“Kur stimulon vlerën” nga Evans Drishti

“Kur stimulon vlerën…” është shkrimi letrar i mësuesit Evans Drishti, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.

“Kur stimulon vlerën…” është shkrimi letrar i mësuesit Evans Drishti, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas. 


Në një mbrëmje të zakontë as që e imagjinon njeriu të ndodhë diçka “e pazakontë” që do mund të lërë padyshim një shije të mrekullueshme jo thjesht për një kohë të gjatë, por shumë përtej saj… 


Ora 23:00. Një tingëllimë e kuptueshme që shqisa e dëgjimit të troket në mendje se një mesazh ka mbërritur në telefon. I pritshëm apo i papritshëm?... Sikur s’kishe kohë të prisje një përgjigje bindëse, dhe instinktivisht merr telefonin në dorë dhe lexon: 


“Mirëmbrëma profesor. Shpresoj të jeni mirë. Sot po jetoj ditët më të bukura të jetës sime. Kam arritur një ndër majat më të larta të jetës sime. Shpresoj të jetë vetëm fillimi i rrugëtimit tim. Në këto ditë të veçanta dy njerëz janë që më vijnë në mendje t’ju shpreh mirënjohje dhe falënderime. Njëri është babai im, dhe tjetri jeni ju profesor i dashur. Ju falënderoj për besimin që keni tek unë dhe për tërë mbështetjet dhe përkrahjen që më keni dhënë gjatë këtij rrugëtimi në karrierën time si inxhinier. Shumë faleminderit!”.


S’është një trill kjo që po lexon, por një e vërtetë. Një student i yti po ngjet me hapa të sigurtë shkallët e një karriere që rrezaton dita-ditës. Ai është në Teksas të Amerikës në sajë të një projekti jetik në fushën e inxhinierisë kompjuterike, ku projekti i tij dhe për rrjedhojë i grupit ku bën pjesë është përzgjedhur në dhjetë projektet më të suksesshme në një konkurrim global. 


Mesazhi është falënderues dhe mirënjohës, shumë i ndjerë dhe i çiltër, real dhe bindës, e mbi të gjitha njerëzor. Të vijnë në kujtesë në çast tërë ato kohë që ke kaluar bashkë me të me bashkëbisedime të larmishme duke ofruar me modesti konsulta dhe sugjerime me vlerë dhe të mirëpeshuara, të cilat i kanë dhënë atij studenti një ngrohtësi shpirtërore dhe ideore që e kanë motivuar duke sfiduar gjithçka, për ta bërë atë të jetë sot “një vlerë”. Ai sot nuk ofron vetëm shërbime akademike tejet profesionale, por edhe konsulta mjeshtërore për brezat e rinj dhe të interesuarit. 


Ndaj dhe mendon, ja çdo të thotë “të shijosh” frytet e një impenjimi intensiv në fushën e edukimit… 

  


Evans Drishti 


Evans Drishti ka lindur më 10 shkurt të vitit 1978 ne Shkodër. Prej 20 vitesh punon pranë institucionit të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër.  Ai ka kryer studimet e para universitare në Turqi, në Universitetin “9 Shtatori” në Izmir për Teologji në Shkenca Sociale.  Ka kryer studimet e dyta universitare në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Më pas kam përfunduar studimet pasuniversitare për Master Shkencor në Letërsi për “Etnokulturë dhe Letërsi Shqipe”. Prej shumë vitesh ushtron detyrën e mësimdhënësit për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi pranë Medresesë së Djemve në Shkodër dhe njëkohësisht edhe përgjegjës për projektet kulturore artistike në këtë institucion. 

Prej vitesh është autor i dhjetëra shkrimeve të larmishme me tematike edukative, arsimore, kulturore dhe sociale në gazeta dhe revista të ndryshme si p.sh gazeta “Mësuesi” e MAS dhe gazeta “Koha Jonë”, ndërsa aktualisht shkruan intensivisht në Portalin Shkollor të ALBAS apo edhe në portale të tjera. Prej vitesh është pjesëmarrës në seminare të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si dhe organizator i shumë projekteve sociale e kulturore. Është njëkohësisht përkthyes i gjuhës Turke, ku ka sjellë në shqip disa vepra artistike, shkencore e politike nëpërmjet Shtëpisë Botuese Fan Noli.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

678 Lexime
8 muaj më parë