Ambienti i kopshtit

Kopshti ideal, veshja, hapësira ...

Ky material është shkëputur nga udhëzuesi metodik për dosjen Hop – Hop, botimet Albas. Dosjet e parashkollorit ALBAS shoqërohen me udhëzues metodik.

Veshja e kopshtit

Gjatë aktivitetit ditor në kopsht fëmija është vazhdimisht në lëvizje dhe vazhdimisht në kontakt me bojëra, lapustila, ngjitës etj. Është mirë t’u sugjerohet prindërve që veshjet e fëmijëve të jenë sa më të rehatshme, mundësisht tuta dhe të pambukta, çorapet dhe shapkat të jenë me material jo të rrëshqitshëm; bluzat e sipërme të jenë me zinxhir që të vishen e të hiqen lehtësisht, pizhamet pa kopsa, këpucët jo me lidhëse, por me ngjitje ose zinxhir etj.


Rekomandohet që fëmijët të vishen me uniformë (ngjyrat mund të zgjidhen sipas gjinisë). Mbi përparëset e secilit mund të qëndisen figurëza simbolike, që ata t’i njohin lehtë përparëset e tyre. Në këtë rast është e mira që secili fëmijë të përdorë simbolin që ka përzgjedhur edhe për dosjen dhe për krevatin.

Mirë është që edhe mësuesja të vishet me përparëse.


Hapësira

Nëse fëmijët veprojnë në një mjedis të gjerë, ai mund të ndahet në zona të vogla e të dallueshme nga fëmijët, si zona e vizatimit dhe ngjyrosjes, zona e gjimnastikës dhe e lojërave fizike (e cila zakonisht është e pajisur me dyshekë të shtruar përdhe për t’u hedhur) për lojërat psikomotore, zona e teatrit e recitimit (zakonisht i mobiluar nga një si kuti si foltore me perde për teatër kukullash), zona e projektit etj.


• Është e mira që në korridor të vihen vendet e këpucëve dhe palltove e çantave ku të jetë vendosur simboli dallues i secilit.


• Po ashtu është mirë që në një kënd të jetë edhe biblioteka e librave për fëmijë, në të cilën të vendosen librat që do të lexohen gjatë vitit, por edhe të tjera që mund të sjellin vetë fëmijët.


• Edhe vendi i lodrave nuk ka pse të jetë gjithnjë i rregullt si një bufe. Lodrat prej pelushi, lodrat prej plastike (si kubat ndërtuese) apo ato prej druri mund të vihen dhe në kosha të mëdhenj plastikë.

Kërcimet e hedhjet (sidomos nga vende që kanë një hapësirë midis) përmbushin jo vetëm komponentët truporë e logjikë, por edhe ato emocionalë: largojnë frikën për t’u hedhur, motivohen të ndihen të aftë të përballojnë hapësirën, boshllëkun. Është vënë re se fëmijët që kanë probleme emocionale, duke e përsëritur shpesh aktivitetet psikofizike, kanë arritur ta kapërcejnë momentin që i bllokon të veprojnë, duke fituar hap pas hapi sigurinë në vetvete.


• Një vend i veçantë duhet lënë për materialet e riciklueshme (kuti kartoni, ambalazhe, gazeta e revista të vjetra, etiketa, sende polistreroli, çanta kartoni e plastike, shishe plastike, tapa shishesh, fara bimësh, makarona të ngjyrosura etj.), të cilat do të shërbejnë për punimet e fëmijëve.


• Të pasurit e një dhome të posaçme për lojërat psikomotore, do të ishte një lehtësi e madhe, por edhe në rastet kjo dhomë mungon, duhet sajuar një kënd i tillë, edhe pse pamja e jashtme mund të mos duket i përkryer. Ajo duhet të jetë e shtruar me dyshekë sfungjeri, me jastëkë dhe të jetë e rrethuar me materiale të buta që pengojnë fëmijët të vriten. Kështu fëmijët do të ndihen të sigurtë. 


• Këndi i mjeteve (dosjet, mjetet) që do përdoren gjatë kohës duhet të jetë në një vend të arritshëm për fëmijët, sepse do të jenë ata vetë që do të shkojnë t’i marrin dhe t’i lënë në vend.


• Kopshti i kopshtit. Nëse kopshti ka oborr të mjaftueshëm, është mirë që një kënd i tij të lihet për mbjelljen e bimëve (si lule ose perime) ose për të mbajtur kafshë, si zogj e pula, për të cilët fëmijët do të kujdesen. 


(Për të blerë dosjen "Hop - Hop", e cila është e përshtatshme për fëmijët e moshës 3-4  vjeç klikoni këtu, për të blerë udhëzuesin e kësaj dosjeje klikoni këtu.)


(Portali Shkollor)

5,273 Lexime
5 vjet më parë