INTELIGJENCA DHE MËSIMDHËNIA

Mësimdhënia e diferencuar dhe inteligjenca e shumëfishtë

Të gjithë ne jemi inteligjentë, posedojmë me inteligjenca të shumëfishta, por nuk e kemi të zhvilluar në të njëjtin nivel secilën prej tyre.

Mësimdhënia është: “veprimtari ndërpersonale, është akt i të dhënit mësim i drejtuar nga mësuesi, i cili planifikon dhe organizon zhvillimin e procesit mësimor dhe të të nxënit, që zhvillohet në proceset e: paraveprimit, bashkëveprimit me nxënës dhe bashkëpunëtorë të tjerë në mësim dhe pasveprimit që ka për qëllim analizën dhe vlerësimin e punës mësimore të zhvilluar".


Mësimdhënia është ajo që lehtëson procesin e të nxënit të nxënësve përmes realizimt të strategjive të llojllojshme e të përshtatshme mësimore me forma, metoda, të cilat bëjnë që të ndërrohet roli i nxënësit dhe të mësimdhënësit ku nxënësi bëhet aktor kryesor (subjekt aktiv) e jo spektator i thjeshtë.


Realizimi i strategjive efikase (formave, metodave, teknikave) mundëson alternativa të shumta në procesin e të nxënit dhe kjo bën që te nxënësit të zhvillojë, aftësitë organizative e menaxhuese, aftësi komunikative, nxit diversitetin në të nxënit e nxënësve dhe kreativitetin e tyre. Kujtoj se përdorimi – realizimi i strategjive efikase i jep kuptim rolit (menaxher) të mësimdhënësit në procesin e të nxënit, krijon baza të shëndosha për realizimin e të nxënit gjatë gjith jetës.


Shkollës, atmosferën (klimën) dhe bukurinë nuk ia sjell godina, muret apo mjedisi se ku është e ndërtuar shkolla, por këtë bukuri shkollës ia sjellin larmija e nxënësve që përfshihen në të. Nxënësit janë të ndryshëm nga njëri tjetri, secili ka kërkesa të veçanta, secili percepton, secili degjon, secili flet, secili mendon, secili mëson ndryshe nga tjetri, prandaj secilit duhet dhënë rasti! Një shkencëtar finlandez thotë: “Çdo njeri në këtë botë në një farë mënyre është: Sikur të gjithë njerëzit e tjerë, sikur vetëm disa njerëz të tjerë dhe sikur asnjë njeri tjetër” ata dallojnë nga njëri tjetri si: nga zhvillimi psiko – fizik,nga  kërkesa e interesa të ndryshme, afinitete, stile të ndryshme etj. po ashtu dallojnë edhe në procesin e të nxënit. Kujtoj se, klasa pra nuk është kolektiv i individëve të njëjtë. Ajo nuk bën të shikohet si grumbull kukullash të përmasave e të veçorive të njëjta. Nuk bën të kuptohet as si “njësit ushtarak”, ku secili anëtar i të cilit është i detyruar të ecën në hap e me ritëm të njëjtë. Këto edhe ca arsye të të tjera kanë bërë që në vend të mësimdhënies tradicionale të kërkohet që të zbatohet mësimdhënia bashkëkohore, gjegjësisht mësimdhënia e diferencuar.


Sot në botën moderne, kur flasim për një gjithpërfshirje në procesin e të nxënit dhe kur flasim për arsimim të mesëm të obliguar (përfshirjen e të gjithë semimaturantëve në arsimim), mësimdhënësit duhet t’i përgjigjen strukturës dhe përmbajtjes së kurikulës me më shumë strategji gjithpërfshirëse. Kjo mund të arrihet me realizimin e formave të ndryshme të punës mësimore (puna në grupe, puna në çifte, puna individuale) dhe modeleve të ndryshme të mësimdhënies të cilat vendosin në qendër të vëmendjes “sui generis” dhe marrin për bazë potencialet dhe aftësitë individuale të nxënësve, gjë që bën t’u dilet në ndihmë të gjith nxënësve pa marrë parasyshë vështirësitë që kanë.


