Pasioni për artin

Kejsi Xhemo: Piktura, arti i bukur që ndryshoi dhe plotësoi jetën time

Kejsi Xhemo, vajza e talentuar këtë herë ndryshe nga ajo që është mësuar të bëjë, rrëfen për portalin" Albas" mbi pasionin për pikturën. Artin e bukur që plotëson dhe zbukuron jetën e saj. Ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme për të kuptuar më shumë rreth botës artistike të Kejsit.

Kejsi është vajza nga Tirana që ka nisur të pikturojë që në moshë 7 vjeçare. Nisi fillimisht të pikturojë ato pikturat që mësuesja ngarkonte si detyra shkolle, por pasioni për të hedhur jetën në telajo, e bëri që ta çonte përtej një ore mësimore dashurinë për pikturën. Aspak e ndrojtur dhe me sytë që i shndrisnin nga dëshira për të treguar rreth asaj që plotëson, 15-vjeçarja na tregon se si nisi të pikturojë.

 Në një intervistë për Portalin Shkollor Albas, Kejsi na rrëfen pak nga bota e saj e veçantë e perceptimit të artit.

"Nëse një ditë do ta gjeja veten të ndarë nga piktura unë do të isha një hap larg vetes. Piktura është pasqyra ime, është reflektimi i asaj çka unë nuk e shpreh dot verbalisht. Ndaj nëse një ditë nuk do të pikturoja, do të dija më pak për vetveten, do të isha më e huaj ndaj asaj që jam", rrëfen ndër të tjera Kejsi. 


Për më tepër, në intervistën e mëposhtme, njihuni me pasionin e saj dhe atë që vërtet mund t'ju frymëzojë prej artit që bën.

 


Kejsi si fillim a mund të na tregoni diçka për veten?

Unë jam 15 vjeç, nxënëse në gjimnazin"Petro Nini Luarasi", në klasën e 10-të. Kam rreth 8 vite që merrem me pikturë dhe kam studiuar tre vite me mësues profesional.

 

Në cilën kategori bën pjesë arti juaj?

Arti im hyn tek arti pamor, i cili si formë komunikimi përdor gjuhën pamore.

 

Si i lindi frymëzimi për një pikturë Kejsit?

Frymëzimi im për pikturën nisi në klasën edytë. Duhet të bënim një vizatim të princesësh tonë të preferuar dhe mbasi unëe përfundova vizatimin kuptova se më bënte të ndihesha mirë, dhe më ndihmonte mua të shprehja ndjenjat e mia. Kjo ishte dita që unë kuptova se piktura për mua nuk ishte thjesht një vizatim në një fletë formati por ishte shumë më tepër. Një nga personat që më motivoji që të vazhdoja pikturën ishte gjyshi im.

 

Çfarë është arti për ju?

Arti për mua është vendi ku unë jam e lirë të shpreh ndjenjat e mia dhe emocionet. Nuk është diçka e lehtë duhet shumë vullnet, kurajë dhe durim. Arti është vendi ku unë dhe shumë piktorë të tjerë sfidojmë veten tonë që të arrijmë sa më shumë.


A keni ndonjë piktor/e të cilin e studioni apo edhe frymëzoheni. Është dikush që e përqasni në stilin tuaj punës?

Një nga piktorët që unë kam studiuar për dy vite është "Vincent Van Gogh", ky është një ndër piktorët që më frymëzon dhe që vazhdoj të praktikoj pikturën. Disa nga pikturat e tij më të famshme të cilat unë jam përpjekur ti bëj janë: ( Luledielli, The Srarry Nightdhe Cafe Terrace At Night).

 

A keni marrë pjesë në ndonjë ekspozitë ?

Po kam marrë pjesë në disa ekspozita të cilat kanë qenë të organizuara nga bashkia e Tiranës.

 

Ku e gjeni më shumë veten tek peizazhi, natyra e qetë, kompozimi apo portreti?

E gjej më shumë veten tek natyra e qetë dhe tek portreti.

 

A keni ndonjë pikturë, e cila është ende në studion tuaj të punës apo shtëpinë tuaj dhe s'keni dashur ta reklamoni? Pse?

Po në fakt, kam dy piktura në studion time, tëcilat nuk dua t'i reklamoj dhe një ndër arsyet që nuk dua, është se ato janë piktura shumë personale për mua.

 

Si do të ndiheshit nëse për një moment nuk do të merreshit më me pikturat tuaja? A keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë së pikturuari?

Nëse do të vinte një ditë që unë nuk do të mundja të vizatoja më, kjo gjë do të më lëndonte shumë dhe nuk do të isha më vetvetja.Për shumë njerëz piktura është thjesht një vizatim në një letër ku t’i thjesht e zhgaravit atë, por për mua dhe një pjesë të njerëzve është shumë më tepër,është vendi ku ne kemi mundësi të shprehim ndjenjat, emocionet dhe talentin tonë.

 

Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Planet e mia për të ardhmen janë që të bëhem një stiliste ose një arkitekte e zonja.

 

Intervistoi:Marina Kërçeli

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,707 Lexime
3 vjet më parë