dëshirë. I ndava nxënësit në grupe. Ata sikur e lexuan mendimin tim: Kaltrina duhej të fitonte.


Ora mbaroi me brohoritje: Kaltrina! Kaltrina! Kaltrina! Asaj po i shkëlqente fytyra nga gëzimi. Dhe jo vetëm asaj, por edhe të gjithë nxënësve të tjerë…


Nuk është aspak e vështirë. Të gjithë mund dhe duhet që lotin e një fëmije ta kthejmë në buzëqeshje.




Selim Tahiri

Selim Tahiri ka lindur më 26 mars 1972, në fshatin Mushtisht. Ka kryer Fakultetin Filologjik, dega letërsi e gjuhë shqipe, në Prishtinë, si dhe Fakultetin e Edukimit dega gjuhë angleze, në Prizren. Studimet master për gjuhë angleze i ka kryer në kolegjin AAB, në Prishtinë. Ka mbi 15 vite punë në arsim. Aktualisht, është profesor në shkollën e mesme profesionale “Abdyl Ramaj”, në Suharekë. Përveç punës në arsim ka punuar një kohë të gjatë edhe si gazetar për gazetën “Epoka e Re” dhe për revistën “Kosovarja”. Për një kohë ka qenë edhe korrespodent për TVPz. Ka një numër të madh të trajnimeve që lidhen me mësimdhënien me metodat e teknikat e reja. Që nga viti 2021, është edhe bashkëpunëtor i ngushtë i OJQ “TOKA”, me ndihmën e së cilës edhe ka arritur të realizojë shumë projekte vullnetare. Me shkrime merret që nga fëmijëria. Tani është në përgatitje të librit të parë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,186 Lexime
8 muaj më parë