Meqë mënyrat e të nxënët të nxënësve thënë metaforikisht janë aq të ndryshme sikurse ngjyrat e ylberit ( ka nxënës që preferojnë stilin pamor – vizual ka disa që preferojnë stilin dëgjimor – tipa auditiv; ca të tjerë preferojnë aktivitetin psikomotorik), është e domosdoshme që mësuesit të njohin se cilin stil preferojnë më shpesh nxënësit dhe ta kenë parasishë në procesin e mësimdhënies.

Përdorimi i modeleve alternative, strategjive të larmishme, formave të ndryshme mësimore, metodave ndërvepruese, programeve individuale etj. lehtëson procesin e të nxënit te të gjithë nxënësit.


Inteligjenca e shumfishtë

Inteligjenca është aftësia për të zgjidhur problemin apo për t’i dhënë formë një produkti, i cili vlerësohet në një apo më shumë mjedise kulturore. (Gardnet- Struktura e mendjes, 2003).

Siç përmendëm më lartë se dallimet në mes të nxënësve (mund të krahasohen me ngjyrat e ylberit), imponojnë zbatimin e mënyrave të paparashikueshme të të mësuarit e të njohjes. Çdo subjekt ka stilin e vet të të mësuarit dhe një formë të vetme të inteligjencës, që çdo subjekt, edhe në rast se ka një mangësi, mund të ketë një mënyrë të veten dhe origjinale të njohjes. Gardneri thotë se mendja e njeritut është një bashkësi e inteligjencave të vaçanta, që ai e quan “struktura të të menduarit”. Ai veçon zona të trurit ku janë të lokalizuara shtatë lloje të inteligjencës: gjuhësore, logjike – matematikore, muzikore, trupore – kinestetike, pamore –hapsinore, ndërpersonale, intrapersonale dhe natyrore. Me zhvillimin e teorisë së inteligjencave të shumfishta, Gardner thotë  se koeficienti i inteligjencës (KI) nuk duhet të matet si një shifër absolute ashtu si: pesha, gjatësia apo presioni i gjakut. Është gabim thotë ai, të hamendësosh se KI është një tërësi e fiksuar e vetme, e cila mund të matet përmes një testi. Ai shton se: “Nuk ka rëndësi sa i zgjuar je, por ka rëndësi për çfar je i zgjuar”, dhe sipas tij ne si qenie njerëzore, të gjithë kemi një aftësi për të zgjidhur probleme të llojeve të ndryshme.  Ai proteston ndaj pohimit se inteligjenca e një njeriu është një sasi e dhënë një herë e përgjithmonë e cila nuk mund të ndryshohet.


Kujtoj se për mësimdhënësit, prandaj është e rëndësishme njohja e kësaj teorie. Mësimdhënësit krahas njohjes së vështirësive në të nxënë, ata duhet të përqëndrohen edhe në aftësitë e nxënësve, në atë që ata janë në gjendje ta bëjnë më mirë. Mendoj se një parakusht tjetër për të pasur rezultate në këtë drejtim është besimi i mësimdhënësit në aftësitë dhe mundësitë e secilit nxënës.


Sipas teorisë së inteligjencës së shumfishtë është e domosdoshme nga mësimdhënësi që të njohin dhe nxisin në një hapësirë më të gjërë talentet dhe aftësitë e nxënësve, që do të thotë, se mësimdhënësit krahas njohjes së vështirësive që kanë nxënësit në të nxënë dhe përpjekjet për t’i lehtësuar ato, ata gjithashtu duhet të përqëndrohen në talentet e nxënësve.


Kujtoj se, nxënësi që karakterizohet me ndonjë vështirësi në të nxënë, mund të jetë shumë i mirë në ndonjë nga fushat tjera të dijes. Një nxënës nëse mund të ketë vështirësi në llogaritje matematikore nuk do të thotë se nuk mund të jetë një talent iveçantë në fushën e muzikës apo në ndonjërën nga fushat tjeta. Të gjithë ne jemi inteligjentë, posedojmë me inteligjenca të shumfishta por nuk e kemi të zhvilluar në të njëjtin nivel secilën prej tyre. Hetimi i prijoriteteve të inteligjencave të shumfishta në familje nga prindërit dhe në shkollë nga mësimdhënësit, mundëson fuqizimin e talenteve të nxënësve.



(Shpend Bajrami; Portali Shkollor)

5,480 Lexime
4 vjet më parë