
“Mësuesja e klasës së parë...” , nga mësuesi Besnik Caka
“Mësuesja e klasës së parë...” është shkrimi letrar i mësuesit Besnik Caka, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
“Mësuesja e klasës së parë...” është shkrimi letrar i mësuesit Besnik Caka, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
Edhe sot, si rëndom mëngjeseve para punës, bashkë me mikun tim po pimë kafen në lokalin "tonë", diku përballë shkollës së njohur 9-vjeçare të qytetit,ku punon edhe bashkëshortja ime.
Kafja e mëngjesit gjithmonë më ka kujtuar përkëdheljet e nënës, kur më zgjonte nga gjumi për të vajtur në shkollë...Më duket sikur ka po atë efekt magjik të zërit të saj. Prandaj më pëlqen ta pi në heshtje, duke u përpjekur të "fle" edhe pak, ndonëse dita e re fshin pa mëshirë të gjitha ëndrrat. Dhe ato me nënën...
Për çudinë time, sot edhe miku im po e shijon pa fjalë kafen mëngjesore, duke i shtuar asaj vetëm shtëllungat e tymit të duhanit, që, në varësi të erës, marrin formë e drejtime të ndryshme...
Tek gjerb, vërej se oborri i shkollës përballë bëhet gjithnjë e më i zhurmshëm, pasi sot nis viti i ri shkollor...
Ia bëj me dije këtë mikut tim, por vështrimi i tij është mbërthyer tek një djalë i vogël, me çantë të bardhë në njërën dorë dhe një buqetë lulesh në tjetrën...
-Unë nuk e kam dashur mësuesen e klasës së parë...! - flet pa hequr sytë nga djali.
Ky pohim i tij, mua që ia njoh mirë zellin për dije, më kap disi në befasi.
- Po jam i bindur, edhe ajo s'më ka dashur ndonjëherë...- vazhdoi. Dhe ende nuk e di pse. Kam qenë fëmijë i urtë. Edhe si nxënës, isha i mirë, ndonëse nuk shkëlqeja.. Po, ku ta dish, ndoshta, po të më kishte përkëdhelur, qoftë edhe një herë të vetme, mund të isha bërë edhe i shkëlqyer...Mundet...
(Fjalën e fundit, shoqëruar me shtëllunga të gjata tymi, e shqiptoi në një mënyrë të tillë që, më tepër sesa një "mundësi" reale, ajo shënonte, në të vërtetë, fiks të kundërtën, "pamundësinë", dhe ai e shqiptoi atë gati-gati me nota dhimbjeje)
-Ë, si thua ti ? - m'u drejtua me zë më të plotë.
Por pa më lënë kohë të them diçka, (ndonëse s'di ç'mund të thosha në ato rrethana), vijoi po vetë...
-Se, shoku im i bankës, bie fjala, nuk ishte më i mirë se unë. Po atij gjithmonë mësuesja i përkëdhelte kokën, edhe për përgjigjet më të thjeshta...Dhe e di? Në këtë rast unë kisha dhe një tjetër siklet: sa herë përkëdhelte kokën e shokut tim, që ishte në anën e murit, ajo duhej të "përkëdhelte" me gjoks kokën time...
Unë skuqesha nga kjo gjë. (Njëherë, kur nëna ime kishte ardhur në shkollë për të pyetur për mua, ajo i kishte thënë: "është i urtë dhe shpesh skuqet pa shkak"...)
Gjeta rastin për ta "shpotitur" pak e për ta shkundur nga kujtimet e hershme të klasës së parë...Por ai ishte përhumbur tashmë...
-Ti je më i vogël, nuk ke arritur të shkruash me penë. Ç'mundim i madh të shkruaje e të kujdeseshe që të mos pikonte boja në fletore!
Sidomos në gjuhë, ku për të shkruar një fjali të plotë, duhej ta zhytje penën disa herë në bojën e kallamarkës. As sot nuk e kam harruar fjalinë që duhej të shkruanim disa herë në shtëpi, në lëndën e gjuhës: “Teuta mori patate”.

Kur isha gati duke mbaruar, vetëm dy rreshta nga fundi, prej penës ra pa mëshirë një pikë bojë mbi fletoren e detyrave. Si fëmijë, pa u menduar dy here, sakaq zgjata dorën ta fshij dhe, kuptohet, e ndota më tepër...
Por më e keqja dhe zhgënjimi do të vinte në mbrëmje. Kur nëna më kontrolloi vlerësimet e mësueses, pashë që në detyrën e gjuhës isha vlerësuar me notën 5...
Nëna nuk më tha gjë, vetëm më përkëdheli kokën. Ndërsa unë, që nga ai moment u betova se nuk do ta doja kurrë mësuesen time të klasës së parë... !
Jo se nuk më kishte përkëdhelur ndonjëherë ,(edhe për këtë, sigurisht), por sepse më kishte vënë një notë të pamerituar...Unë i kisha shkruar shumë bukur fjalitë, pavarësisht njollës së bojës mbi fletore!
... Në oborrin përballë, zilja i ftoi nxënësit të hyjnë në shkollë. Ajo solli në vete edhe mikun tim. Teksa ndaheshim, s'harroi të më porositë:
- Bëji të fala Zanës, uroja vitin e ri shkollor nga unë .Dhe kujtoje që asnjëherë të mos harrojë t'i përkëdhelë fëmijët... !
Besnik Caka
Besnik L. Caka ka lindur më 6 dhjetor 1968, në Çorovodë, Skrapar. Diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, më 1991, për gjuhë shqipe dhe letërsi. Prej vitit 1994, jeton e punon në Korçë, ku aktualisht jep lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Themistokli Gërmenji” të këtij qyteti. Veç publikimeve në organe të ndryshme, kryesisht fabula, ka botuar dhe këto vëllime me fabula: “Gjah”- 2006 , “Gishti i mesit”-2008, “Baloja mbeti pa gojë”-2021. Tregimi i mësipërm është shkëputur nga vëllimi me tregime, në dorëshkrim, “Pusi i harruar”…
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Më duket sikur jam pa atdhe...” nga Blerina Behari
“Mësuesia, misioni që mbajmë mbi supe”, nga Sara Fahem
“Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi” nga Miranda Agolli