“Karvani i Librit” rikthehet në Kosovë, Albas mbështet bibliotekën në natyrë në edicionin e dytë
Nesër, më 5 gusht, në orën 17:00, në kuadër të Etno Fest në Kosovë, zhvillohet edicioni i dytë i “Karvanit të Librit - Biblioteka në Natyrë”. Me mbështetjen e Shtëpisë Botuese Albas, aktiviteti synon të promovojë leximin në natyrë dhe dashurinë për librin te fëmijët e të rinjtë.
Leximi del nga muret e bibliotekës dhe takohet me natyrën në edicionin e dytë të "Karvanit të Librit - Biblioteka në Natyrë", një aktivitet që do të zhvillohet të mërkurën, më 5 gusht, në orën 17:00, në kuadër të Etno Fest në Kosovë.
Me moton "Libri udhëton aty ku frymon natyra", aktiviteti synon të sjellë librin më pranë fëmijëve, të rinjve dhe familjeve, duke e kthyer leximin në një përvojë të veçantë mes gjelbërimit dhe vlerave të trashëgimisë kulturore.
Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij aktiviteti ka Shtëpia Botuese Albas, e cila i është bashkuar kësaj nisme në mbështetje të promovimit të leximit dhe edukimit përmes librit. Bashkëpunimi është bërë i mundur falë përkushtimit të mësueses Eranda Syla Sylejmani, e cila me angazhimin dhe kreativitetin e saj ka kontribuar në organizimin e kësaj veprimtarie.
Organizatorët shprehen të bindur se aktiviteti do të zhvillohet në frymën më të mirë dhe do të shndërrohet në një përvojë të bukur e të paharrueshme për fëmijët, prindërit, mësuesit dhe të gjithë dashamirët e librit.
Gjatë aktivitetit do të flitet për rëndësinë e leximit dhe të librit në formimin e brezave të rinj, ndërsa pjesëmarrësit do të kenë mundësi të dëgjojnë edhe poezi kushtuar librit, bibliotekës, gjuhës dhe dijes.
Ngjarje të tilla dëshmojnë se leximi mund të zhvillohet kudo, edhe në zemër të natyrës, duke krijuar një lidhje të veçantë mes fëmijëve dhe librit. Në atmosferën karakteristike të Etno Fest, kultura, tradita dhe dashuria për leximin do të bashkohen në një festë të përbashkët, duke e bërë librin pjesë të një përjetimi të gjallë dhe frymëzues.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Flori Kasaj: Si e përjetova angazhimin tim si kryetari jurisë së Fondit të Krijimtarisë Letrare “Libri për Fëmijë”, 2026
Mbi romanin “Imun” të autorit Tobias Xhaxhiu
Në mitologjinë greke, cili ishte heroi më “njerëzor”?