Libra nga autorë të Kosovës, me banim në Londër, bëhen pjesë e projektit mësimdhënës nga mësuese Anila Kadija
Për të dytin vit, projekti “Rrënjët në Kosovë” i mësueses Anila Kadija sjell libra nga autorë të Kosovës në zemër të mësimit në Londër, duke lidhur nxënësit me gjuhën amtare, identitetin dhe kujtesën kombëtare përmes letërsisë, historive personale dhe shembujve frymëzues.
Për të dytin vit radhazi, projekti mësimor “Rrënjët në Kosovë”, nën drejtimin e mësueses së gjuhës shqipe Anila Kadija, vjen si një udhëtim i emocional drejt identitetit, gjuhës dhe kujtesës sonë kombëtare. Ky projekt, i cili nga viti në vit po merr forma të reja dhe përmbajtje të pasuruar, mbetet i lidhur fort me thelbin e tij: Atdheun dhe rrënjët që na mbajnë të lidhur me të, pavarësisht se ku jetojmë.
Projekti i këtij viti përfshin vlerën e librave fizik në shqip nga autorë nga Kosova, të cilët i janë kushtuar edhe gjuhës amtare shqipe.
Aktiviteti i tyre letrar dhe artistik është një pasuri e madhe jo vetëm për lexuesin, por edhe për nxënësit tanë. Ata njihen me veprat e tyre, firmën e tyre si autorë, profilin e tyre si përfaqësues, ata njihen me shembullin e tyre.
Në shkollën “Ardhmëria Westminster”, grupet e moshës 5-10 vjeç u prezantuan me një vajzë të re me emrin Amina Nuraj, e cila ka botuar një libër interesant në vitin 2025 për rrënjët e saj në Kosovë, të titulluar “Une, bija e Atdheut”. Kjo vajzë është një shembull i bukur dhe domethënës edhe për nxënësit tanë, pasi ajo ka lindur dhe është rritur në Londër dhe flet e shkruan në gjuhën amtare. Libri me kujtimet e saj, historitë familjare dhe personale, përvojat që ajo i ka shkruar me aq sinqeritet në shqip është një frymëzim për breza të tërë. Leximi i një pjese të shkurtër. Njohja me portretin e kësaj vajze. Shfletimi i librit, pasi ka shumë foto të vjetra interesante, të zonës së Sanxhakut, nga e ka prejardhjen Amina.
Shikimi i fotove ngriti gjithashtu edhe shumë pyetje, në lidhje me kostumet popullore të zonës, mënyrën se si ndërtoheshin shtëpitë, për portretet e ndryshme të banorëve, etj.
Në shkollën “Ardhmëria Chiswick”, ku grupmosha është 10-15 vjeç, e zgjeruam fokusin letrar duke promovuar letërsinë e autorëve: Ibrahim Kadriu, Sami Islami, Aidan Hehir, Isuf Bytyçi, Ragip Kçiku dhe të tjerë në vijim.
U njohëm me biografitë e tyre, lexuam disa rreshta simbolikisht për t’u njohur me stilin e veprës së tyre letrare – gjuhësore.
Qëndruam pak më gjatë te veprat e autorëve që jetojnë në Londër, siç është profesori irlandez Aidan Hehir, në Universitetin “Westminster”, Londër.
Nxënësit e rritur e gjetën librin shumë interesant dhe të veçantë, në dy gjuhë njëkohësisht.
Një histori që i kushtohet, me Lulet e Srebrenicës, fakteve reale dhe dëshmive të një udhëtimi personal.
Një libër për ta konsideruar vërtetë pasuri në bibliotekat tona. Shfletuam librin e kritikut dhe hulumtuesit për gjuhën shqipe autori Sami Islami. U ndalëm te disa theksime gjuhësore që ai bën me aq saktësi, në librin e tij “Për gjuhën”. Lexuam poezi nga autori Sherif Bllaca të marra nga libri i tij “Le ta dëgjojnë kohërat këngën time”. Si kujtesë.
Vitin e kaluar, forma e këtij projekti ishte një histori personale nga mësuesja Vlora Vojvoda për qytetin e Vushtrrisë dhe mësuesja ndihmëse Alije Krasniqi për fshatin Smallushë në komunën e Lipjanit.
Kujtime të fëmijërisë, përshtypje nga shkollat që vazhdonin atje, familja, tradita ku zhvilloheshin edhe dasmat në Kosovë, fakte dhe ngjarje nga lufta çlirimtare, kthimi në atdhe dhe përjetime të bukura në kohën e tashme.
Ato kanë treguar fakte shumë të vlefshme të dedikuara për vendlindjen e tyre dhe kanë ndarë me ne foto, video, orendi, punë dore, harta apo pjesë përmbledhëse ligjëruese.
Projekti do të vazhdojë gjatë gjithë shkurtit, duke e pasuruar atë, çdo të shtunë me rrënjët në Kosovë.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Gladiola Busulla: Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur
Aktiviteti nga mësimdhënësja Fatlume Mehmeti për 17 Shkurt, Pavarësinë e Kosovës