“Motivimi kundër heshtjes” nga Rudina Luzi

“Motivimi kundër heshtjes” është shkrimi letrar i mësueses Rudina Luzi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

“Motivimi kundër heshtjes” është shkrimi letrar i mësueses Rudina Luzi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.



Në kujtesën time kam të ruajtura shumë thesare të çmuara që lidhen me karrierën time 16-vjeçare si mësuese, data, ngjarje, personazhe. 

Nga rutina e përditshme, nisur nga angazhimet e shumta, nuk i nxjerrim nga aty, por i lemë të struktura ...të shenjta. U desh pikërisht ky konkurs që të rrëmojmë nëpër to. 



Ishte viti 2020, kur në klasën e gjashtë më erdhi një nxënëse, e cila spikati që në fillim me heshtjen e saj.

Ndoshta do të çuditeni, me të drejtë, se kështu u çudita dhe unë në fillim. Kur them “me heshtjen e saj”, dua të theksoj që nuk i ndihej zëri fare në klasë. Dhe kur e pyesje për emrin, përgjigjeshin shokët e shoqet e klasës për të. 

Kaloi një javë, kaluan dy, tre... I lashë kohë, sepse mendova që kalimi nga cikli në cikël ndoshta i ka krijuar stres. Më pas fillova t'i afrohem te banka në çdo orë që kisha mësim në atë klasë. Me zor ngrinte kokën të më shikonte. Më hidhte vështrime të shkurtra, tinëz.  


U interesova te mësuesja e fillores për të mësuar diçka më shumë. “Kështu ka qenë që nga klasa e parë. E turpshme, e ndrojtur. Edhe në mësim nuk aktivizohet”, këto ishin fjalët e ish-mësueses. Çudi, thosha me vete?! Si ka mundësi? Kemi parë nxënës të urtë, por jo të heshtur! 

Kaluan ditë e javë. Mundohesha ta aktivizoja në orët e mësimit për të lexuar pjesë leximi. ...

Ishte e kotë, nuk hapte gojë fare. 


Gjithçka m’u kthye në ankth dhe shqetësim. Nuk më kishte ndodhur kurrë një rast i tillë. Ç’të bëja? Çdo ditë më rrinte si çekan në kokë e njëjta pyetje. Fytyra e saj rrumbullake dhe sytë shprehës kërkonin ndihmë. Arrija ta lexoja vështrimin e tyre. Nuk u tërhoqa. Çdo orë mësimi gjeja një moment dhe shkoja e ulesha në bankën e saj. Qenia e saj gëzonte. E ndieja. 


Mbas dy muajsh nisi të më jepte një buzëqeshje në cep të buzëve, kur hynte në klasë. “Ëmmm, shenjë e mirë”, - thosha me vete. 


Mendova dhe tentoja ta ‘ngacmoja’ për ta nxjerrë nga gjendja. I kërkoja të më jepte pak stilolapsin me pretekstin që nuk po më shkruante mirë i imi. Afrohej ngadalë, por e gëzueshme. I kërkoja të mblidhte fletoret e detyrave të shokëve dhe shoqeve. Mundohesha të bëja ndonjë bisedë veçmas, por përgjigjej shkurt . Kështu dalëngadalë krijuam një komunikim verbal bashkë. 


Kaq pak më duhej... 

Por, atë dite nuk e harroj kurrë!

U kisha dhënë nxënësve për të mësuar përmendsh një poezi. Hyra në klasë dhe, pasi përshëndeta, kërkova që secili nxënës të thoshte poezinë, ashtu i ulur nga banka. Filloi banka e parë, e dyta, e kështu me radhë. Kur i erdhi radha asaj, u krijua një qetësi e frikshme. Sytë  e të gjithëve u drejtuan tek ajo, ndërsa unë nuk mundesha ta shikoja, sepse e prisja heshtjen e saj. Hodha sytë jashtë dritares, por mendja më mbeti tek ajo... 


Heshtja vazhdoi dhe 5 minuta...

Kur më në fund, pas kësaj pritjeje erdhi momenti që në klasë të ndihet zëri i saj, që vinte pak i mbytur, pak i mekur. Nisi të citonte vargjet. Nuk po u besoja veshëve. Ktheva kokën. Oh, sa m’u dhimbs... kishte mbledhur të gjitha forcat. E tregonte skuqja e fytyrës, e tregonin sytë e hapur. Kur mbaroi, të gjithë nuk mbanim lotët... 


“Mësuese,- me thirri një nga nxënëset, duke qarë, - është e para herë në këto gjashtë vite që i dëgjojmë zërin në mësim” . 

Ia mora fytyrën në duar, e ledhatova duke e puthur dhe i pëshpërita ne vesh: “E kaluam, zemër, kaq ishte!”. 


Ndrojtja kaloi. Nxënësja tashmë ngrihej në tabelë, lexonte rrjedhshëm dhe aktivizohej në çdo lëndë. Përmirësoi shkrimin, artikulimin. Në klasën e nënte mori pjesë dhe në konkursin e gjuhës shqipe. A ka kënaqësi më të madhe për mësuesin?!


Sa pak duhet për të marrë shumë .Prandaj nuk duhet të përpiqemi që të jemi një sukses, por një vlerë!



Rudina Luzi

Rudina Luzi u lind më 07 qershor 1977 në Elbasan. Studimet e larta  i kreu në Fakultetin e Shkencave Humane dega Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Për gati tri vite ka  punuar si vullnetare  në qendrën “Mbrojtja e të drejtave të gruas” në Berat, për trajnime të kurseve të formimit profesional. Gjithashtu ka kryer trajnimin për ndërmjetësim pranë DHKN, Tiranë. Aktualisht është drejtoreshë në shkollën “Idriz Pepa” në Gjyralë të Elbasanit. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,254 Lexime
9 muaj më parë