Ese

Njeriu dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për përparim shkencor dhe përsosje morale

Duke u mbështetur në argumentet që poeti vë në gojën e Uliksit në vargjet e mëposhtme, ky është një shkrim eseistik nga nxënësi Klestid Poloska me temë: “Njeriu dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për përparim shkencor dhe përsosje morale”.


“Prej ç’fare jemi s’duhet ta harroni:

Ju s’kemi lindë veç sa me ngrënë si shtasë,

Po që virtyt e dituni t’i doni”. 


Njeriu është një nga qeniet më të sukseshme në planetin Tokë. Ne e kemi ndryshuar dhe përshtatur botën sipas interesave dhe mirëqënies tonë. Por si arritëm ne deri në këtë pikë, që cilësohemi si zota të planetit?


Ne, si qenie të gjalla, gjithmonë jemi munduar të shpikim mjete dhe vegla në dobi të ekzistencës tonë dhe i kemi perfeksionuar ato. Një nga përparimet më të rëndësishme në historinë e njerëzimit ka qenë shpikja e zjarrit. Kjo bëri që njerëzit të gatonin ushqimin e tyre, duke rritur mirëqenien, u shpik metalurgjia, u krijuan vegla dhe armë më të forta dhe rezistente. Përveç mjeteve dhe veglave te punës, njeriu gjithashtu ka zhvilluar artin që në kohët antike. Ai ka bërë vizatime të thjeshta në muret e shpellave, që tregonin fragmente nga jeta e përditshme e tij. Këto vizatime më vonë do të shndërrohen në pikturat e famshme të Leonardo Da Vinçit, Pablo Pikasos, etj.. Por në botën e njeriut mungonte diçka, arti i shkruar. Arti i shkruar edukon njerëzit me mesazhe për jetën e përditshme, ndan të mirën nga e keqja, bashkon por edhe ndan hyjnoren nga e zakonshmja. Këtë gjë e bëri për herë të parë Homeri. Nëpërmjet veprave të tij “Iliada” dhe “Odiseja”, njerëzit morën mesazhe të forta në lidhje me hakmarrjen, lakminë, respektin dhe dinjtetin. Këto vepra, që kanë arritur deri në ditët tona, jo vetëm që na edukojnë, por edhe na tregojnë ngjarjet që kane ndodhur në botën antike. 


Siç e thamë dhe më lart, letërsia filloi të jepte mesazhe të fuqishme në lidhje me shoqërinë ku njerëzit po jetonin. Disa autorë të tjerë që dhanë mesazhe kuptimplota janë: Eskili, i cili me anë të Prometeut, tregoi se njeriu kishte aftësi të zhvillonte jetën e tij, edhe pa zotat, Euripidi, i cili me veprën e tij “Medea”, tregoi gjendjen e gruas në shoqërinë greke, fuqinë e saj si dhe rolin e rëndësishëm të familjes në shoqëri.


Papritur, një periudhë e zymtë dhe e errët ra. Kjo ishte Mesjeta. Një kohë ku gjithçka rrotullohej dhe i ishte kushtuar vetëm Zotit dhe fesë. Shumë shkencëtarë si Galileo Galilei, Xhordano Bruno, u përpoqën të sillnin fakte të reja rreth botës dhe universit. Ata u munduan të ndriçonin mendjen e mbyllur të njerëzve me shkencë dhe dije, por Kisha dhe Papati nuk i lejoi këtë gjë. 


Pas kësaj periudhe të errët, vjen një periudhe e shndritshme, e quajtur Rilindja Europiane. Këtu kemi një vrull të madh të zhvillimit të shkencës, artit dhe kulturës. Veprat që spikatën më shumë në këtë periudhe janë: “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit, që na tregon mënyrën si të arrijmë të mirën e paarritshme, janë pikturat e famshme te Da Vincit, etj...

Një nga shpikjet më të rëndësishme ishte shpikja e shtypshkronjës, që bëri të mundur botimin dhe shtypjen e shpejtë të librave, të cilët tashme mund të bliheshin dhe nga shtresa e ulët, shpikja e barutit, që hodhi poshtë muret gjigante të mesjetës. Pra, që nga mesjeta ne kemi një zhvillim dhe progres konstant si nga pikpamja shkencore, dhe ajo artistike. 


Si konkluzion, njeriu është një qenie e vecantë që nuk mund të krahasohet me qëniet e tjera. Ne kemi evoluar për të qenë të sukseshëm, jo vetëm nga ana biologjike dhe strukturore, por edhe nga ana mendore dhe shpirtërore. 



Ese nga Klestid Poloska, klasa X, shkolla "Ernest Koliqi”, Tiranë 


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

10,198 Lexime
3 vjet më parë