FRANSIS BEJKËNI

Ndikimi i Bejkënit në të ardhmen e shkencës

Vepra e Bejkënit, ka ndikuar jashtëzakonisht në të ardhmen e shkencës. Metodës shkencore mund t’i qasemi në mënyrë të rregullt, vetëm nëse shmangim barrën e metafizikës...

Kronologji

• Bejkëni lindi në vitin 1561 në Londër.

• Në vitin 1594 merr titullin “Magjistër” në Universitetin e Kembrixhit.

• Në vitin 1605 në Angli ngjitet në fron mbreti skocez Xhejmsi I.

• Në vitin 1607 mbreti Xhejmsi I e emëroi Bejkënin si këshilltarin e tij.

• Në vitin 1613 emërohet avokat shtetëror.

• Në vitin 1620 në veprën Organoni i Ri sqaron se metoda shkencore duhet bazuar patjetër në

eksperimente.

• Në vitin 1621 karriera juridike e Bejkënit përfundon me skandal dhe poshtërim.


Nëse Uilliam Gilberti në librin Mbi magnetet... propozoi me ndrojtje qasjen e re racionale ndaj shkencës eksperimentale, Bejkëni, njësoj si gjeli mbi çati, ia shpalli botës lindjen e kësaj metode të re. Edhe pse nuk ishte një shkencëtar i mirëfilltë, Bejkëni kristalizoi metodologjinë, e cila u bë baza e revolucionit shkencor, që më pas do ta ndryshonte botën në mënyrë drastike. Ironikisht fatit, ai e njihte pak veprën e Gilbertit, megjithatë, i luste shkencëtarët që në studimet e tyre të mbështetnin pikërisht qasjen sistematike.


FILLIM I HERSHËM

Bejkëni dëshmoi inteligjencë që kur, në moshën 12-vjeçare, u regjistrua në kolegjin “Triniti” të Universitetit të Kembrixhit. Në moshën 23-vjeçare u zgjodh nga Dorseti përfaqësues i tyre në parlament dhe, po në këtë kohë, mori   diplomën për avokat. Ai do të bënte një karrierë prestigjioze në Gjykatën Mbretërore të Jakobit I, duke arritur deri te Lord Kancelari i Anglisë. Mirëpo, në vitin 1621 ai do të pësonte një rënie të menjëhershme, pasi do të dënohej për mitmarrje, duke mbetur kështu pa pozicion dhe pushtet. Por si para, ashtu edhe pas dënimit, Bejkoni u mor me studimin e filozofisë dhe të shkencës. Dy prej veprave të tij kanë lënë më shumë gjurmë në historinë e shkencave. Njëra është Progresi i të mësuarit e vitit 1605, në të cilën ai ka shprehur pakënaqësinë e vet ndaj kufizimit të atëhershëm të qasjes shkencore dhe parashikoi se në të ardhmen, shumica e veprave të mjeshtërve të lashtë do të ishin të tejkaluara. Vepra tjetër është Organoni i Ri e vitit 1620. Ajo fuqizonte frymën e veprës së parë dhe kundërshtonte guximshëm pikëpamjet e Aristotelit dhe mënyrat e qasjes së tij ndaj studimit të botës. Vetë Aristoteli kishte një vepër me titull Organon ose Punët logjike, dhe Bejkëni me fjalën novum (i ri), në titullin e veprës së tij, tregonte se ishte fjala për kahe alternative të kërkimeve shkencore. 


KRITIKA NDAJ METODËS

Në veprën e tij Bejkëni kritikoi me forcë uji metodën deduktive për shkencën të Aristotelit, që përfshinte formulime të ideve abstrakte dhe rrjedhimet e tyre “logjike” për të mbërritur hap pas hapi tek “e vërteta”, pa shqyrtuar plotësisht nëse baza teorike, ishte ose jo tërësisht e vlefshme. Si metodë alternative, Bejkëni propozoi arsyetimin induktiv, i cili mbështetet në pohime “të sigurta”, bazuar në vëzhgime të përsëritura dhe në prova të grumbulluara nga bota reale. Bejkëni u kërkonte shkencëtarëve që përfundimet t’i nxirrnin vetëm nga të dhëna “të njohura”, të mos mbështeteshin në paragjykime dhe të shqyrtonin me dyshim zgjidhjet e mendimtarëve të lashtë, jo siç kishte ndodhur në të shumtën e rasteve për dy mijë vjet. Mbledhja e të dhënave, nga mund të nxirrej vetëm ajo që ishte e sigurt, kërkonte një qasje shkencore racionale dhe përdorimin e “Tabelave të shembujve krahasues” të Bejkënit, që në thelb ishin udhëzime metodologjike kërkimore, për mënjanimin e detajeve të parëndësishme dhe nxjerrjen në pah të fakte të vërtetuara.


FUNDI I PARAKOHSHËM

Organoni i Ri ishte një pjesë e veprës, të cilën Bejkëni kishte parashikuar për qasjen e re, që do ta botonte në gjashtë vëllime me titullin Instauratio. Por vdekja e parakohshme nga bronkiti, nuk e la ta përfundonte. Plani i tij, përveç skicimit të metodës së re të kërkimit shkencor, ishte të bënte riklasifikim të ri të shkencave, sipas një ndarjeje të re; të grumbullonte një koleksion “faktesh” shkencore; të sillte shembuj ku metoda e tij kishte pasur sukses dhe të shpallte një filozofi të re të bazuar në suksesin praktik të metodës së tij.


Arritje të tjera

Edhe pa studimet shtesë, që kishte parashikuar, të cilat asnjëherë nuk arriti t’i shkruante, vepra e Bejkënit, ka ndikuar jashtëzakonisht në të ardhmen e shkencës. Veçanërisht në shekullin e shtatëmbëdhjetë, Revolucioni Shkencor gjeti në veprën e tij kornizën e përshtatshme për të vepruar. Shumë shembuj tregojnë se ajo vazhdon të ndikojë edhe sot. Ndjekësve të metodës së vet, Bejkëni u bënte thirrje të arritje të tjera hiqnin dorë nga katër llojet e idhujve intelektualë:

• Gënjeshtrat e ndjeshme – “idhulli fisnor”

• Paragjykimet vetjake – “idhulli i shpellave”

• Ngatërresat gjuhësore – “idhulli i tregut”

• Përbërjet dogmatike filozofike – “idhulli i teatrit”

"Metodës shkencore mund t’i qasemi në mënyrë të rregullt, vetëm nëse shmangim barrën e metafizikës", -thoshte Bejkëni.



Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai

(Portali Shkollor)

2,744 Lexime
5 vjet më parë