Ese

Mësues, faleminderit për çdo copëz shpirti që e ndani me ne!

Maturantja Fiorela Hoxhaj nga gjimnazi “Asim Vokshi”, Tropojë, ndan me ne këtë shkrim të bukur dedikuar mësuesve të saj ndër vite, prej të cilëve me sa duket paska vlerësimet më të mëdha e u qenka mirënjohëse.

Njeriu i parë që më vjen ndërmend çdo 7 mars është mësuesja ime e parë, e cila ma shtrëngoi dorën me besim e më tha:"Eja pa frikë, se do te ecim bashkë!"


U nisëm dhe ja tek jam sot, me një "valixhe" plot me vete, që se di se ku do te më çojë. Jam maturante dhe pas pak muajsh pritet të dal atje e t’i bëj ballë botës e vetme, me armën time më të fuqishme: fjalën, që ju ma mësuat si ta përdor me mençuri.


Ishit ju ata që na mësuat se si t'i mbajmë këmbët në tokë kur duke ëndërruar fluturojmë shumë lart. Ishit ju ata, qe na mësuat se në jetë asgjë nuk arrihet pa punë, këmbëngulje, pasion, dashuri e përkushtim; se jemi ne ata që mbajmë në dorë timonin e jetës sonë edhe pse shpeshherë nuk e dimë se për ku jemi nisur; se asnjë sfidë nuk është më e madhe se forca jonë për ta përballuar; se jeta është aq e gjatë e na fal mundësi të jashtëzakonshme edhe atëherë kur gabojmë; se jeta është aq e shkurtër për t’u çuar dëm e për të mos e shijuar sa më shumë të jetë e mundur. Ishit ju ata që mbushët çdo boshllëk të hapësirës që priste për t’u ndriçuar, e në këtë labirint që kemi hyrë, e vetmja busull ku ne orientohemi është mbështetja juaj. E dimë edhe pa folur, e ndjejmë në zemrën tuaj të mbushur plot pasion për këtë profesion kaq të magjishëm. Veçanërisht e kuptojmë sidomos atëherë kur iu qeshin sytë nga arritjet tona, e më besoni se asnjë nga këto s’kanë nevojë për fjalë, sepse çdo fjalë e thënë do të ishte e tepërt ta vinim përballë jush!


Jo çdo ditë ua themi këto fjalë, e kjo është dhe e bukura e festës së 7 Marsit; ju dëgjoni falënderime dhe për gjënë më të vogël që ndoshta s’ua kishte marrë mendja se mund ta kishim vënë re, kurse ne, kuptojmë çdo vit e më shumë se si kush jemi sot e do bëhemi, është vetëm falë jush. 


Në këtë 7 mars, më duket sikur çdo urim është thënë e sikur përtëritemi me falënderime, por vetëm dua t’iu them se sikur ta dinit se sa krenohemi ne me ju e sa fort ju duam, atëherë do ta kuptonit se çfarë peshe të jashtëzakonshme mban emri juaj! 


Faleminderit për çdo copëz shpirti që e ndani me ne! 




Nga Fiorela Hoxhaj

Gjimnazi “Asim Vokshi”, Bajram Curri, Tropojë


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,717 Lexime
1 vit më parë