Arkimedi

"Më gjeni një vend ku të mbështetem, dhe unë do ta lëviz Tokën”

"Më gjeni një vend ku të mbështetem, dhe unë do ta lëviz Tokën”, këto fjalë Arkimedi ua drejtoi qytetarëve të Sirakuzës. Por pamundësia praktike që Tokës, për përmasat e saj, t’i sigurohej një pikëmbështetje, i mohoi Arkimedit piedestalin e ndritur.

Arkimedi

Rreth viteve 287 – 212 p.e.s.


Kronologji

• Në vitin 213 p.e.s. zmbrapset sulmi i romakëve në Sirakuzë me ndihmën e pajisjeve luftarake të Arkimedit.

• Në vitin 212 p.e.s. romakët pushtojnë Sirakuzën. Gjatë plaçkitjes së qytetit, Arkimedi vritet nga një ushtar.

• Në vitin 75 p.e.s. oratori romak, Ciceroni, gjen dhe rinovon varrin e Arkimedit.


"Më gjeni një vend ku të mbështetem, dhe unë do ta lëviz Tokën”, thuhet se këto fjalë Arkimedi ua drejtoi qytetarëve të Sirakuzës. Por pamundësia praktike që Tokës, për përmasat e saj, t’i sigurohej një pikëmbështetje, i mohoi Arkimedit piedestalin e ndritur, por fakti që padroni i tij, mbreti Heiron, lëvizi anijen me një lloz të vogël, nuk u konsiderua ndonjë çudi e madhe. Me thënie të tilla të guximshme, bashkë me shkëlqimin e tij si shpikës, shkencëtar dhe matematikan, nuk ka dyshim që ai ishte më i njohuri dhe më i vlerësuari nga bashkëkohësit e tij.


MATEMATIKANI

Veprat e Arkimedit nuk kanë qenë të dobishme vetëm për bashkëkohësit. Shumë nga zbulimet e tij na shërbejnë edhe sot. Ai, para së gjithash, ka qenë matematikan jashtëzakonisht i aftë dhe shpesh konsiderohet si një ndër matematikanët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, siç shkruhet në Enciklopedinë për dijetarët të Oksfordit. Ishte i pari që arriti në përfundimin se vëllimi i sferës është 4/3pr3, ku r është rrezja e rrethit. Puna e tij e mëtejme në këtë fushë, e paraqitur në traktatin Mbi sferën dhe cilindrin, e çuan atë në përfundimin se syprina e sferës mund të gjendet duke shumëzuar syprinën e qarkut më të madh me 4. Po ashtu ai arriti të zbulojë se sipërfaqja e sferës është e barabartë me dy të tretat e vëllimit të cilindrit të përshkuar përreth asaj sfere. Ai ka llogaritur se p ka përafërsisht vlerën prej 22/7, gjë që është përdorur për rreth 1500 vjet pas tij.


Më gjeni një vend ku të mbështetem dhe një lloz të gjatë, dhe unë do ta lëviz Tokën.


LIGJI I ARKIMEDIT

Arkimedi zbuloi edhe ligjin që tregon se në çdo trup të zhytur në ujë vepron forca shtytëse, e cila është e barabartë me masën e lëngut të derdhur. Sipas legjendës, mbreti Heiron i kishte kërkuar Arkimedit të zbulonte nëse njëra prej kurorave të tij ishte prej ari të pastër apo jo. Ndërsa Arkimedi mendohej për këtë pa pushim, u fut të lahej në vaskë. Aty vuri re se sa më shumë zhytej në ujë, aq më shumë ujë dilte nga vaska. Menjëherë kuptoi se kurorën duhet ta zhyste në ujë dhe në bazë të sasisë së ujit që do të dilte nga ena, do të gjente edhe vëllimin e kurorës. Duke krahasuar vëllimin e një kurore me ar të pastër, me vëllim e kurorës së dhënë, ai arriti t’i jepte një përgjigje mbretit. Thuhet se Arkimedi u gëzua aq shumë për zbulimin e vet, saqë doli nga vaska duke vrapuar lakuriq nëpër rrugë dhe duke bërtitur “Eureka!” (“E gjeta!”).


Makaraja DHE LLOZI

Por ajo që u interesonte më shumë bashkëkohësve të Arkimedit ishte përdorimi në praktikë i zbulimeve të tij, për të cilat edhe njihet në histori.

Një prej demonstrimeve praktike i mundësoi mbretit Heiron të lëvizte një anije me anë të një llozi jo aq të madh, të lidhur me disa lloze të tjera. Arkimedi ishte i bindur se eksperimenti do të ishte i suksesshëm, sepse ai tanimë e kishte përpunuar teorinë e përgjithshme për llozin.

Me llogaritje matematikore ai kishte gjetur raportin ndërmjet gjatësisë së llozit, pikës së mbështetjes, peshës që duhej ngritur dhe forcës së nevojshme për lëvizjen e ngarkesës. Pra, mund të parashikonte me sukses llojet e llozeve për objektet që do të zhvendoste. Po ashtu, ka zbuluar parimin e funksionimit të makaresë, çikrikut, vidës dhe pykës, si dhe ka gjetur metodën e përcaktimit të pikës së rëndesës për çfarëdolloj objekti.


ARKIMEDI SHKON NË LUFTË

Për bashkëkohësit e tij, më të rëndësishme kanë qenë makineritë luftarake, që krijoi gjatë rrethimit të Sirakuzës nga romakët, gjatë Luftës së Dytë Punike. Në fund, për shkak të mbrojtjes së dobët, romakët e pushtuan Sirakuzën, ndërsa Arkimedin e vrau një ushtar romak, ndërsa po punonte me skicat e tij matematikore. Thuhet se fjalët e tij të fundit kanë qenë: “Djalosh, mos i prek rrathët e mi!”


ARRITJE TË TJERA


Shpikjet

• Vida (helika) e Arkimedit: pajisje për nxjerrjen e ujit nga anijet, si dhe për ujitjen e fushave.

• Katapulta e Arkimedit: armë e madhe lufte, që fundoste anijet, e përdorur për mbrojtjen e Sirakuzës.

• Makaraja e Arkimedit: mekanizëm i thjeshtë për ngritjen e peshave të mëdha.

• Metodat stërlodhëse: metoda matematikore të ngjashme me llogaritë integrale, me të cilat Arkimedi ka arritur të llogaritë syprinat dhe vëllimet e sipërfaqeve të planeve dhe të trupave gjeometrikë.


Zbulimet

• Arkimedi me të drejtë konsiderohet themeluesi i hidrostatikës, shkencës mbi sjelljen e trupave kur zhyten në ujë (shih ligjin e Arkimedit). Ai ka zbuluar parimet e mekanikës statike dhe piknometrisë (matja e vëllimit dhe e dendësisë së trupave).

• Njihet edhe si “babai i llogaritjes integrale”. Llogaritjet e tij më vonë i ka shfrytëzuar Kepleri, Fermati, Lajbnici, Njutoni etj.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

13,723 Lexime
5 vjet më parë