GALILEO GALILEI

Lufta e Galileit për revolucion shkencor

Galilei, më shumë se kushdo tjetër, ka qenë mishërimi i optimizmit dhe i luftës tipike për revolucionin shkencor. Ka merita për një numër zbulimesh, të cilat do të ndryshonin kuptimin tonë për botën...

Kronologji

• Lindi në vitin 1564 në Pizë, Itali.

• Në vitin 1581 fillon studimet për mjekësi në Pizë, por nuk i përfundon.

• Në vitin 1583 vështron luhatjen e shandanëve në katedralen e Pizës, ku vëren se perioda e luhatjes ishte

e barabartë pavarësisht amplitudës.

• Në vitin 1586 shpik peshoren hidrostatike për përcaktimin e dendësive relative.

• Në vitin 1610, në bazë të skicës së vet, ndërton teleskopin, i cili vepron sipas parimit të përthyerjes së

dritës. Rezultatet e vëzhgimeve të veta i boton në Revistën Yjore.

• Në vitin 1632 boton Dialogun mbi dy sistemet kryesore të botës. Përplaset me Kishën, e cila e

detyron që të heqë dorë nga qëndrimet e veta kopernikane. Dënohet me arrest shtëpie.


Si gjatë jetës, edhe në fund të saj, kur ishte i detyruar të duronte burgosjen, Galilei, më shumë se kushdo tjetër, ka qenë mishërimi i optimizmit dhe i luftës tipike për revolucionin shkencor. Ka merita për një numër zbulimesh, të cilat do të ndryshonin kuptimin tonë për botën, njëkohësisht ka qenë kundër një shoqërie të dominuar nga dogma fetare, e cila ishte e vendosur që të shtypte idetë e tij radikale.


MATEMATIKAN

Edhe pse në fillim e bindën që të studionte mjekësi, pasioni i Galileit ka qenë matematika dhe besimi i tij te matematika mbështeti gjithë punën e tij. Por kontributi i tij shkencor më i rëndësishëm është zbatimi i matematikës në shkencën e mekanikës, një qasje bashkëkohore e matematikës dhe fizikës eksperimentale. Ai vështronte problemin, e zbërthente në një duzinë pjesësh të barabarta, kryente eksperimente të veçanta për secilën nga pjesët dhe pastaj analizonte rezultatet, gjersa të arrinte t’i paraqiste me një numër të caktuar shprehjesh matematikore. Më shumë sukses kjo metodë ka pasur në sqarimin e ligjit mbi lëvizjet. Akoma më e rëndësishme u bë ajo, kur shkencëtari italian rrëzoi shumë teori të Aristotelit mbi disa dukuri fizike, disa prej të cilave kishin ndikuar fuqishëm deri në kohën e tij, siç ishte p.sh., shpjegimi i Aristotelit se sendet e rënda bien në Tokës më shpejt se ato të lehtat. Duke përsëritur shumë herë eksperimentin që sfera me masa të ndryshme lëshoheshin nga pjerrësia (siç e thotë legjenda, sferat i hidhte nga kulla e pjerrët e Pizës), ai zbuloi se ato binin me të njëjtën shpejtësi. Kjo e çoi te teoria e nxitimit të trupave në rënie, e vërtetuar më vonë në mënyrë të pakundërshtueshme, sipas së cilës, në zbrazëti, të gjithë trupat në rënie të lirë drejt tokës përftojnë të njëjtin përshpejtim. Galilei e kundërshtoi Aristotelin edhe në diçka tjetër: ai pretendonte se, kur hedhim një gur, mbi të veprojnë njëkohësisht dy forca; njëra që ne tani e njohim si shpejtësi, e cila e shtyn të lëvizë në rrugë horizontale, dhe tjetra, që e shtyn drejt rënies dhe që e njohim si gravitet. Studimet e Galileit për rënien e lirë kanë pasur rolin kryesor në zbulimet e mëvonshme të Isak Njutonit.


LAVJERRËSI

Punët e hershme të Galileit i janë kushtuar studimit të lavjerrësit, i shtyrë nga vrojtimi i luhatjeve të llambadarëve në katedralen e Pizës. Eksperimentet  e mëtejshme i treguan se lavjerrësit i duhet e njëjta kohë që të arrijë nga njëra anë në tjetrën, pavarësisht se sa është amplituda e luhatjes. Në këtë fakt është bazuar puna e orës me lavjerrës, që e skicoi Galilei, dhe, pas vdekjes së tij, e ndërtoi i biri.


SHIKIMI PËRMES TELESKOPIT

Shpesh thuhet se Galilei ka shpikur dylbitë. Kjo nuk është e saktë; në kohën e tij ka pasur kopje dylbish edhe më të hershme, të prodhuara kryesisht në Holandë, ku dihet se mjeshtri i lentave Hans Lipersheji mori patentën për dylbitë e tij që në vitin 1608. Galilei, në bazë të parimit të dylbive të Lipershejit ndërtoi teleskopin e vet astronomik, një mjet shumë më i përsosur, që e përdori menjëherë për shumë zbulime astronomike. Mbështetësi i flaktë i pikëpamjes kopernikane të lëvizjes së planetëve, rezultatet e tij fillestare eksperimentale i botoi në gazetën Yjet (në 1610-n), si dëshmi për të mbështetur vërtetësinë e asaj teorie. Ka qenë i pari që zbuloi e krateret dhe kodrat e Hënës, njollat diellore dhe fazat e Hënës së Afërditës, si dhe vërejti yje të zbehta në largësi, që mbështetnin idenë e Kopernikut se gjithësia është shumë më e madhe sesa e kishte imagjinuar Ptolemeu. Edhe më i rëndësishëm ishte zbulimi i Jupiterit dhe i katër hënave, që i rrotulloheshin përreth, që kundërshtonte drejtpërdrejt mendimin e rrënjosur e të mbështetur edhe nga Kisha, se të gjithë trupat qiellorë rrotullohen rreth Tokës dhe se Toka është qendra e gjithësisë.


Arritje të tjera

Vepra e Galileit “Dialogu mbi dy sistemet kryesore botërore – ai i Ptolemeut dhe i Kopernikut”, e botuar në vitin 1632, në të cilën vihej në dyshim pikëpamja e Ptolemeut, tërhoqi vëmendjen e kishës inkuizicioniste. Nën kërcënimin e torturave, Galilei hoqi dorë nga sistemi arritje të tjera i Kopernikut. Veprat e tij u futën në listën e veprave të ndaluara (status që e patën deri në vitin 1835), kurse Galilei u dënua me burgim të përjetshëm shtëpiak. Por vala e përparimit shkencor që ngacmoi Galilei me veprën e tij, ishte e pandalshme.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

3,693 Lexime
5 vjet më parë