Profil

Një nxënëse me plot energji pozitive si Sirea Bombaj

Shkrimi më poshtë i dedikohet Sirea Bombajt, për gjithë gjërat e bukura dhe frymëzuese që bën në jetë...edhe pse është vetëm 12 vjeçe!


Sirea është një vajzë 12 vjeçe, dhe ndjek klasën e gjashtë. Ajo është shumë e shkathët, ka energji të pashtershme dhe mundohet që këtë energji ta reflektojë në çdo aktivitetet që ajo ndjek, si brenda dhe jashtë shkollës. Sirea edhe në pushim, ose kërcen, ose këndon, pra nuk rri në një vend. Është dhe vajzë shumë e shoqërueshme dhe e duan të gjithë. Ka shumë talente me të cilat do njiheni pak më poshtë. 


Pasionet e Sireas


Sirea ka shumë pasione, te të cilat ajo rrezaton atë energji të bukur që ka brenda vetes. Asaj i pëlqen shumë të aktrojë, të kërcejë, por i pëlqen shumë edhe volejbolli. Sirea thotë që këto aktivitete ja bëjnë jetën më të lumtur dhe e ndihmojnë të ketë një jetë më sociale. Ajo miqësohet shpejt me të gjithë ka shumë mirësi brenda vetes. Kur e pyesim Sirean se çfarë pëlqen më shumë, muzikën, kërcimin, pikturën apo aktrimin, ajo përgjigjet se aktrimi i përmban të gjitha, edhe letërsinë, pra i pëlqen shumë të aktrojë. Aktrimi e ndihmon edhe të flasë bukur dhe rrjedhshëm.


Skena


Sirea ka një lidhje të hershme me skenën, sepse edhe babai i saj është aktor. Sirea është shumë e lirshme jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në skenë. Ajo e mban mend daljen e saj të parë në skenë në moshën 3 vjeçare, në skenën e Tring TV. Ajo ka performuar edhe në skena teatrosh si në Korçë, Vlorë, Fier, Durrës, Ulqin, etj. 


Madje në Pallatin e Koncerteve Sirea ka qenë bashkëmoderatore, përkrah Ardit Gjebreas, për tri netë me radhë, përballë jo pak, por 6000 spektatorëve. Ajo akoma i kujton ato netë të mbushura me emocion dhe me duartrokitjet e publikut. 


Dita e Sireas


Sirea është nxënëse shumë e mirë që punon shumë dhe kjo duket në rezultatet që ajo merr. Pjesën më të madhe të ditës ajo e kalon duke u marrë me mësimet dhe detyrat. Pjesën tjetër të ditës ajo merret me pasionet e saj dhe mundohet të përmirësojë aftësitë e saj në çdo aktivitet që ajo bën. 

Por nuk le pas dore edhe qenushin e saj që e do shumë dhe çdo pasdite e merr dhe shëtit bashkë edhe me familjen e saj. 


Çmimet


Sirea është nderuar me çmimin “The Best Junior Actor” në Maratonën Stand Up Tirana, Konkurs aktrimi.


Sportet


Sporti është një pjesë shumë e rëndësishme për Sirean. Ajo është marrë me sport që në moshën 3 vjeçe dhe që atëherë nuk e ka ndarë atë nga jeta e saj. 

Sporti i volejbollit për Sirean është sporti më i bukur, sepse të ndihmon thotë ajo për të patur një fizik të shëndetshëm dhe të bukur. Ajo ndjehet shumë e lumtur kur merret me sport, sepse sporti e ndihmon që të kthjellojë mendimet.

Sireas i pëlqen shumë edhe t’i japë biçikletës dhe me krenari na thotë që një herë ka bërë rreth 50 km nga Pogradeci në Qafë Thanë bashkë me babin e saj me biçikleta. Ajo bashkë me babin e saj dalim me biçikleta çdo ditë rreth orës 5 të mëngjesit, ku i gjithë qyteti i Tiranës duket sikur i përket vetëm asaj. I pëlqen ajri i pastër i mëngjesit dhe dita e re që po lind, bashkë me ëndrrat e saj.


Qenushi Ozi

Sirea ka një qenush që e do shumë dhe quhet Ozi. Për Sirean, Ozi është shoku i saj më i ngushtë. Ajo jo vetëm luan dhe shëtit me të, por edhe kujdeset për Ozin. Sirea thotë që nuk e imagjinonte se sa shumë do t’ja ndryshonte jetën Ozi.


Përparësitë e Sireas


Sirea është shumë kërkuese ndaj vetes dhe mëson shumë, sepse dëshiron të jetë aktore e shumë dimensioneve. Ajo e ka kuptuar që duhet të punojë fort, pavarësisht problemeve që do t’i dalin në jetë dhe nuk do të heqë kurrë dorë nga ëndrrat e saj. Sigurisht ajo nuk mendon të ndahet as nga sporti. Mbi të gjitha ajo e do shumë jetën, dhe kërkon ta jetojë bukur atë.


Sirea dhe miqtë


Sirea sillet shumë mirë dhe kudo që shkon ajo bën shokë dhe shoqe të reja. Ajo thotë që të kesh miqësi të mire, duhet edhe vetë të jesh person i mirë dhe i drejtpërdrejtë. Ajo ndjehet shumë e lumtur që e ka arritur këtë gjë dhe si rrjedhojë ka shumë shokë e shoqe në komunitete të ndryshme si në shkollë, sport, etj.


Pika e fortë e Sireas


Sirea na rrëfen se pika e saj e fortë është pozitiviteti që ajo ka dhe nuk lejon që të tjerët të ndikojnë në pozitivitetin e saj. 


Pika e dobët e Sireas


Sirea na thotë se pika e saj e dobët është menaxhimi i kohës, sepse është shumë e zënë me aktivitetet jashtëshkollore. Ajo mundohet dhe dëshiron shumë që ta përmirësojë menaxhimin e kohës. Prindërit e saj e kanë mësuar që koha është monedha më e shtrenjtë për të pasur një jetë të suksesshme. 




Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,163 Lexime
1 vit më parë